“Nuk kam asnjë lidhje dhe dijeni për paratë, kam kryer thjesht transportin. Ishim kontraktuar nga biznesmenë kundrejt pagesës për të bërë transportin”, mësohet të jetë shprehur shkurtimisht Edi Lika.

Administrator I firmës ku ishin fshehur paratë e sekuestruara në portin e Durrësit. Ndërsa ende mbetet mister se cili ka qenë biznesmeni nga Kosova që ka porositur 9 makinat, 7 prej të cilave “Toyota Yaris”.

Përveç administratorit, Policia ka shoqëruar dhe dy shoferët e trajlerit, Klevis Lika, 19 vjeç, i cili është dhe djali i pronarit të firmës dhe Agim Ceka, 61 vjeç.

Ata kanë deklaruar në Polici se nuk kanë lidhje me shumën e eurove pasi kanë kryer thjesht transportin e makinave, siç edhe kanë bërë në shumë raste të tjera. 19-vjeçari Lika rezulton se ka kryer një itinerar të tillë të paktën 4 herë nga periudha shkurt-qershor, për të transportuar makina nga Italia për në Shqipëri.

Kurse 61-vjeçari, nga verifikimi në sistemin TIMS, rezulton se ka kryer një proces të tillë dy herë. Policia po vijon hetimet për të zbuluar biznesmenin. Ndërkohë që makinat dhe shuma e eurove janë sekuestruar nga Prokuroria për llogari të hetimeve.

Për të shkuar tek emri i biznesmenit, Policia po kryen verifikimin e dokumentacionit të makinave për të parë se cili është personi apo firma, për llogari të të cilit është kryer blerja e automjeteve nga vendi ku janë nisur për t’u dërguar për qëllime tregtie në vendin tonë.