Nga koha e trazirave të përgjakshme të 20 viteve më parë, secili ka kujtimet e veta dhe optikën e tij për ngjarjet. Por ky që po botojmë sot është një rrëfim ndryshe, një rrëfim nga brenda kupolës së asaj kohe.

Prandaj dhe është interesant. Është rrëfimi i një ish anëtari të qeverisë, ish-deputetit të Partisë Demokratike dhe ish-ministrit të Bujqësisë dhe për një vit ministër pa portofol në qeverinë Meksi në vitet 1992-97.

Hasan Halili është i këndshëm në bisedë, me një humor tipik vlonjat, rrëfen lirshëm dhe fare thjesht për atë kohë dhe është i besueshëm në ato që thotë, pasi gjithçka përputhet me zhvillimet dramatike të ngjarjeve të asaj kohe.

Rënia e firmave piramidale, marrëdhëniet me Sali Berishën dhe një bisedë konfidenciale me ish-Kryeministrin Aleksandër Meksi dhe e vërteta e dorëheqjes së qeverisë së PD-së më 1 mars 1997.

Revoltat e qytetarëve vlonjate dhe vrasja e Artur Rustemit… Të gjitha këto në këtë pjesë të kujtimeve të Hasan Halilit, i cili ka çfarë të tregojë edhe nga periudha e diktaturës.

Nga ministër Bujqësie, ministër pa Portofol

Mua më besuan detyrën e ministrit pa portofol, pranë këshillit të ministrave dhe unë vajta, pranë Meksit kryeministër dhe anash zyrës së Tritan Shehut, ministër i jashtëm dhe zëvendëskryeministër.

Në të gjithë Shqipërinë, vlonte marrëzia e dorëzimit të parave të shqiptarëve nëpër firma, nën vëzhgimin e qeverisë dhe pa u ndalur nga askush.

Asnjë hap nuk bënte as guvernatori i bankës, që e ngarkonte ligji të merrej me lëvizjen e pareve në vend. Ne, që kishim një farë njohje nga ekonomia, e kuptonim që paraja nuk pjell para.

Mirëpo nëse dilje kundër kësaj rryme në atë kohë të konsideronin dashakeqës për ata që fitonin para pa punë. Në takimin elektoral në Fier, në prezencë të mbi 600 vetave, kam thënë: “Veprimi që bëni është privat, shteti garanton parat vetëm në bankë”.

Por edhe pas këtij paralajmërimi të gjithë vazhduan të çonin pare atje, veç vëllait tim, që më dëgjoi dhe nuk çoi më para atje pas muajit maj të vitit 1996.Nga zgjedhjet e 26 majit 1996, unë përsëri në zonën e Levanit, Frakullës dhe Dërmënasit të Fierit, dola deputet, i pa kontestuar nga asnjë forcë politike.

Duke qenë se u zgjat problemi i njohjes së mandateve nga që komisionarët e PS-së ikën nga komisionet e votimit, u deshën gati dy muaj derisa të përfundonte sqarimi.

Kështu që, qeveria e mandatit të dytë të PD-së u mandatua në mes të korrikut 1996. Mua më emëruan ministër pa portofol, ndërsa Bamir Topin e emëruan ministër bujqësie, deri në atë kohë drejtor i IKV (Instituti i Kërkimeve Veterinare).

Bamiri, me origjinë nga Tirana, u propozua për deputet me pëlqimin tonë si punonjës në vartësi të ministrisë, me kualifikim jashtë, njohës i gjuhëve të huaja.

Bisedën e parë për këtë punë e kam bërë me kryeministrin në muajin dhjetor 1995, duke i shtruar pyetjen: Ç’është VEFA? – Po hë, – më thotë, ç’është VEFA? I them ministri i bujqësisë i Shqipërisë, pyet

Kryeministrin: “Ç’është VEFA, një strukturë fantazmë, që merr pjesë në Këshillin e Atlantikut të Veriut, që po bën investime në shumë fusha, që udhëton me eskortë më të fortë se tuajën? Atëherë, kush jep shpjegime për të?

– Nuk e di, – më thotë, – nuk kam struktura ta kontrolloj.

I them: -Ngriji strukturat, formulo ligjin po nuk e patëm, që të futesh ta kontrollosh se ajo po bëhet shtet brenda shtetit. Mirëpo në vazhdim nuk u hodh asnjë hap.

