Për varfërinë, shëndetësinë falas dhe përçmimin ndaj të moshuarit

Në vitin 2013, shqiptarët, me votë, e përzunë Sali Berishën dhe qeverinë e tij, për ato që bëri keq dhe për ato që nuk i bëri fare. Nuk është rasti për t’i rishkruar paudhësitë e qeverive Berisha. Ato i dinë të gjithë dhe fatkeqësisht, për ato askush nuk u ndëshkua.

Qeveria socialiste erdhi me premtimin se do të bëhet drejtësi dhe do të vendoste drejtësinë sociale. Shqiptarët votuan me shpresën se do të ndëshkoheshin vrasjet dhe korrupsioni, krimi, pabarazia, do të përmirësohej gjendja ekonomike e qytetarëve, do të kishte më shumë vullnet për të luftuar varfërinë dhe do të vendosej sistemi shëndetësor universal dhe falas.

Kanë kaluar pesë vjet nga ardhja në pushtet e socialistëve dhe shpresat e shumë shqiptarëve për një jetë më të mirë nuk u realizuan. Në këtë shkrim, shkurt, mundësisht edhe qartë, do të hedh disa mendime, në kontekstin e debatit të hapur kohët e fundit në gazetën DITA.

Si ka luftuar Qeveria me varfërinë?.

E vërteta është se sot në Shqipëri, ekziston një humnerë e frikshme midis të pasurve dhe të varfërve. Është fakt, se të gjitha qeveritë shqiptare të pas vitit 1990, përfshi dhe qeverinë “socialiste” aktuale, nuk vunë në lëvizje mekanizma ekonomikë për ta ngushtuar pabarazinë, por, krejt ndryshe, punuan për ta bërë edhe më të frikshme humnerën.

Çdo kush që është i vëmendshëm dhe ekzaminon drejtësisht shkaqet e varfërisë ekstreme që ekziston në vend arrin në përfundimin se të gjitha qeveritë kanë dështuar për të trajtuar me përkushtim të drejtat ekonomike dhe sociale në vend.

Është e vërtetë se, nuk ekziston një “recetë magjike” që do t’i japë fund varfërisë akute. Por, edhe pse kështu, duhet të pranojmë se, me resurset ekonomike dhe natyrore që ka vendi ynë, persistenca e varfërisë ekstreme është pasojë e vendimeve politike, që kanë marrë ose jo ata që janë në krye të vendit. Kam bindjen se me vullnet politik, në një vend si Shqipëria varfëria mund të ishte eliminuar, ose mund të zbutej pa vështirësi.

Kush i ka ndaluar qeveritë shqiptare që t’i mbledhin biznesmenët dhe të pasurit e vendit dhe t’u thonë: Ne e dimë si i keni vënë ju këto pasuri marramendëse. Ju keni shfrytëzuar punën e pa paguar të mijëra njerëzve, keni vjedhur ose shfrytëzuar padrejtësisht, me ndihmën tonë, pasuritë e këtij vendi që janë pronë e të gjithëve.

Ju keni shkatërruat pyjet, lumenjtë, bregdetin, malet, minierat, naftën, që janë pasuri e të gjithëve, për të rritur pasuritë tuaja. Për të gjitha këto arsye, X përqind të fitimeve tuaja do t’i derdhni në një fond, që do të shkojë për të luftuar varfërinë, për të rregulluar shkollat e spitalet, për të paguar mirëmbajtjen e rrugëve që kuksianet e varfër të mos paguajnë për të shkuar në shtëpi të tyre.

Në qoftë se ky fond do të administrohej me rigorozitet dhe nuk do përfundonte në xhepat e administratorëve dhe shtetarëve, ai do të mjaftonte për të zbutur këtë humnerë kërcënuese midis të pasurve dhe të varfërve të vendit. Ky fond fare mirë mund të përdorej për të paguar faturat e dritave, të ujit dhe të qirave të shtëpive për të varfërit. Kjo do të kontribuonte në luftën kundër varfërisë dhe do të pakësonte tensionet sociale. Të pasurit nuk do të shiheshin si armiqtë e të varfërve.

