PARK PËRRALLOR,PARKU KOMBËTAR I VALBONËS

Peisazhi malor, ujrat e Lumit të Valbonës dhe ekosistemi i parkut, vitet e fundit po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj, kjo edhe falë përmirësimit të rrugës automobilistike, furnizimit me energji, dhe investimeve të vetë banorëve për pritjen e pushuesve.

 

Parku Kombëtar i Valbonës, në rrethin e Tropojës, është një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme në Shqipëri. Me përmirësimin, vitet e fundit, të infrastrukturës rrugore dhe investimet e vetë banorëve, në këtë pjesë të Alpeve shqiptare po zhvillohet me shpejtësi turizmi. Ndërkohë, banorët e Luginës së Valbonës po kundërshtojnë ndërtimin, brenda Parkut Kombëtar, të tre hidrocentraleve. Korrespondentet e Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo dhe Ilirian Agolli, përgatitën kronikën.

 

Vlerësuar si mrekullia e alpeve shqiptare Parku Kombëtar i Valbonës, në rrethin e Tropojës, shtrihet përgjatë Luginës së Valbonës, me një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Peisazhi malor, ujrat e Lumit të Valbonës dhe ekosistemi i parkut, vitet e fundit po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj, kjo edhe falë përmirësimit të rrugës automobilistike, furnizimit me energji, dhe investimeve të vetë banorëve për pritjen e pushuesve.

 

Por banorët janë të shqetësuar se Parku kombëtar do të dëmtohet nga ngritja e tre hidrocentraleve në Luginën e Valbonës. Drejtuesi i shoqatës së turizmit në Valbonë, Alfred Selimaj, thotë se koncensionet e dhëna për ndërtimin e tre hidrocentraleve, atë të Valbonës, Dragobisë dhe Çeremit, do të dëmtojnë turizmin dhe vetë ekosistemin e Parkut Kombëtar.

 

“Spontanisht e kemi marrë vesh se do të ndërtohen dy hidrocentrale këtu. Shqetësimi i parë është moskonsultimi me komunitetin, pasi nuk kemi pasë asnjë informacion. Lumi do të devijohet rreth 7 kilometra përmes tubave dhe tuneleve. Nëse cënohet lumi, shkatërrohet natyra, dhe atëherë kuptohet se kjo do të ndikojë në fushën e turizmit”.

 

Edhe bashkëshortja e Alfredit, Catherine Bohne, e njohur gjërësisht si “amerikania e Valbonës”, e cila i është përkushtuar ruajtjes së ekosistemit të Luginës, shpreh të njëjtin shqetësim. Ajo thotë se, me ndërtimin e hidrocentraleve dëmtohet turizmi, ekosistemi natyror, por edhe vetë e ardhmja e Parkut Kombëtar. Sipas saj, qeveria shqiptare nuk ka respektuar Konventën Ahrus, të cilën e ka nënshkruar, konventë që parashikon informimin e banorëve.

 

“Ne kemi punuar bashkë me Ministrinë e Mjedisit për të shkruar dokumentin e zonimit, planin e menaxhimit për të mbrojtur këtë zonë. UNDP ka investuar, ka bërë një projekt shumë të madh për të zhvilluar këtë zonë. Kurse një ministri tjetër ka punuar për ta prishur. Është çmenduri dhe qeveria e Shqipërisë nuk mund të vazhdojë më kështu”.

 

Tre kontratat konçensionare dhe vendimet për hidrocentralet në Valbonë janë miratuar nga dy qeveritë e fundit: ajo demokrate në gusht të vitit 2013 dhe ajo socialiste në prill të vitit 2014. Madje në dhjetor të vitit 2014, Enti Rregullator i Energjisë, ERE, vendosi nisjen e procedurave për licensimin e aktivitetit të prodhimit të energjisë nga HEC-et “Çeremi” dhe “Dragobia’, ende pa filluar puna për ndërtimin e tyre.

 

Zëri i Amerikës u interesua pranë Ministrisë së Energjitikës dhe Ministrisë së Mjedisit për të marrë reagimin e tyre në lidhje me ndërtimin e tre HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës, por zyrtarët nuk pranuan të komentojnë mbi këto projekte.

 

Perfaqësuesit e shoqatave ambientaliste në Tiranë e cilësojnë ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar si një krim mjedisor kombëtar. “Duke ndërtuar këto lloj hecesh, ne pikërisht prishim zemrën e asaj zone që është Lumi i Valbonës, i cili kalon pikërisht në atë luginë. Për këtë shkak, jo vetëm komuniteti lokal, por edhe i gjithë komuniteti i shoqërisë civile është shprehur kundra këtyre ndërtimeve.

 

Dhe, përgjithësisht, të gjitha këto ndërtime janë të atilla që, efekti i tyre financiar në përfitimin energjitik, në vlerësimin e shumicës së specialistëve është shumë më i vogël në krahasim me efektin financiar që mund të ketë pjesa e zhvillimit të turizmit apo zhvillimit të qendrueshëm të kësaj zone”, thotë Rezart Kapedani i organizatës “REC Albania”.

 

Për mjekun e njohur Din Selimaj, vendimi i qeverisë për dhënien e koncensioneve për ndërtimin e tre hidrocentraleve, brenda Parkut Kombëtar të Valbonës, është marrë pa u konsultuar me komunitetin vendas dhe, si i tillë, ai po kundërshtohet masivisht prej banorëve.

 

“Komuniteti i Valbonës është krejt kundër. Në vend që të investohet në stabilizimin e Luginës së Valbonës, në vend që të stabilizohen më mirë projektet e zhvillimit duke i dhënë përparësi lidhur me ndërtimet, llojin e materialit me të cilin do të ndërtohet, nivelin e kateve, hapësirave të gjelbërta, etj, vijnë ndërtohen hidrocentrale, pra thahet lumi”.

 

Banorët e Valbonës kanë nënshkruar një peticion drejtuar Kryeministrit Rama, përmes të cilit shprehin shqetësimin dhe kundërshtimin e tyre për ndërtimin e 3 hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar.

 

Ndërsa përfaqesuesi i shoqatës “ECO Albania”, Olsi Nika, thote se ndërtimi i hidrocentraleve në Valbonë është i papranueshëm: “Pavarësisht nga masat që kompanitë që do të ndërtojnë në Valbonë për të respektuar standartet mjedisore, pavarësisht gjithçkaje tjetër, kuadrin ligjor që ata do të respektojnë; rregullat, lejet e ndërtimit, lejet mjedisore, etj, për ne është përfundimisht një vend ku nuk duhet të ndërtohen hidrocentrale”.

 

Catherine Bohne, “amerikania e Valbonës”, kjo grua që prej vitesh është dashuruar me alpet shqiptare, nga vendi ku po ndërtohet kanali, që do të devijojë ujrat e Valbonës lëshon një apel për të gjithë shoqërinë shqiptare: “Kam një apel që të gjithë njerëzit, ata që janë në shoqata, në qeveri, të gjithë njerëzit, në qoftëse bashkëpunojmë me besim edhe me shpresa, ne mund ta mbrojmë këtë thesar, Valbonën.”

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...