Aktorja Rita Gjeka flet për mungesën e dialogut të kryeministrit dhe ministres së Kulturës me komunitetin e artistëve si dhe nënvlerësimin që po u bëhet atyre. 75 deputetët që nuk ndien dhembje për trashëgiminë kulturore të vendit ajo i konsideron si “të shkretë”

Dikur kryeministri ka qenë miku i saj, por sot sjellja e tij veçanërisht karshi artistëve i bën shumë përshtypje. Aktorja dhe njëkohësisht drejtoresha e teatrit të Shkodrës, Rita Gjeka shprehet se sidomos një artist duhet të jetë më i hapur për biseda, sepse asgjë e mirë nuk vjen nga prepotenca.

Duke shprehur keqardhjen e saj për lojën që po luhet me fatin e Teatrit Kombëtar, ajo thekson se “Ai i ka hip atij kali dhe pa i vrarë kalin, nuk ulet”. Gjeka në këtë intervistë për “Shekullin”, refuzimin e ministres së Kulturës për tu takuar me artistët e lidh me frikën që ajo mund të ketë, pasi kjo që po bëhet me teatrin është diçka shumë e shëmtuar.

Lidhur me 75 deputetët që bën të mundur miratimin e projektligjit aktorja i konsideron si të shkretë, sepse në atë farsë që bën në Parlament me fjalët dhe votat e tyre, ishin thjesht disa aktorë që luajtën rolin. Lidhur me shpalljen e Teatrit Kombëtar si godinë që paraqet rrezikshmëri të lartë Gjeka shpreh dyshimet e saj për planet që po thuren sepse në atë skenë gjatë shtatorit janë planifikuar të vihen shfaqje në kuadër të Festivalit të Dramës.

Aktorja flet gjithashtu për druajtjen e disa artistëve për të thënë publikisht mendimin e tyre të lirë, sipas saj diçka e tillë vjen sepse ata rrezikojnë rolin, punën madje edhe bukën e gojës. Gjeka shprehet se të gjitha këto që po ndodhin paralajmërojnë instalimin e një diktature. Sipas aktores, populli shqiptar është mësuar t’u nënshtrohet vuajtjeve por tani ka ardhur koha që t’i themi Boll gjithë kësaj situate.

Sipas jush pse ministrja e Kulturës ka refuzuar disa herë të takojë artistët (gjatë këtyre 5 muajve)?

Unë mendoj se ajo duhet të ketë frikë. Sipas përshtypjes që kam për të si një intelektuale të cilën e vlerësoj, për diçka kaq të shëmtuar që po bëhet asaj duhet t’i vijë rëndë të takohet me artistët. Aq më shumë që është një person që unë e di dhe mund ta faktoj se në vitin 1991, ishte shumë dashamirëse ndaj teatrit. Konkretisht, te qenit ministre Kulture nuk e ka bërë më dashamirëse.

Si e komentoni dialogun e munguar të kryeministrit me komunitetin e artistëve?

Më bën shumë përshtypje, veçanërisht sepse një veprim i tillë vjen prej një artisti. Artisti duhet të jetë më tolerant dhe më i hapur për biseda. Unë mendoj që asgjë e mirë nuk del nga prepotenca. Nga dialogu mund të burojë gjithçka, ashtu siç buron edhe vetë arti.

Arti i teatrit në vetvete është dialog. Çfarëdolloj dialogu qoftë mbart gjithmonë vlera. Nuk ua ka dhënë artistëve këtë mundësi dhe nuk më vjen mirë që një miku im i dikurshëm ka arritur në këtë pikë.

Keni luajtur edhe vetë në skenën e Teatrit Kombëtar, ç’ndjesi ju ngjall ajo skenë?

Ka qenë diku nga mesi i majit që kam luajtur në atë skenë me “Gomari i Babatasit” dhe kemi qenë 60 vetë në skenë, si dhe 600 vete në sallë. Kujtoj se përveç biletave të shitura kishte edhe njerëz që qëndronin në këmbë. Pra kemi qenë rreth 800 vetë brenda dhe nuk ndodhi asgjë.

Sigurisht që nuk është komfort si teatër, ka domosdoshmëri rikonstruksioni. Dua të theksoj se me fjalën rikonstruksion nuk duhet abuzuar si në rastin e teatrit të Shkodrës, pasi ai mund të quhet vetëm një riparim i mirë i godinës. Në qoftë se do të rikonstruktohej Teatri Kombëtar, do të ishte një perlë, si dhe do të ruhej trashëgimia kulturore, do të ruhej magjia që ai teatër dhuron.

Unë po flas si aktore dhe spektatore, por njëkohësisht kam edhe kujtime të vjetra lidhur me atë institucion. Në vitin 1985 kemi regjistruar “ Shtëpia e Bernarda Albës” që është njëherazi edhe diploma ime. Në atë skenë më është dukur sikur kam arritur maksimumin si artiste edhe pse kam qenë shumë e re.

Cili është mendimi juaj për rezistencën e artistëve për të shmangur shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar?

Unë vetëm fizikisht nuk e kam të mundur të jem përnatë me ta. Megjithatë i ndjek vazhdimisht, jam absolutisht me ta. Jam e bindur për qëndrimin tim sepse ai vend është i shenjtë, është kisha dhe xhamia jonë. Unë gjithmonë skenën e quaj altar dhe, një altar historik edhe pse i prishur mund të jetë më i fortë se një bashkëkohor.

Si e gjykoni votën e 75 deputetëve po shembjes së godinës?

Lajmet më të lexuar në Shkoder
E kam ndjekur me shumë dhimbje atë që ndodhi. Kam qëndruar si asnjëherë 12 orë përpara televizorit dhe kam përjetuar një dhimbje të madhe. Ata të shkretë deputetë, ishin aktorë shumë të mirë të gjithë.