Një qeverie të vërtetë socialiste i takonte “të dekriminalizonte” të varfërit dhe varfërinë. Ne kemi parë shtimin e presionit mbi debitorët e varfër, për të cilët u lëshuan edhe urdhër arreste sepse ata nuk shlyenin dot faturat. Po cili ish-zyrtar apo drejtor u arrestua për vjedhjet milionëshe në buxhetin e shtetit, të denoncuara nga vetë institucionet e shtetit? Ne kemi parë shtimin e presionit mbi tregtarët e vegjël dhe paralajmërime të përditshme për ta, po cili evazor i madh fiskal përfundoi në pranga?

Urdhër arrestet për të skamurit e këtij vendi janë ilegale dhe shkelin standardet e të drejtave të njeriut. Do të ishte në nderin e një qeverie socialiste të lehtësonte ose eliminonte këto fatura dhe borxhe për njerëzit më të varfër. Krejt ndryshe, deri tani kemi parë që qeveria neglizhon të varfërit dhe me politikat e ndjekura e ka thelluar pabarazisë sociale.

Gjithkush, që do të shikonte fëmijët e tij të binin për gjumë pa ngenë një copë bukë, do dilte të lypte, të kërkonte në plehrat, të thyente, të vidhte. A është krim të bësh gjithçka për të gjetur bukë për fëmijët? Zotërinj! Dekriminalizoni varfërinë. Jepuni të varfërve shansin të bëjnë një jetë më dinjitoze, edhe kafshët e pyllit kanë ushqim dhe strehë.

Pak fjalë për shëndetësinë universale dhe falas

Ndikim pozitiv të drejtpërdrejtë për lehtësimin e varfërisë ka edhe shërbimi shëndetësor universal dhe falas. Qeveritë “Rama” erdhën me premtimin se do ta realizonin vendosjen e këtij shërbimi.

Kushtet në disa spitale janë përmirësuar. Kjo është gjë për t’u përshëndetur. Por kjo nuk do të thotë shërbim shëndetësor universal dhe falas. Sëmundja është e rëndë për të gjithë, por bëhet më e rëndë për atë që nuk ka para të paguajë doktorin, spitalin dhe të blejë barnat. Para disa ditësh lexova për dikë të cilit ju deshën shumë euro për t’u operuar nga zemra në një spital privat, kur qeveria thotë se i imburson këto operacione tek privati.

Do të dëshiroja, që dikush që është kompetent për reformën në shëndetësi, të na thoshte konkretisht, çfarë nënkupton qeveria me shërbim universal dhe falas dhe se në cilin vit (sado i largët të jetë ai vit) qeveria socialiste do të arrijë të vendosë sistemin universal dhe falas në Shqipëri. Të na thuhet se në këtë vit do arrijmë këtë, në vitin tjetër këtë tjetrën e kështu me radhë. Të na i thotë qeveria socialiste, sepse demokratët e kanë deklaruar se sa të vinë në pushtet, do të prishin çdo gjë që lidhet me shëndetësinë falas.

Zotërinj qeveritarë, bëjeni tani që të varfërit t’i gëzojnë përfitimet e shërbimit falas, sepse kështu ata do të vihen në mbrojtje të tij. Njerëzit duhet ta dinë dhe të gjykojnë për punën e qeverisë. Duke ngritur godina dhe duke bojatisur mure, edhe pse këto janë të nevojshme, ato nuk e bëjnë shërbimin falas.

Shërbimin falas do të arrihet së pari duke rritur efektivitetin e punës brenda mureve ekzistuese dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë konsistente. Kurrë, nuk do të ketë para dhe shtretër të mjaftueshëm në shëndetësi, po qe se nuk kërkohet rritja e eficiencës së shërbimit ne institucionet shëndetësore.

Për të moshuarit

Unë mendoj se qeveria socialiste e ka tepruar me administratën e mbushur me të rinj e të reja. Nuk kam asgjë kundër të rinjve, por pyes: ku janë ata me eksperiencë, madje, ata më të shquarit e sektorëve të ekonomisë dhe të administratës shtetërore, që do të orientonin dhe edukonin të rinjtë? Ligjet, rregullat dhe rregulloret mësohen e perfeksionohen me eksperiencë dhe duan kohën e tyre. Ato nuk arrihen me urdhëra administrative.

