Në gjysmën e dytë të viteve ’80 një emër i ri që ka spikatur tek Vllaznia ka qenë ai i sulmuesit Ilir Kepaj.

Në moshën 19 vjeçare, ai kalon tek ekipi i parë, për të nisur aty një rrugëtim shumë të suksesshëm ku ra në sy për numrin e madh të golave të shënuar.

Ai u bë edhe pjesë e ekipit kombëtar madje pas ndeshjes së luajtur në Paris ndaj Francës më 30 mars 1991, vendos të mos kthehet më në Shqipëri. Sistemohet në Belgjikë ku luan për ekipin Molembek tek i cili mbyll edhe karrierën.

Më pas, për gati 10 vjet ushtron detyrën e trajnerit duke drejtuar ekipin e dytë të Brukselit që merrte pjesë në kategorinë e parë të futbollit belg. Prej disa vitesh ka vendosur të heqë dorë nga futbolli dhe merret me gjëra të tjera.

Në Shqipëri dhe në Shkodër në fakt nuk ka ardhur shumë shpesh gjatë këtyre viteve. Ja pse, intervista e sotme për “Shkodra Sport” është diçka e veçantë sepse Kepaj nuk ka patur asnjëherë më parë mundësinë për t’u shprehur sa duhet.

-Kepaj, shumë vite larg Shkodrës dhe disi i harruar apo jo?

-Mund të jetë edhe kështu për faktin që nuk kam ardhur shpesh në Shkodër por edhe kur kam ardhur, nuk më është dhënë mundësia të flas. Çdo sportist që ka dhënë për një skuadër, për një kombëtare, për një vend, pret gjithmonë të thirret për të dhënë një intervistë.

Për këtë arsye, tashmë që ju ma kërkuat, me kënaqësi pranova të flas për Vllazninë dhe Shkodrën, për karrierën time dhe shumë gjëra të tjera. Pavarësisht se nuk kam ardhur shpesh, rrënjët e mia janë këtu dhe do të jenë gjithmonë këtu.

-Shumë kujtime besoj nga karriera juaj me Vllazninë…

-Patjetër që kam shumë kujtime. Duke filluar nga viti 1985 kur kalova tek ekipi i parë i Vllaznisë dhe deri në vitin 1991 kur u largova, janë shumë momente që i kam ende të freskëta. Padiskutim që është një kënaqësi e madhe për mua që kam luajtur me këtë skuadër dhe ndjehem mjaft mirë për këtë.

-E mbani mend ndeshjen tuaj të parë me Vllazninë?

-Sigurisht që po. Madje, për kurioritet dje e kujtuam sërish atë ndeshje me mikun tim Viktor Brizën në takimin që pata me të dhe që u kënaqa shumë që e takova. Briza ka qenë sebepi që unë luajta ndeshjen e parë me Vllazninë sepse ishte e pamundur t’i zije vendin dikujt në atë periudhë tek kjo skuadër ngaqë kanë qenë shumë lojtarë të talentuar pjesë e saj.

Viktori pati një mosmarrëveshje me profesor Hafizin dhe ky i fundit e dënoi me një apo dy javë mosaktivizim. Pas këtij vendimi, profesor Astriti më thirri se më tha: “Ilir, banu gati se ke me luajt në vend të Brizës. Luaj pa emocione, ato që ke bërë në stërvitje mundoju t’i bësh edhe në ndeshje të dielën”.

I tha apo s’i tha ato fjalë trajneri dhe të betohem që nga ai moment, mund të ketë qenë e martë apo e mërkurë dhe deri të dielën kur u luajt ndeshja, unë nuk kam fjetur prej emocioneve. Erdhi dita e ndeshjes, luanim në Shkodër ndaj Flamurtarit dhe në fakt gjithçka shkoi mirë.

Në një moment të lojës, Luani (Vukatana) i mrekullueshëm si gjithmonë, në krahun e majtë të sulmit tonë, kaloi Petro Rucin dhe ma kthen mua topin tek 16-shja. Unë gjuajta menjëherë dhe topi shkoi në rrjetë. Fituam 1-0 dhe natyrisht që emocionet kanë qenë të mëdha.

Ky ka qenë gëzimi im i madh i parë tek Vllaznia dhe të tillë kam përjetuar edhe në vazhdim, deri në vitin 1991 kur u largova. Janë gjashtë vite të kaluara me skuadrën shkodrane gjatë të cilave kujtimet pozitive padiskutim që janë më të mëdha se ato negative.

-Keni qenë një ndër shënuesit më të mirë të Vllaznisë së atyre viteve…

-Po, madje mbaj mend një bisedë me të mirënjohurin Ymer Striniqi që ishte ekspert i statistikave. Ai më tha se në bazë të golave që unë kisha shënuar, renditesha ndër më të mirët e Vllaznisë për 40-50 vitet e fundit. Kam shënuar 60-70 gola në një periudhë të shkurtër dhe kuptohet që kjo është një kënaqësi e madhe për çdo sulmues.

-Sot ndërkohë e gjeni Vllazninë një kategori më poshtë. Ju vjen keq për këtë gjë?

-Jashtëzakonisht shumë. Më ka ardhur keq. Kështu është kur klubi nuk merret prej një pronari, prej një “padroni”. Futbolli do investime se ndryshe nuk mund të krahasohesh me ekipet e tjera. Kjo nuk vlen vetëm për Shqipërinë por është ligj botëror për çdo klub dhe jo vetëm për Vllazninë. Duhet medoemos në krye të klubit një president që angazhon stafin e tij dhe që janë kompetentë për punën që do të bëjnë, njëkohësisht janë edhe të zanatit.

Unë shpresoj që Vllaznia të ngjitet sa më shpejt në Superligë sepse nuk është e pamundur. Tirana e provoi këtë gjë dhe u rikthye, shpresoj që këtë gjë ta bëjë edhe skuadra jonë e zemrës.

-Vitin e ardhshëm do të festohet 100 vjetori i Vllaznisë. Jeni i kënaqur që edhe ju keni shkruar emrin në historinë e kësaj skuadre?

-Vllaznia është djepi i futbollit dhe ne që kemi patur fatin të luajmë për të, them se jemi të privilegjuar. Aq më tepër, duke qenë më pas edhe pjesë e ekipit kombëtar.

Mjafton një moment për të kujtuar se kush ka luajtur me këtë fanellë dhe ndjehesh vërtetë i lumtur që ke ndjekur rrugën e tyre. Duke filluar nga Muhamet Dibra, për të vazhduar me Sabah Bizin që përmendin tim është futbollisti më i mirë i tana kohënave.

Apo dhe më pas me Din Zhegën, Paçramin, Borshi, Vukatana, Luçi, Zmijani, Jera dhe më pas brezi jonë i fundit, duke mos e harru edhe Lulëzim Bërshenin që ndonëse luajti pak, për mua ka për të mbet i paharrueshëm gjithmonë për talentin e tij.

Intervistot: Gjergj KOLA

wwwshkodrasport.com