Tiranë shkurt 1946. Kjo foto e rrallë dëshmon momentin kur po i çojnë në gjyq Pader Anton Harapin, Zef Nasin dhe Maliq Bushatin. Populli është mbledhur në shesh. Ndërsa të arrestuarit po i zbresin nga kamioni.

At Anton Harapi ishte arrestuar me 5 qershor 1945 nga forcat e ndjekjes. Dosja gjyqësore me numër 1086, zbulon se trupi gjykues ishte i përbërë nga Kryetari major Irakli Bozo, antarë majorët Tonin Jakova dhe Gjon Banushi, sekretar aspirant Thoma Rino dhe Zalo Xhomaqi, e prokuror major Misto Treska. Sipas këtij dokumentacioni me datën 1 Janar 1946 marrin në pyetje At Anton Harapin.

Prokurori kërkon dënimin e At Antonit me vdekje. Ky dënim ju dha Lef Nosit dhe Maliq Bushatit, Antarë Rregjence. Me 14 Janar i dergohet per aprovim Gjykatës Ushtarake.

At Anton Harapi edhe perpara se të shkonte në Rregjencë ishte një personalitet Fetar, antar i Institutit Studimeve Shqiptare, drejtues i “Orës së Maleve”, “Hyllit të Dritës” dhe letrar i njohur. Një predikatar dhe konferencier i përsosur.

Dosjet, deponimet, kallximet në tortura, ballafaqimet apo mohimet e pakta nën dhunën mizore të Sigurimit komunist, janë dëshmi që kanë vlerë të madhe për të kuptuar karakterin e të pandehunit në hetuesi.

Në fjalën e tij të fundit At Anton Harapi ka thënë:

“Falnderoj Drejtësinë Popullit që po më jep fjalen e fundit në këte kohë të kritikshme per mue. Fjala jeme e fundit asht kjo: Nuk shembet Shqipnija pse gjykohet per dekë Padër Anton Harapi. Gjithashtu, nuk prishet Shqipnija nëse nuk gjykohet per dekë Padër Anton Harapi. Kur përpara 40 vjetëve, në Shkoder u perpiqshim me ba Shqipninë, shumë gjysha na thojshin se nuk duem Shqipni, por na nuk i kena vue këta n’ litar.

Nuk kerkoj z. Kryetar, nji tolerancë: unë, simbas mundit, kam derdhë djersë me ba Shqipninë. Franca e qytetnueme asht shembulla e Revolucioneve popullore, e gjykoi Petain dhe e fali, e këte nuk ja njoften per të keq, por ja njoften per mirë. Kujtoj se edhe Shqipnija kur gjykon Regjentat, besoj se sikur t’i falin këta, nuk ka me kenë ligësi per Shqipninë, por besoj se ka me kenë mirë. Unë qëkur se kam hy në gojen e ujkut, Hausdingut, etj., jam përpjekë me ba mirë e me pështue ndonji jetë prej egersinave.

Por mekenëse ishin bisha t’ egra, nuk kam mujtë me i zbutë, por prap, me mundin tem kam pështue mjaft. A ka pasë Shqiptarë të marrë si unë që, për me pështue njerëz, me shkue e me u futë vetë në gojen e ujkut?! Ka pasë që sakrifikohen moralisht. Këte e kam thanë edhe në ligjeraten teme. Mue më shtyni marrija me shkue e me u përpjekë per me lehtësue vuejtjet e disa familjeve dhe kam ba mjaft punë morale, sikurse e jueja që asht materjale. Gja tjetër nuk kam me thanë: Rrnoftë Shqipnija!”

Me 20 shkurt 1946 At Anton harapi u ekzekutua në periferi të Tiranës. Pas rënies së regjimit një prej ekzekutuesve, ndërsa ka kujtuar mëngjesin e ditës së ekzekutimit ka thëne se “frati i hidhte hapat me kujdes, tue ngritë herë – herë kindet e zhgunit, per mos me ju sterpikë nga baltat”.

“Mos kij dert, o Prift, i ksihte thënë njëri prej ekzekutuesve, – se tek balta do të përfundosh”.

“Atje tek shkoj, – ia kishte kthye Frati, – due të shkoj i panjollë, siç kam kenë tanë jeten!”