Nga Kastriot Dervishi

Raportet e mbledhjeve të Byrosë Politike, plenumeve, kongreseve, etj, që janë botuar gjatë diktaturës kanë kaluar në një censurë të thellë. Shumë prej tyre kanë mungesa të mëdha, shpesh herë aq të rënda, sa kanë transformuar tërësisht kuptimin e ngjarjeve.

Nëpër dokumente të ndryshme, arrihet të dallohet se kryecensorja e tyre ka qenë shefja e propagandës, Nexhmije Hoxha. Sjellim një praktikë të viteve 1970-1971 në lidhje me dokumentet e plenumit të 10-të të prillit 1954. Është vendosur të mos botohen sepse për çështje ekonomike dhe marrëdhënien me Bashkimin Sovjetik ishin të papëlqyeshme. Ja si rrjedhin shënimet me copa letra në dosje.

Stela Karapataqi (arkiviste), 10.12.1970

“Në shënimin me sigël, shoqja Nexhmije ka vënë shënim që ky vendim të mos botohet”.

Sevo Tarifa (sekretar i diktatorit), 12.12.1970

“E lexova këtë raport dhe nuk jam i mendimit që të botohet. Me duket sot për sot ai është dhe mbetet një material i brendshëm partie. Boshtin kryesor të raportit e përbëjnë “një sërë gabimesh shumë serioze”.

Vlash Çepiku (shef i Arkivit të PPSH-së), 21.4.1971:

“Fletët …, ku flet shoku Enver, në plenumin e 10-të, datë 16-18.4.1954, mendoj të mos u jepen shokëve të Institutit për studim, sepse nuk janë për botim, sipas mendimit tim. Mendoj t’i shohë shoqja Nexhmije në rast se mendohet të botohen”.

Vlash Çepiku, 24.4.1971:

“Shoku Sevo. Shoqja Nexhmije më tha që ta shihni ju”.

Sevo Tarifa, 27.4.1971

“Në këtë s’ka për botim. Mora për botim vetëm konkluzionet e sh.Enver që janë në procesverbalin përkatës”.

55news.al