Në vitin 1996 rreth muajit dhjetor, deputetja Albina Karamitro e parlamentit shqiptar, ngre në kuvend shqetësimin për firmat që grumbullonin para. Askush nuk e dëgjoi. Unë bëra një bisedë me të në zyrën time në kryeministri dhe po kuptonim që po na thurej një plan djallëzor për të mos e vazhduar qeverisjen, po nga kush nuk e kuptonim dot.

Veprimtaria e punës në krahasim me punën në Ministrinë e Bujqësisë ishte shumë e lehtë dhe ajo përballohej, sepse edhe vet Kryeministri, ishte natyrë tolerante dhe mjaft i komunikueshëm me këdo që punonte pa hile.

Hasan Halili, ish minister 1992- 1997Hasan Halili, ish minister 1992- 1997

Nisja e revoltave

Në gjithë Shqipërinë në fund të muajit dhjetor plasën revoltat, të cilat kish filluar në Lushnjë, në Tiranë, kur komunikoi Sudja falimentimin, vazhdoi në Berat. Më 24 dhjetor në ndërtesën e firmës Gjallica, nga më të mëdhatë në vend, në darkë ishin rreth 40 milion dollarë, në një dhomë më vete.

Në mëngjes, kur vajtën huadhënësit e gjetën të grabitur. Këtë ma ka pohuar kunati im, Qemal Mëhilli, i cili kishte djersën e fëmijëve të tij, që punonin në emigracion. Njoftimin ma bëri në telefon dhe unë e përcolla ku duhej, po nuk m’u dha asnjë përgjigje.

Filloi revolta në Vlorë. Një deklaratë dhënë radios “Zëri i Amerikës” se një skaf me para iku në drejtim të Italisë, revoltoi edhe ata që nuk kishin futur pare në firma. Shteti po çoroditej, ne vajtëm dy tre herë në Vlorë, me ata që bisedonim kuptoheshim, po kush bindte turmat e njerëzve të egërsuar ndaj qeverisë.

Megjithëse zgjedhjet për qeverisjen vendore u bënë me rregull në tetor, opozita nuk harronte 26 majin dhe keqpërdorimin e votës atëherë. Kështu që, duke shfrytëzuar revoltën popullore për paratë në firmat piramidale, ajo filloi të manipulohen politikisht revoltat.

Dua të shënoj këtu se, edhe shtypi i opozitës kishte që në muajin qershor, që njoftonte se sa e kishin % njëra firmë e sa e kishte tjetra, gjë që ishte ashiqare një nxitje, që bëhej për të futur para në këto firma.

Rreth datës 20 janar 1997, qeveria vendosi të ngrejë një grup për menaxhimin e firmave rentiere… Çuditërisht, kryetar të këtij ekipi, me ministra, prokuror, guvernator banke etj, më ngarkuan mua.

I them kryeministrit se më duket pa vend emërimi im, kur ka ministër finance, ministër ekonomie etj dhe është e paarsyeshme të emërohem unë në këtë post. Në këtë kohë, nuk mungoi edhe humori shkodran.

Një kolegu im i bujqësisë nga Shkodra të nesërmen e vendimit për të më caktuar mua në këtë post, vjen në Tiranë për të më takuar dhe më thotë: “A e di çfarë u tha dje në Shkodër kur u emërove ti në këtë pozicion?

– Jo! – i them. Më thotë: “shkodranët thanë, që Berisha na e dha përgjigjen, që nuk kini për të marrë asnjë lekë, se unë aty caktova ministrin, që nuk ka portofol për vete jo për ju”.

Tensioni ishte i jashtëzakonshëm, ligjërisht unë nuk mund të thërrisja guvernatorin e Bankës, nuk mund të thërrisja Prokurorin e Përgjithshëm, nuk mund të thërrisja ministrat kolegët e mi, se ishim të barabartë dhe unë nuk e kish tagrin e zëvendëskryeministrit, që të thërrisja ministrat. Megjithatë së bashku, bëmë një ligj për firmat, “Populli” e “Xhaferi”.

Ai rekomandonte që, duke zbritur çfarë kishe marrë nga shuma e dorëzuar do të kthehet pjesa tjetër sipas parave të sekuestruara deri tani. Me zbatimin e kësaj formule, plotësoheshin gati 70 % e depozitave tek këto të dy firma.

