Në prag të Ditës Botërore të Refugjatit, Papa Francesku dhe Selia e Shenjtë në Vatikan ka nderuar emigrantin shqiptar Petrit Kozeli me titullin ‘Komendator i Urdhrit të Shën Silvestrit të Papës’

“Një palë këpucë në shenjë paqeje për një rrugëtim të përbashkët”. Ky është frymëzimi i punës së përditshme të emigrantit shqiptar Petrit Kozeli në punishten e tij të thjeshtë prej këpucari në qytetin e Mantovas. Prej vitit 1991 ai jeton në këtë qytet së bashku me familjen e tij, raporton “Ora News”.

Dikur me profesionin fotograf në Tiranë, sot Petriti është një këpucar profesionist, zanat të cilin e ushtron me shumë dinjitet e fantazi, përcjell albinfo.ch.

Shqiptari Petrit Kozeli si shembulli më i mirë i një qytetari të ri italian, një emigrant i integruar në jetën social-ekonomike dhe me një kontribut të vlefshëm në të, është vlerësuar më vitin 2014 nga presidenti Italian Giorgio Napolitano me titullin Kavalier i Republikës Italiane.

Një palë këpucë me ngjyrat e flamurit kombëtar italian me dedikimin “T’i veshim së bashku këto këpucë për një Itali më të mirë e më të begatë!” ishte dhurata që ai i bëri Presidentit të Republikës Italiane.

“Nëse doni të dini se ç’është nënshtetësia italiane shkoni në punishten e Petrit Kozelit,”-ka thënë për të Kryetari i Bashkisë së Mantovës.

Këpucët e punuara nga ai janë simboli i rrugëtimit të përbashkët mes banorëve vendas dhe emigrantëve e qytetarëve të rinj italianë.

Po një palë këpucë me flamurin shqiptar e shqiponjën dykrerëshe u punuan nga Petriti enkas për Papa Franceskun.

Sot 4 vite më vonë nga ky vlerësim këpucëtari shqiptar ka marrë një tjetër titull të rëndësishëm. Me një dekretim special Selia e Shenjtë në Vatikan e Papa Francesku e ka vlerësuar me titullin Komendator i Urdhrit të Shën Silvestrit të Papës.

Është hera e parë në historinë e provincës së Mantovas që një qytetar i saj nderohet me një titull të tillë nga Vatikani dhe nga vetë Ati i Shenjtë dhe mbi të gjitha këtë vlerësim e merr një emigrant shqiptar.

Kozeli u prit në Ambasadën shqiptare në Romë nga ambasadorja Anila Bitri, e cila e vlerësoi si shembullin më të mirë të një shqiptari emigrant në Itali duke e përgëzuar për vlerësim e larta si nga shteti italian ashtu dhe nga Vatikani.