GJYTETI I MADH NË MALET E KOSMAÇIT “ZGJOHET” NGA GJUMI SHEKULLOR

Ministria e Kulturës e Qeverisë së Kosovës e ka futur në planin hulumtueses Kalanë e Vuçakut, ndërkaq varësisht nga ajo se çfarë do të zbulohet në fazën testuese, do të vazhdohet me fonde shtesë për gërmime.

 

Shumë legjenda dhe gojëdhëna vërtiten prej shekujsh rreth kështjellës misterioze që ndodhet sipër kurorës shkëmbore të malit Kosmaç në fshatin Vuçak të Drenasit. Bajlozë dhe luftëtarë me zulmë tek kacafyten për ta zotëruar atë majë shkëmbi, ende sot rrojnë në legjendat e Drenicës.

Kështjella që dikur quhej Gjyteti i Madh, duket se më në fund do të flas me gjuhën e gurëve, themeleve e bedenave që fsheh në brendësi. Një ekspeditë hulumtuese nga Instituti i Arkeologjisë së Kosovës, të prirë nga arkeologët Shafi Gashi e Arben Hajdari, ka filluar gërmimet e para në këtë kala, 12 km në jugperëndim të Drenasit.

 

Nga dy vend-gërmimet e para testuese arkeologët thonë se kanë hasur në një material shumë të pasur arkeologjik që dëshmon se kështjella e humbur në malet e Kosmaçit dikur ka qenë fortifikatë luftërash, por edhe vendbanim, dhe atë që nga Koha e Bronzit, e pasuar në atë të Hekurit, pastaj edhe në kohërat e civilizimeve të Antikës së Hershme e të Vonë, si dhe në Mesjetën e Hershme.

 

Kështjella është e vendosur në një pozitë shumë dominuese në 940 metra lartësi mbidetare, ndërkaq vërehen gjurmët e rrënojave të mureve që përcjellin konfiguracionin e kodrës dhe formojnë Gradinën e Madhe (Gjyteti i Madh) dhe Gradinën e vogël (Gjyteti i Vogël).

 

Arkeologu, Shafi Gashi, që e udhëheq ekspeditën, tha se sipas vlerësimeve preliminare të analizuara në materialin arkeologjik që është gjetur në këtë kala, flitet për gjurmë që nga Parahistoria e deri te Mesjeta. Por, sipas një vlerësimi të përgjithshëm që jep Gashi, Kalaja e Vuçakut është tipike për kohën e Antikitetit të Vonë dhe shërbente si sistem mbrojtës për popullatën vendase.

 

Ai shton se veçantitë e strukturës arkitektonike të kalasë i përgjigjen periudhës së antikitetit të vonë, e në veçanti të kohës së Justinianit. Gërmimet e para konsistojnë kryesisht në faqet e jashtme e murit rrethues të kalasë ku vërehen akset e kullave mbi mure të gjera.

 

Po ashtu, gjatë gërmimeve është hasur edhe në atë që nga arkeologët quhet “material të lëvizshëm arkeologjik” si: pjesë qeramike, tulla të pjekura, fragmente të pajisjeve bujqësore dhe armëve etj.

 

Ministria e Kulturës e Qeverisë së Kosovës e ka futur në planin hulumtueses Kalanë e Vuçakut, ndërkaq varësisht nga ajo se çfarë do të zbulohet në fazën testuese, do të vazhdohet me fonde shtesë për gërmime. Ideja është që pasi të restaurohen muret dhe të konservohet pjesa arkitektonike Kalaja e Vuçakut të shndërrohet në një atraksion turistik.

 

Ndryshe, brezi malor i vendbanimeve të Drenicës, që nga pjesa perëndimore, ajo qendrore dhe deri tek lindorja, është e njohur për një mori kështjellash të ngjashme.

 

Konfiguracioni natyror në mes të Kalasë së Llapushnikut në Drenicën lindore, pastaj Kalaja e Vuçakut në Drenicën qendrore dhe ajo Vërbovcit në perëndim, krijojnë njëfarë ndërlidhje jo vetëm natyrore, gjë që flet për një sistem fortifikatash të cilat në raste luftërash kanë komunikuar mes vete.

 

Sidoqoftë një grup ekspertësh, intelektualësh dhe veprimtarësh nga komuna e Drenasit, kanë ideuar një plan për krijimin e një linje turistike me karakter kulturor dhe historik, e cila do t’i jepte karakter të përbashkët historisë së lashtë me atë moderne, duke e lidhur me një rrugë automobilistike qendrën përkujtimore “Adem Jashari” në Prekaz, Kalanë e Vërbocit, Kalanë e Vuçakut, Kalanë e Llapushnikut dhe Parkun Memorial të UÇK-së në Kleçkë.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...