Po çuditërisht, kur e paraqitëm në parlament, kjo ishte korrigjuar se nga kush unë nuk e mësova. Ishte lënë një variant që, ato që ishin tërhequr nuk do të njiheshin dhe do të njihej i gjithë detyrimi. Kjo uli në gati 52 % masën e kthimit. Kjo i dha shtysë opozitës, sidomos në Vlorë, të forcoi demonstrimin.

Në një nga demonstratat në Vlorë vritet qytetari Artur Rustemi, vëllai i të cilit Lefteri, kishte banuar tek vëllai im në Vlorë (tek Arizi) gati 3 vjet dhe ai njihej fare mirë me ata, por edhe unë kisha njohje.

Menjëherë marr në telefon tim vëlla dhe e pyes për vrasjen, për të cilën u akuzua SHIKU (Shërbimi Informativë Kombëtar Shtetëror), gjë që nuk u provua.

Të nesërmet më sqaroi fare mirë im vëlla. Vrasja u përdor politikisht, po arsyeja dhe personi që e vrau dihen në Vlorë, po askush nuk e thotë se nuk do të ngatërrohet..

Berisha më urdhëroi të vija në Vlorë, të bëj takim me disa humbës parash, në prezencë të bashkëpunuesit të Gjallicës me mbiemrin Gërxhaliu ku do të kishte edhe regjistrim televiziv, të cilën Gërxhaliu e kishte pranuar.

I kërkova kryetarit të PD-së Vlorë, Adhurim Musarait, të më siguronte disa njerëz dhe një sallë për këtë qëllim. Më thotë nuk e marrë përsipër. Atëherë i them, thuaji Tritan Shehut në linjë partie, i cili ja tha.

Kërkova Halit Shamatën dhe i thashë që më duhet Gërxhaliu në Vlorë. Më thotë, nuk e di ku është se unë nuk e kam person në kërkim që të ta gjej. I kërkoj ministrit të drejtësisë, se ç’raporte ka Gërxhaliu e Shemsie Kadrinë, si bashkëpunëtore me të.

– Ouu, -më thotë ministri, ata janë ndarë që në muajin shtator të vitit 1996. Kështu që nuk ke punë me të. Njoftova Berishën, si edhe i thashë, pozicion im nuk ka tagër për të thirrur autoritetet, që duhet t’i japin zgjidhje problemit, prandaj, vër njeri tjetër në këtë pozicion. Ai ashtu bëri dhe unë u lirova nga një barrë e pa merituar.

Dorëheqja e Qeverisë Meksi

Në fund të janarit 1997, unë, së bashku me ministrin e industrisë Abdyl Xhaja, vemi tek kryeministri, Meksi dhe me shumë sinqeritet i kërkojmë që për të shpëtuar situatën, në jemi gati të japim dorëheqjen me vullnet, po vendi të mos përfshihet në anarki. Meksi na thotë: “po ra qeveria, pavarësisht se është e dobët do ta shikoni çdo të ndodh, prandaj edhe ju s’kini pse jepni dorëheqjen”.

Më 28 shkurt 1997, në orët e vona të natës u sulmua SHIKU në Vlorë, nga ku u vranë dy punonjës të tij dhe disa qytetarë. Për mua edhe Abdylin, ky ishte kulmi i padurimit për njerëz me sedër, shteti nuk ruan dot njerëzit më të rëndësishëm të tij e pse duhet të rrijë qeveria?!

Grupi parlamentar mendonte se ne nuk donim të iknim dhe na u sulën pas ngjarjeve në Vlorë me SHIK-un, sidomos Afrim Krasniqi, një djalë me origjinë nga Tropoja dhëndër në Vlorë, i cili kishte synime për vete të drejtonte vendin.

Në këto rrethana u ngrita dhe njoftova grupin se çfarë kishim bërë unë dhe Abdyl Xhaja, që në fillim të muajit janar, pas meje u ngritën edhe të tjerë ministra, që e kish bërë atë, po ne nuk kishim dijeni.

Në këto rrethana Aleksandër Meksi, si burrë me mend që ishte, e kuptoi që nuk mbante më “ujë pilafi ” dhe në orën 13.00 të datës 1 mars 1997, deklaroi dorëheqjen e qeverisë.

