Me siguri keni dëgjuar për luginën e Valbonës. Të bësh një udhëtim drejt këtij destinacioni, duhet të përgatitesh jo vetëm materialisht, por në radhë të parë shpirtërisht, për të përballuar dhe shijuar nga ana emocionale, bukuritë befasuese të saj.

Ajo shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare në Rrethin e Tropojës, ka statusin e Parkut Kombëtar.

Valbona na tregon madhështinë e saj përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë ,

 

ajrit që të ngop, mikpritjen e saj përmes njerëzve të mrekullueshëm dhe bukurinë e saj përmes veshjeve shumëngjyrëshe të zonës.

Pamjet e mahnitshme që nisin me Kanionin e Shoshanit, pasohen nga gryka e ngushte me shpate të thepisura të Klisyrës. Më sipër shfaqet fshati Dragobi,

 

më i madhi i zonës, më kulla guri 200 vjeçare. Sapo kalon Dragobinë, në krahun e djathtë të rrjedhës së Valbonës, në rrëzë të një shkëmbi, ndodhet shpella e Bajram Currit.

 

 

Lugina me bukuri epike e Drinit ku një udhëtim me traget nga Fierza për në Koman do të linte përshtypje të paharrueshme.

 

As në imagjinatën më ekstreme të krijuesit legjendar të eposit të Kreshnikëve të Veriut, nuk do t’i kishte shkuar kurrë ndër mend të “ngjitej deti në mal” dhe të bëheshin bashkë. Zanat e malit me Sirenat e ujit.

 

Komani dhe Fierza janë një ndër ato udhëtime që gjithmonë mbeten të paharrueshme. Një përvojë unike dhe e rrallë që sjell relaks dhe kënaqësi të papërshkruar. Udhëtimi me anije në liqenin e Komanit kalon përmes malesh që arrijnë 1000-1500 metra lartësi me brigje të mrekullueshëm dhe të ndërlidhur,

ku me vështirësi gjen ndonjë shenjë të veprimtarisë njerëzore.

 

Shumë herë kemi dëgjuar për mirëpritjen e malësorëve, por në asnjë nga mënyrat e mundshme nuk mund të përshkruhet ndjesia që provohet nga kjo mikpritje. Nëse nuk shkon vetë të dëgjosh se çfarë fjalësh të thonë vendasit kur të urojnë mirëseardhjen, nëse nuk shikon vetë se me sa dashuri të presin, se si i shtrojnë vaktet, se sa dashuri hedhin në çdo gram ushqimi që servirin e gatuajnë.

 

“Pse e lashë New York-un për Valbonën?!” Një rrëfim i sinqërtë nga Catherine Bohne, nusja amerikane e martuar në Valbonë

“Erdha këtu për herë të parë para dy vjetësh – tregon Katerina. Pushimet e mia ishin planifikuar për një javë, e cila u shty në 11 ditë. Kisha dëgjuar shumë dhe isha mahnitur nga ideja e një vendi fare të paprekur, me jetë të egër, ku nuk kishte as gardhe, as kufij, as dyqane, e as hapësira ku duhet të paguaje (natyrisht) për t’u ulur e për të pushuar.

 

Kishte vetëm male me maja që nuk kishin fund, lugina të gjelbra dimër e verë, dhe shtëpi ose ferma të vogla ku ti mund të trokisje pa problem ditën dhe natën e ku dikush të priste krahëhapur e nuk të linte jashtë.

 

Valbona për mua ishte shndërruar në një përrallë fëmijësh, me pyje të thellë ku mund të humbisje nëse ngatërroje shtegun, me gratë e vjetra që thurnin triko, me fëmijë të vegjël çuditërisht gjithmonë sygëzuar e me druvarët që sillnin pyllin në oxhakët e ngrohtë të fermave të vogla.

 

Të gjitha këto m’i kishin treguar miqtë e mi. Kur erdha në Valbonë, gjeta edhe më shumë se kaq. Madje Valbona kishte edhe një princ, tamam si në përralla. Kisha lexuar në internet për një Alfred, që i priste turistët në Fierzë ose në Valbonë, dhe i merrte me vete, që t’i shëtiste nëpër bjeshkë.

 

Mendova: sigurisht ky do jetë ndonjë gjysh me një varg nipërish e mbesash që e kalojnë numrin e dhëmbëve që ka në gojë, e me ta, lëviz nëpër male, për të shoqëruar turistët. Unë u përplasa me të në tragetin e Fierzës dhe kur në vend të gjyshit pashë një djalosh të bukur, fjalët e mia të para, të ngatërruara prej hutimi, ishin:

 

“Unë kam ardhur për të ndenjur me ty”.