Emisioni “Stop” u ndal në fushën e Butacit në Ndroq për një konflikt pronësie. Nada Turku tregoi se pronarët kufitarë i kanë hapur dy rrugë në tokën që e ka me certifikatë pronësie.

“Kam një tokë bujqësore në fushën Butac, 3 dynym e 300 metra dhe kam patur gjithmonë probleme me pronarët që kufizohen me tokën time. Kam kërkuar ndihmë gjithandej! Kam

bërë gjyqe dhe kam dalë me dokumente të rregullta, si certifikata e tokës dhe vendimi i prokurorisë. Dhe kur vjen puna, ne nuk kemi mbaruar punë dhe kemi patur probleme me kufitarët”, u shpreh denoncuesja.

 

Ajo shtoi se pavarësisht denoncimeve të njëpasnjëshme, fqinjët i ndalojnë të punojnë në tokën e tyre dhe vijojnë të konfliktohen me meshkujt e familjes Turku.

“Kanë bërë dy rrugë në tokën time për të dalë në rrugën kryesore, ndërkohë që ka rrugë dhe në shtëpinë e tyre dhe mund të dalin kollaj. Më pengojnë punën se nuk mund ta punoj tokën parcela-parcela siç duan këta, por dua ta punoj siç e kam punuar dikur. Ç’kuptim ka toka ime

me rrugë të futura midis? Unë dua që këto rrugë të hiqen sepse janë bërë padrejtësisht!”, u

ankua zonja Nada.

 

Gazetarja e emisionit “Stop” njoftoi Policinë e Shtetit, e cila pas 10 minutash shkoi në fushën e Butacit dhe komunikoi me të dyja palët.