Mediokrit mendonin se me rrëzimin e qeverisë do të qetësohej gjendja, kur në të vërtet, gjendja u rëndua, ashtu si kishte thënë Meksi.

Që nga kjo datë televizionet më prestigjioze në botë: CNN, EURONEËS, gjithë televizionet italiane dhe greke e jepni Shqipërinë të ndarë nga Shkumbini e poshtë me ngjyrë tjetër dhe nga Shkumbini e lartë me ngjyrë tjetër. Pra orientohej ndarja e Shqipërisë.

Në një kohë, kur qeveria dha dorëheqjen, policia nuk kryente asnjë funksion, ushtria doli jashtë loje me sulmin mbi depot e saj, parlamenti, që ishte ligjvënës ishte i cunguar se opozita kishte që në qershor që nuk merrte pjesë. Pra, vendi totalisht në kolaps.

I vetmi institucion, që mund të pengonte ndarjen e Shqipërisë ishte institucioni i Presidentit, që kishte fuqi ligj-formuese dhe ekzekutive. Në këto rrethana zgjedhja e presidentit ishte e vetmja zgjidhje për të penguar ndarjen e Shqipërisë.

Në kushte e gjendjes së jashtëzakonshme u bë zgjedhja e Presidentit, që shumë njerëz, duke mos i ditur hollësitë u habitën pse e bëmë këtë punë ne! Po t’i keni ndjekur me vëmendje televizionet deri më 15 mars 1997, do të shikoni këtë situatë absurde të nxitur nga qarqet anti-shqiptare.

Kur më 15 mars 1997 në CNN, doli zëdhënësi e departamentit Amerikanë të shtetit, Bërns dhe deklaroi se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohin integritetin tokësor të Shqipërisë dhe institucionin e presidentit”. Më 16 mars të gjitha televizionet, përfshi edhe CNN e dhanë Shqipërinë si e kishin lënë në Londër me 28.000 km katrore, që desh humbën edhe këto në vitin 1997.

Me këto ngjarje u mbyll edhe periudha ime e qenies në postin e ministrit pa portofol, dhe nuk do të dëshiroja që të kalonte ndonjë tjetër nëpër këtë kalvar, në jetën e tij.

***

Në vitin 1997, tensionet ishin në kulmin e tyre dhe kjo më detyroi që të flas në kuvend, duke bërë një përmbledhje të situatës dhe duke u deklaruar shikuesve dhe dëgjuesve se nuk ka mendime të ndryshme ndërmjet deputetëve të Veriut e të Jugut, po mendimet janë të njëjta për shpëtimin e situatës.

Ishte koha kur televizionet prestigjioze e jepnin Shqipërinë të ndarë nga Shkumbini e lartë me një ngjyrë dhe nga Shkumbini e poshtë me ngjyrë tjetër. Diskutimi u mirëprit nga të gjithë dëgjuesit dhe shikuesit.

Disa ditë më vonë opozita na akuzonte për korrupsion. Mua, që kisha punuar në Mallakastër, në Levan, Dërmënas, Frakull, që më njihnin në shumicën e territorit të Fierit, që më njihnin në fshatin tim të lindjes, jo vetëm mua por edhe familjen time, një akuzë e tillë më rëndonte shumë.

Nisur nga kjo dhe nga një vendim i këshillit kombëtarë, që kuadrot kryesorë të deklarojnë pasurinë, veprim që e kishte bërë Sali Berisha dhe Bashkim Gazidedja edhe unë e ndjeva të nevojshme ta bëja këtë deklarim në muajin prill. Ky veprim nuk u pëlqye nga një pjesë e kolegëve dhe një ditë më ndalon në trotuar A. H., i shoqëruar nga një eskortë të rinjsh.

– Hasan më thotë, ç’t’u desh ty që e bëre këtë deklaratë, për ty nuk ka pasur akuza?,

– Jo! – i them, – akuza kam pasur nga gazeta “Zëri i popullit”. Përveç kësaj ndodhemi para një vendimi të këshillit kombëtare, veprim që e ka bërë presidenti dhe Gazidedja, pse të mos e bëja unë?

– Jo, thotë ka qenë e pa nevojshme!

I them: “Po ti pse nuk e bën deklarimin e pasurisë tënde, por merresh me pasurinë time”?

Më dha dorën u largua dhe nga ajo ditë nuk patëm rast të takoheshim më bashkë…

DITA