Nga Enkel Demi

Shqiptarët krenohen kudo që e kanë besën ndoshta institucionin e vetëm që e kanë trashëguar prej të parëve, së bashku me gjakun që u rreh në deje. Shprehje të tilla të ngjethëse: “Burri, kur jep fjalën, therr djalën” apo “Shqiptari kryet e pren dhe besën s’e then”, kanë bërë që të krenohemi gjithkund me këtë vlerë kombëtare të patjetërsueshme.

 

Sa vajza i quajmë Besa, Besjana? Apo sa djem Besnik, Besmir? Ismail Kadare i mrekulluar nga kjo gjë, një pjesë të mirë të veprës së tij letrare dhe eseistike ia kushtoi besës. “Kush e solli Doruntinën”, “Autobiografia e popullit tim në vargje”, “Eskili, ky humbës i madh” e pothuaj kudo flet vetëm për besën.

 

Besa shpesh mban gjallë marrëdhënie njerëzore dhe jo vetëm, sot e kësaj dite. Bëhen sipërmarrje të koklavitura financiare pa kurrfarë letre, por veç me një fjalë të dhënë. Madje, korrupsioni galopant në këtë vend ka veç një institucion; besën. Një ministër ia bën nderin dikujt dhe i thotë që pjesën e tij le ta mbajë me emrin e përfituesit.

 

A e shihni sa të besës janë ministrat tanë!

Ditmir Bushati i ka dhënë besën Nikos Kotzias dhe po i shet gjithë atë det. Edi Rama i ka dhënë besën një kompanie e po shemb teatrin. Doktori i dha besën Lulit dhe dogji Jozefinën. E kështu me radhë mund të mbushim faqe të ndritura të besës së shqiptarit.

 

Por, një pyetje të mbetet në fund si hala peshkut në fyt: Po shalqinin pse e blejmë me provë xhanëm?

tiranapost.al