Vllaznia në “stand-by”. Edhe pse ka kaluar një muaj nga rënia tragjike e skuadrës mmë të vjetër shqiptare nga kategoria.

Në klub, përveç largimit të administratorit, mungojnë lëvizjet konkrete në të gjitha drejtimet.

Këtë të martë në Bashki do të zhvillohet mbledhja e Asamblese se Pergjithshme, e cila në parim duhej të vendoste pikat mbi “i” për gjithçka ndodhi, por edhe të përcaktonte piketat për drejtimin e ri të klubit, nga sezoni ku synohet rikthimi i menjëhershëm në elitë, e deri te çështja më e rëndësishme që lidhet me privatizimin e Vllaznisë.

Megjithatë, në rendin e ditës, në pjesën që lidhet me klubin kuqeblu, ekziston vetëm një pikë: ajo që lidhet me miratimin e pasqyrave financiare të klubit.

Për çështjet më emergjente dhe për të ardhmen e klubit, asgjë. Duke qenë se Vllaznia është një temë e ndjeshme në Shkodër, diskutimet duken të pashmangshme, megjithatë vështirë se ka elementë që mund të miratohen.

Rasti më konkret është çështja e privatizimit, e cila pritet të jetë një prej temave që mund të diskutohet, pas përcaktimit të çmimit të klubit ku ankandi fillon nga 500 milionë lekë, megjithatë vendimi përfundimtar rrezikon të zgjasë edhe disa muaj.

shkodrasport.com