Historia e veçantë e familjes shkodrane ku brez pas brezi lindin binjakë

Nga Gentian Minga

Ersenilda Elezi është binjake, i përket shenjës së Binjakëve në horoskop dhe është nëna e dy binjakëve, Brianit dhe Edenit. Nuk ndodh rëndom që binjakët të lindin binjakë, ndaj vendosëm ta publikojmë këtë histori të rrallë.

Ersenilda Elezi, jeton në qytetin e Shkodrës dhe është motra binjake e Aldës. Binjakët nuk janë një rastësi në familje, janë të trashëguar. Kështu, daja dhe tezja e tyre janë gjithashtu binjakë, por askujt nuk ia merrte mendja se njëra nga motrat do bënte një ditë edhe vetë binjakë. Siç tregojnë dhe statistikat, në të vërtetë kjo është diçka që nuk ndodh rëndom, ndaj të gjithë u befasuan kur morën vesh lajmin.

“Njerëzit nuk kanë dëgjuar më parë diçka të tillë”, thotë Ersenilda, mamaja e Brianit dhe Edenit. “Madje dhe për mua ishte diçka e re dhe gjëja e parë që bëra ishte të kërkoja në internet nëse është diçka e zakonshme që një binjake të lindë binjakë. Mësova në fakt se të tilla raste janë të rralla”. Dita kur mori vesh se priste binjakë ka qenë pjesa më e bukur e shtatzënisë.

Po kryente vizitën e dytë rutinë te mjeku, një muaj pasi kishte marrë lajmin e bukur se ishte shtatzënë. Teksa i nënshtrohej ekos së thjeshtë, vuri re se mjeku heshti për pak çaste dhe mori një pamje të shqetësuar në portret. “Të them të drejtën u tremba shumë, mendova mos

bebi im (nuk e dija që ishin dy), kishte ndonjë problem. Por kur pyeta doktorin, ai u përgjigj se gjithçka shkonte mirë… vetëm se në ekran dallonte dy zemra që rrihnin”, thotë Ersenilda dhe sytë i njomen nga lotët, njësoj si atë ditë.

Nga përgjigjja e kuptoi se priste binjakë. “Në atë moment më dolën lot gëzimi, trupi po më dridhej, qeshja dhe qaja në të njëjtën kohë. Ishte një surprizë e madhe, emocion që nuk përshkruhet me fjalë dhe që nuk kam për ta harruar kurrë”.

Për Brianin dhe Edenin gjërat do jenë më të thjeshta, mamaja e tyre e di çfarë do të thotë të jesh binjak dhe sesi ata reagojnë karshi njëri-tjetrit apo pjesës tjetër të botës.

“Kështu do të kenë një person të veçantë në jetën e tyre që i kupton pa u dashur të thonë asnjë fjalë”. Ersenilda e di çfarë do të thotë të kesh një njeri të tillë në jetën tënde, sepse marrëdhënia e saj me motrën binjake,

Aldën, është shumë e fortë. Nëse njëra prej tyre ndjen një shqetësim pa ndonjë shkak, e kupton se tjetra është duke kaluar një moment të vështirë. “Shpesh ndodh të parandiejmë se diçka e mirë apo e keqe do ndodhë dhe në këto raste pyesim njëra-tjetrën:

“Motër, ke ndonjë problem, sepse ndihem e shqetësuar pa shkak?”, apo “Mendoj se diçka e mirë do të na ndodhë, kam një gëzim të pashpjeguar në shpirt”, thotë Ersenilda, e cila shton se asnjëherë deri më sot parandjenjat e tyre nuk kanë gabuar. Por ndonëse janë kaq të lidhura, ato sërish mbeten dy pole të kundërt që tërhiqen. Janë krejt ndryshe në karakter, e njëjta gjë ndodh dhe me vogëlushët Brian e Eden.

“Nuk më vjen keq që ata janë ndryshe, përkundrazi, gjithmonë kam dashur që ata të zhvillojnë personalitete unike. Edhe vetë përpiqem ta shmang “të qenit identik”, duke i veshur ndryshe, me përjashtim të rasteve të rralla.

E kam provuar me time motër dhe e di se njerëz të ndryshëm e plotësojnë më mirë njëri-tjetrin, madje kjo është gjëja më e bukur mes nesh dhe që na mban të lidhura”, thotë Ersenilda. Ajo dhe Alda nuk janë identike, jo vetëm si karaktere, por dhe në pamjen e jashtme, aq sa të gjithë habiten kur marrin vesh se janë binjake.
Alda është pesë minuta më e madhe, çka pasqyrohet në raportin mes tyre. Dallohet që Ersenilda e respekton mendimin e saj. “Sa ka `përfituar` nga këto pesë minuta ajo”, thotë duke qeshur Ersenilda.

Ky ndryshim në dukje i vogël, ka pasur ndikim të ndjeshëm në formësimin e personalitetit të tyre.

Jo më kot Alda erdhi e para në jetë, sepse nuk ka durim si natyrë. “Brian e Eden do të jenë si unë me motrën, ata kanë temperamente të ndryshme. Briani, që është edhe pesë minuta më i madh, është më impulsiv, tekanjoz dhe i mbetet hatri kollaj, kurse Edeni është i qetë, i shtruar dhe më i afrueshëm me të tjerët.

Por shpesh ndodh t`i ndërrojnë rolet… Briani papritmas bëhet më i shtruar dhe Edeni më tekanjoz. Habitesh sa shpejt mësojnë nga njeri-tjetri”. Binjakët luajnë gjithë kohën bashkë, tani kanë filluar t’i ndajnë gjërat. Kur janë në ambiente publike, nëse njëri është më larg, tjetri e kërkon me sy derisa e gjen dhe i afrohet. Nuk ndahen dot nga njëri-tjetri. “Duan të rrinë vetëm bashkë, ndonjëherë më duket sikur nuk e ndiejnë nevojën për njerëz të tjerë.

Merren vesh mirë bashkë dhe kjo më siguron se do të trashëgojnë në mënyrë të përsosur raportin që kam me Aldën”, thotë Ersenilda

 

LIVING.AL

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...