Kjo nuk është luftë për teatrin. Kush e quan të atillë ndihmon në përhapjen e mjegullës për të cilën kanë nevojë ujqërit. Le ta nisim duke e korrigjuar të gjithë mënyrën e të folurit. Kjo është luftë për territorin.

Për territorin publik ku rastis që kësaj radhe të ndodhet një teatër. Por për një territor të ngjashëm me ato ku dje ndodheshin lulishte, parqe, kinema, kopshte, oborre shkollash e çkamos, e të cilat janë plaçkitur e shqyer copa-copa nga privatë të vegjël e të mëdhenj, që i kanë “zhvilluar” ato në formë apartamentesh, dyqanesh, parkingjesh e zyrash fitimprurëse për ta, por duke na ngjeshur të gjthëve njërin mbi tjetrin si në ata trenat që udhëtonin për Aushvic.

Një operacion i gjatë e i pisët ky, për të majmur xhepat e atyre që për veten e tyre jetojnë në zona rezidenciale të rrethuar me mure e të ruajtur me roje e kamera, mes gjelbërimit, luksit dhe hapësirës, si byroistët e qëmotit në Bllok.

Pra, asnjë lidhje me Teatrin s’ka kjo luftë – përveçse incidentale. Pesha e saj është tepër e madhe për t’u lënë vetëm mbi shpatullat e një grushti aktorësh të trajtuar si “grup interesi”.

Trajtimi i saj si punë e aktorëve është legjitimim i përçarjes që ujqërit bëjnë për ta fragmentarizuar “kopenë” e presë në njësi të vogla, të “menaxhueshme”, të manipulueshme ose thjesht të neglizhueshme.
Për territorin publik, të gjithë jemi grup interesi, ndaj mjaft me këtë refrenin që atyre u leverdis “teatri”, “teatri”.

Përndryshe, shikoni si luajnë futboll të tjerët dhe merruni me motin ose aspektet spektakolare (e kësisoj, sipërfaqësore) të çdo mynxyre që ju bie mbi kokë njëlloj si shiu të cilit s’ke ç’t’i bësh, pos ta komentosh.

Nga Sokol Shameti