E kemi përsëritur tashmë shpesh që kërkimet dhe hulumtimet arkivore janë befasuese në fushën e shkencës albanologjike.

Po e përsërisim këtë pohim edhe sot, sepse rezultatet e këtyre hulumtimeve arkivore dhe bibliotekare janë befasuese jo vetëm për lexuesit, por edhe për vetë ne që punojmë drejtpërdrejt në këto strofka burimologjike e po përballemi me faktin që rezultatet e botuara më parë po përmbysen nga rezultate më të reja. Statutet e qyteteve dhe katedraleve shqiptare janë një dëshmi që vërteton edhe një herë ekzistencën e qyteteve-komuna shqiptare, botës qytetare, në kompleksin mesdhetar, zhvillimin e tyre dhe ngjashmëritë me qytet-komunat e tjera të Evropës, si dhe zhvillimin e të drejtës kanonike (kishtare), e cila ishte mjaft specifike ngaqë në vetvete ruante rregullat zyrtare të kishës, duke i përshtatur ato sipas të drejtës dhe traditës vendase shqiptare.

Teksti i “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis” është përgatitur, zyrtarizuar dhe edituar në Manastirin e Shën Theodori de Elohiero të Urdhrit të Shën Benediktit, në dioqezën e Durrësit, në praninë e at Nikollë Lalemit, abatit të manastirit në fjalë dhe në prani të zotit Gjergj Topia dhe të burrave të nderuar, zotit Pjetër, rektorit të Shën Demetrii de Plumsis dhe të zotit Gjin, rektorit të Shën Venere de Managastis të po asaj dioqeze në prani të dëshmitarëve dhe të të ftuarve të tjerë edhe të rogatve gjatë vitit të Zotit 1464, në indiktin XII, me datë 21 të nëntorit.

Dorëshkrimi, që në origjinal ruhet në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës, është shkruar nga kanoniku dhe noteri i Tivarit, Simon Dromasys, më 12 janar 1468. Ai bën përshkrimin e variantit të zyrtarizuar të vitit 1464, nga libri i noterit e kanonikut të Durrësit, Gjon Mauros, që ndërkohë kishte vdekur, i cili njëkohësisht kishte qenë sekretar i kryeipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëlli.
Image Variantin e “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis” nga viti 1464 e kishin punuar kanonikët e Drishtit, njerëz të ditur, të shkolluar, që njihnin rrethanat, situatën dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me katedralen dhe me zakonet e Drishtit në të kaluarën dhe në kohën kur ata jetonin, variant ky i përgatitur që para vitit 1456. Këto statute i kanë miratuar dhe firmosur: Nikollë Kalanci, Andre Prekasi, Nikollë Beli, Nikollë Cezani, Pal Kelanti, Nikollë Pisciragu, Nikollë Ungari, Gjergj Gjonoma, Pjetër Suma, Pjetër Sakati, Gjergj Golemi, Andre Xaoni, Anton Kazeli, Frang Merti, Dedë Prekali, Martin Mazioti, Novak Prekali.

Për zakonet e lashta e të lavdishme të katedrales së Drishtit dhe të vetë qytetit-komunë, të cilin si seli ipeshkvnore e hasim në burimet e shkruara dokumentore që nga 16 maj 743 (shek. VIII), flet vetë teksti në mënyrë eksplicite: “Laudabilem consuetudinem antiquorum nostrorum immitantesi” (kap. II); pastaj: “antiquissimam constuetudinem imminantes” (kap. XXXIX) dhe “antiquissima et observata consuetudine” (kap. XLIV), si dhe “secundum morem et consuetudinem antiquorum” (kap. XLVI). Pra, përveç përvojës, njohurive dhe njohjes së situatës së përgjithshme, kanonikët nga Drishti i mbanin si shembull edhe këto statute të lashta “a maioribus nostris quasdam constitutiones traditas”, [f.2v], që në formë të shkruar datonin të paktën nga viti 1397.

Sipas M.Shufajt, teksti origjinal i “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis”, nga Shqipëria fillimisht duhet të janë bartur në Tivar dhe nga aty, para vitit 1571 për në Itali. Megjithatë, ne mbështesim qëndrimin e M.Ahmetit, se një pohim i tillë nuk ka mbështetje në burime të sigurta dhe dokumentare dhe se rruga e dorëshkrimit të Statuteve të Katedrales së Drishtit për në Itali ka mundësi të ketë ndjekur fatin e familjes Engjëllore. Do ishte krejt normale që një kopje e këtij Statuti të gjendej në Archivio Segreto Vaticana, ose Archivio di Stato Venezia, por kërkimet shkencore në këto dy arkiva nuk dhanë rezultate. Po ashtu, as në Firence e Dubrovnik, ku ruhen dorëshkrime të ndryshme të Engjëllorëve, nuk u gjet ndonjë gjurmë e këtij Statuti, i cili është drejtpërdrejt i lidhur me familjen fisnike të Engjëllorëve. Pra, mbetet për të ardhmen që të sqarohet lëvizja e dorëshkrimit të “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis”, deri në kohën kur për herë të parë, zyrtarisht, përmendet në vitin 1833. Deri para pak kohësh është menduar se dorëshkrimi i Statutit të Katedrales së Drishtit për herë të parë përmendet në katalogun 438 të antikuarit gjerman, Karl Wilhelm Hiersemann nga Lajpcigu, në qershorin e vitit 1915, fasc. 43, nën numrin 250, zë ky i përshkruar në mënyrë shumë sipërfaqësore në këtë katalog, por me titull të plotë: “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis”. Meqenëse dorëshkrimi nuk u shit, Hiersemann i përsërit shënimet e vitit 1915 në katologun 477 për vitin 1920, fasc. 7, nën numrin 33, duke mos shtuar asgjë më shumë. Me fjalë të tjera, dorëshkrimi ishte sjellë nga ndërmjetësi Thomas Thorpe në vitin 1833, dhe vinte nga një prej atyre koleksioneve, emrin e të cilin për momentin nuk jemi në gjendje ta themi me saktësi. Një gjë është e sigurt, se dorëshkrimi nuk vinte nga koleksioni i Lord Guilford-it, sepse dorëshkrimet që ishin nga koleksioni i tij janë shënuar me “G” në katalog. Për vendndodhjen dhe përmbajtjen e dorëshkrimit, M.Shuflaj njoftohet në vitin 1916. Ai provon ta sigurojë me anë të blerjes, por nuk e arrin një gjë të tillë, përkundër insistimit të tij të përsëritur. Në vitin 1920, ai njoftohet se një blerës anonim e kishte blerë dorëshkrimin nga antikuari gjerman. Duke shfrytëzuar miqësinë që kishte me albanologun tjetër sllav, Henrik Bariq, në vitin 1924, Shuflaj arrin të sigurojë emrin e blerësit, anglezit Sir Thomas Phillipps, i cili ishte një koleksionist i famshëm dorëshkrimesh dhe librash të rrallë antikuarë.

