Bruno Rrotani, trajner i ekipit të atletikës tek Vllaznia prej një viti e gjysëm punon intensivisht me atletin Franko Burraj në garën e 400 metrave. Shumë shpejt atleti 20 vjeçar arriti rezultate premtuese.

 

Në lojërat mesdhetare theu rekordin kombëtar me kohën 46:58 duke u renditur i gjashti. Ky rezultat bën që atleti Franko Burraj, krahas Izmir Smajalj dhe Luiza Gegës të jetë edhe ai pjesëmarrës në kampionatin europian të atletikës që do jetë në Gjermani.

 

Ndryshe nga dy atletët e tjerë pushteti vendor, qëndror dhe vetë federata e atletikës e kanë lënë jashtë vëmendjes të riun shkodran që ka perspektivë për rezultate të larta ndërkombëtare.

Lënia jashtë vëmendjes e dëmton Franko Burrajn i cili do marrë pjesë në europianin e atletikës. Trajneri Rrotani tregon edhe synimet që ka me atletin Franko Burraj.

Sportistët e rinj të perspektivës lihen jashtë vëmendjes dhe vetëm kur ata arrijnë rezultate të larta për shumëkend edhe të paimagjinueshme atëherë të gjithë mundohen të marrin meritat për vete apo të krenohen në një kohë kur nuk kanë dhënë asnjë mbështetje. Trajneri Rrotani dhe Burraj kërkojnë që kësaj here historia të jetë ndryshe.