Aty bënë rolin e aktorit. Unë nuk mendoj se nuk ka një tiran apo një deputet, kahu politik s’ka rëndësi, që mos t’i dhëmbi ai teatër dhe trashëgimia kulturore. Për mua është e pamundur, është utopi që të jenë indiferentë ndaj kësaj!

Po për artistët që kanë firmosur pro shembjes ç’mendim keni?

I kam lexuar emrat e tyre dhe më kanë bërë shumë përshtypje, nuk e kuptoj çfarë i ka shtyrë në këtë pikë. Unë po bëj një krahasim, që ndoshta nuk është i denjë për një vepër kaq të madhe siç është TK. Kam një fustan të nënës time,të cilin ajo e ka veshur gjatë festës së maturës në kohë e saj. Nëna ime, që nuk jeton më prej dy vitesh, duhet të ishte diku tek 95 vjeçe sot.

Ajo e ka ruajtur atë fustan me shumë fanatizëm, aq sa unë e kam veshur gjatë maturës sime. Nuk ka qenë I ri, përkundrazi, megjithatë unë e kam riparuar, e kam sjellë në gjendje të mirë sepse pres të marrë diplomën vajza ime dhe të veshë atë fustan, pavarësisht se mund t’i blej më të bukurin e fustaneve! Jam duke folur për një fustan, imagjino sa dhëmb të flasësh për një teatër!

Diçka ndodhi me disa prej artistëve që po luftonin për të ndaluar shembjen e teatrit, diçka i bëri ata të tërhiqen. Pse ndodhi kjo sipas jush?

Ne artistët jemi shpirtra të veçantë dhe Zoti na ka bërë të ndryshëm nga njeri tjetri, ndoshta ne po të vepronim me mendje dhe jo me zemër në këto kushte që ofron ky vend pavarësisht dëshirës e talentit do të zgjidhnim të mos bëheshim aktorë.

Nuk mendoj se ndonjë artist mund të tërhiqet. Nuk besoj se ka artist që dëshiron të shikojë tek shkelet me këmbë shpirti 70 vjeçar i atij teatri. Nuk ka artist që të mos i dhembë një gjë e tillë!

Arkitektët më të mirë vendas, artistë si dhe intelektualë janë shprehur kundër shembjes së TK. Si e komentoni faktin që mendimi i tyre nuk merret në konsideratë?

Ne kemi aq pak vende ku është shkruar historia, ajo e vërteta. Ne ende se kemi mësuar se cila është historia e vërtetë e popullit tonë. Vihet sot në diskutim kampi i Tepelenës, ka gjëra të tmerrshme. Përse bëhet kjo? Sepse duan ta shembin.

Unë fatkeqësisht ndiej instalimin e një diktature. Ne jemi në një “diktaturë tallava”, siç e quaj unë me miqtë e mi. Pra këta janë diktatorë që edhe të lejojnë të thuash diçka, por vetëm kaq! Fatmirësisht nuk e kam jetën të lidhur me bukën e shtetit sepse po të ishte kështu …

Njeriun edhe buka e pengon një fije se kur ke fëmijë për të rritur detyrohesh në një farë mënyre të nënshtrohesh. Ne si popull jemi mësuar t’i nënshtrohemi të keqes, por ka ardhur koha t’i themi boll kësaj situate.

Duhet të merret në konsideratë mendimi i artistëve për atë që do të jetë teatri i ri kombëtar?

Është bërë “rikonstruksioni” i teatrit Migjeni dhe nuk është pyetur askush. Të gjitha defektet që hasim sot, vijnë prej faktit se ne që punojmë aty nuk jemi pyetur. Jemi ne që i njohim ambientet nga afër.

Për shembull në prizat dhe spinat që duhet të vendosim hasim defekte sepse ato nuk mbajnë, nuk janë të përshtatshme për teatër. Të gjitha këto ndodhin se ne nuk pyetemi! Ne për një skenografi 500 lekëshe jemi të detyruar të bëjmë një tender, jo më për një teatër!

Kur thonë se Teatri Kombëtar është një gërmadhë që nuk duhet shkelur më, mua më fyejnë inteligjencën. Unë vetëm nëse hyj në hollin e atij teatri më rrëqethet trupi. Aty brenda është fryma e atyre që nuk janë më, si mundet që mos ta kuptojnë këtë? Si nuk i kanë edhe ata këto ndjesi si unë, si qytetarët e tjerë?

Edhe nëse teatri do të ishte për tu shembur, pse nuk e bëjnë idem? Kemi ruajtur, kisha dhe xhamia, kanë qenë shkatërruar nga Enver Hoxha dhe i kemi bërë identike si kanë qenë. Kemi ruajtur gurët, për t’i rikonstruktuar dhe vendosur atje ku kanë qenë e jo më një teatër.

Janë të shumtë artistët që në ditët e sotme ndihen të zhvlerësuar…

Sot është sikur nuk ekzistojmë fare. Nuk pyet askush nëse je artist, apo intelektual. Ka 27 vjet që askush nuk e merr në konsideratë komunitetin e artistëve, askush s’pyet për ta. Ka nga ata njerëz që kur flasin për artistët i futen edhe diskutimeve banale si ato për qoftet. “Jo po artistët pinë raki e hanë qofte”.

Po si nuk kanë turp xhanëm? Dhe nga kush vinë këto diskutime të ulëta? Nga nëpunësit e shtetit. Nga ata që i ngarkojnë që të flasin kështu, që nuk kanë hapësirë për artin në shpirtin e tyre…

Ndiej instalimin e një diktature! Ne si popull jemi mësuar t’i nënshtrohemi të keqes, por ka ardhur koha t’i themi boll kësaj situate.