Koleksioni i tij ishte kolosal prej më se 60 mijë dorëshkrimesh dhe 40 mijë librash të rrallë-antikuarë. Së bashku me kolegët e tij, Viktor Novakun dhe Henrik Bariqin, M.Shufalj shfrytëzoi njohjen me albanologun danez, Holger Pedersenin, që ky i fundit të ndërmjetësonte te Sir Thomas Phillipps për të siguruar një kopje të fotografuar të tërë dorëshkrimit. Holger Pedersen u del në ndihmë, duke siguruar një kopje jo të plotë të dorëshkrimit, pasi dorëshkrimi i “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis” ndodhej tashmë në fondet e Bibliotekës

Mbretërore të Kopenhagës e jo të Sir Th. Phillipps. Kopja e dorëshkrimit arrin në dorë të M. Shuflajt në gjysmën e dytë të vitit 1925. Së bashku me V. Novakun, Shuflaj i hyri menjëherë punës për përgatitjen për botim të dorëshkrimit, me gjithë mangësitë që kishte fotokopja.

Rezultatet e punës së tyre u botuan në “Biblioteka Arhiva za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju,” në Beograd, në vitin 1927, e jo në “Arhiv za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju,” siç pretendojnë disa që shkruajnë për Statutin… Në vitin 1971, botohet në formë të shkurtuar dhe me ndërhyrje të shumta në gjuhën shqipe në “Gjurmime Albanologjike”, seria e shkencave historike të Prishtinës.

Meqenëse së shpejti “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis” do të botohet së bashku me faksimilet e origjinalit, ne po e përshkruajmë atë sipas përshkrimeve më të kompletuara, të bëra deri më tani nga M.Ahmeti, dhe duke e plotësuar në ndonjë vend atë pasi kemi në duar një kopje të skanuar të këtij dorëshkrimi, të cilin e kemi marrë nga autori i zbulimit. Nuk jam e para e as e vetmja që dr.M.Ahmeti me mirësi ma vuri në dispozicion një dorëshkrim me vlera të rralla. Përveç meje, kopjen e origjinalit nga dr.M.Ahmeti e kanë marrë edhe E.Lala, W.Kamsi, G.Tafa dhe Sh.Sinani /dy faqe/ dhe tekstin e transkriptuar, i cili u shkrua më 2005. “Dr. Musa Ahmeti pati mirësinë të më dhuronte për të ilustruar këtë dorëshkrim, një prej fletëve me kaliografi më të qartë, me nistore të zbukuruara, që mund të trajtohet edhe si miniaturë me iluminim. Zbulimi i këtij kodiku herët a vonë do të shërbejë si shkas për një reflektim të përgjithshëm për historinë e së drejtës tradicionale në Shqipëri dhe sidomos për historinë e raporteve të së drejtës urbane me atë agrare”.

Dorëshkrimi është në pergamen të butë e fin. Kopertina është pak më e trashë se faqet e tjera. I tërë dorëshkrimi është i shkruar me ngjyrë kafe nga një dorë e vetme. Ka dy lloj paginimesh: njërin lart në të djathtë, që fillon nga nr.1r dhe vazhdon deri në nr.18v dhe paginimi i dytë, poshtë në të djathtë, që fillon nga nr.9r dhe përfundon në nr.26v. Në f.1r (olim 9r) brenda inicialit “P” të iluminuar në flori, me dekorime shumë të bukura përreth, është një portret i kryeipeshkvit Pal Engjëlli me shkopin baritor në dorë, me mitër në kokë, i veshur me rroba të kryeipeshkvit. Në të gjitha faqet e dorëshkrimit ka iniciale të dekoruara. I tërë dorëshkrimi ka 66 iniciale.

Zakonisht në iniciale janë përdorur tri ngjyra: e kuqja, kafeja dhe bluja e mbyllur. Në f.4r-v; 5r-v; 6v; 7v; 8r-v; 9v; ka shënime në margina, menjëherë në vazhdim të tekstit me ngjyrë të kuqe. Në faqen e fundit të dorëshkrimit është një gjenealogji e familjes së Engjëllorëve, e cila lexohet me vështirësi ngase është shumë e zverdhur. Dorëshkrimi ka gjithsej 922 reshta. 32 faqe kanë nga 27 rreshta, dy faqe nga 26 reshta [f.14v dhe 17v] dhe një faqe 6 reshta [f.18r], me 53 kapituj dhe dimensione: 17.5 x 25.7 cm.