Një miqësore luksi pret talentet shqiptare në muajin shtator të këtij vitit, pasi kuqezinjtë e U21, të drejtuar nga Alban Bushi, do të luajnë një miqësore luksi përtej Adriatikut me Italinë.

 

Gjithçka është zyrtarizuar gjatë ditës së sotme në Itali, ku është konfirmuar edhe data dhe ora e kësaj sfide të veçantë.

 

Ndeshja është planifikuar të zhvillohet më 11 shtator në Kaljari, në orën 18:30 e do të jetë një mënyrë shumë e mirë që dy skuadrat të përgatitin të ardhmen e tyre.

 

Italia e Di Biaxhios do ta përdorë për të përgatitur pjesëmarrjen në fazën tjetër të Europianit të kësaj grupmoshe, ndërsa Bushi do të shohë në veprim disa emra të rinj në radhët e kuqezinjve, si dhe t’u japë lamtumirën me këtë supersfidë disa prej atyre që kanë luajtur me sukses në edicionin aktual.

 

Kjo ndeshje vjen 5 ditë pasi kuqezinjtë të kenë luajtur ndaj Spanjës në kualifikueset e Europianit dhe sigurisht që Bushi do të ketë në dispozicion emrat më të mirë të mundshëm për këto dy duele.

 

Sfida mes Italisë dhe Shqipërisë U-21 do të jetë e gjashta mes dy skuadrave. Italia ka fituar 4 duele, ndërsa një është mbyllur në barazim, pikërisht ndeshja e fundit mes palëve, një miqësore e zhvilluar në gushtin e vitit 2016 që përfundoi me rezultatin 0-0.