Një popull që nuk vlerëson të moshuarit e tij nuk mund të ketë prosperitet. Siç dihet, zgjedhjet presidenciale të vitit 1984 në Amerikë, vunë përballë 56 vjeçarin Walter Mondale kundër kandidatit më të vjetër, 73 vjeçarit Ronald Regan. Media, ashtu siç nuk duhej të bënte, bëri humor me moshën e Reganit, madje, duke vënë në dyshim kapacitetin e tij për të shërbyer edhe një katërvjeçar tjetër.

Ishte një debat që nuk mund të harrohet. Regani e ktheu çështjen e moshës në një avantazh për veten e tij. Kur moderatori e pyeti, nëse do të ishte i aftë për të kryer detyrat e tij si President, Regani, pavarësisht moshës, bëri një shaka, “Unë nuk e kam moshën kauzë të kësaj fushate. Unë nuk do ta shfrytëzoj kauzën e moshës për qëllime politike, as që të vë në dukje rininë dhe mungesën e eksperiencës së oponentit tim.”

Audienca qeshi. Moderatori qeshi. Vetë Mondale qeshi. Dhe Regani vazhdoi të fitojë zgjedhjet me një lumë votash. Më vonë, vetë Mondale e pranoi se mbi të kishte fituar mençuria – i moshuari Regan. Një popull nuk mund të funksionojë pa të moshuarit e tij, ashtu si një zog nuk mund të fluturojë pa krahët.

Qeveria socialiste dhe z.Rama sot, janë përqendruar tek të rinjtë, mendojnë se të moshuarit nuk janë të aftë të ngrenë përgjegjësitë, se ata janë konservativë dhe regresivë. Ndërkohë, që unë besoj se të moshuarit kanë lulëzimin e tyre, ata janë të vlefshëm për shoqërinë dhe duhet të ruhen si thesare. Të moshuarit në kulturën tonë tradicionale janë sinonim i “mençurisë”. Flokët gri, ose të bardha duhet të ekspozohen dhe jo të shkulen, mosha e vjetër duhet të jetë burim krenarie dhe jo diçka që duhet të fshihet.

Për arsye të rolit të tyre vital në trashëgiminë tonë , ne duhet ta kemi një “detyrim të lartë” që t’i nderojmë të moshuarit Kur të rinjtë rriten në prani të të moshuarve, ata do t’i nderojnë ata edhe më shumë, duke kërkuar këshillat e tyre të vlefshme. Kjo e bën të vlefshëm vitalitetin e tyre të pandërprerë.

Një njeri i mençur, drejtues shteti, e kishte bërë zakon të vizitonte të moshuarit. Përveç mirësisë që i ofronte kjo, ai u motivua nga perspektiva unike e moshimit: “Të moshuarit kanë trup të drobitur. Aftësitë e tyre fizike i kanë lënë me kohë. Kur unë i vizitoj ata, shikoj shpirtin e pastër. Dhe nuk ka gjë tjetër më inspiruese sesa të harxhosh kohë me shpirtin e pastër!”.

Trupi i tyre i shkurtuar dhe i përkulur nga vitet, mban brenda tij një gjendje shpirtërore më të thjeshtë dhe më të zhvilluar. Prania e të moshuarve në jetën shoqërore dhe shtetërore, u jep të rinjve mundësinë që të tregojnë nderimin dhe respektin për jetët e kompletuara dhe të pasura me eksperiencë. Rinia , me siguri, ka avantazhet e saj : ajo është e re, e kënaqur, energjike dhe entuziaste. Por, asaj i mungon eksperienca dhe largpamësia që vjen nga vitet. Qëllimi duhet të jetë: të pranojmë mençurinë dhe eksperiencën e të moshuarve, ndërkohë, që duhet të ruajmë energjinë dhe harlisjen e rinisë.

Ish Presidenti i Universitetit të Harvardit Abbot Lawrence Lowell thoshte: “Ju duhet të jeni të njerëzishëm me të moshuarit, të cilët kanë eksploruar deri në pikën nga e cila ju do të filloni të avanconi dhe më pas të ndihmoni të rinjtë për të përparuar më tej për arsye të mundit tuaj.”

A mund të flasim për prosperimin e gjeneratës tjetër, pa patur konsideratë për gjeneratat e mëparshme?.

Nga Dr. Adem Harxhi

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...