Rënia e Vllaznisë nga Superliga u mendua se do të shoqërohej nga një braktisje e saj por duket tjetër gjë.

Nga ajo ideja se do ishte e vështirë të gjendej një trajner për të, në fakt duket se ka nisur një garë se kush do ta marrë.

Interesant është fakti se ka edhe shumë ish- futbollistë dhe ish- trajnerë të saj që duan të rikthehen sërish në Shkodër.

Pas Rainerit e Shulzes që e kanë drejtuar më parë, edhe Klodian Duro ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer tek Vllaznia, tashmë si trajner.

Por së fundi, një tjetër futbollist që është shpallur kampion me skuadrën shkodrane në vitin 2001, ka shprehur hapur dëshirën e tij për t’u bërë trajner i kësaj skuadre.

Ai është shqiptaro- malazezi Asim Gjokoviç. Në një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport” ai ka bërë madje një premtim shumë interesant.

“Më ka ardhur jashtëzakonisht keq për rënien e Vllaznisë nga Superliga. Nuk e meriton kjo skuadër dhe ai qytet si Shkodra një gjë të tillë.

Megjithatë unë besoj se ajo mund të rikthehet shpejt në Superligë. Madje, do të kisha dëshirë që kjo gjë të më besohej mua nga drejtuesit e klubit.

Do ta bëja me shumë dëshirë dhe jam i bindur se në fund të sezonit Vllaznia do të ishte sërish në Superligë, madje e shkëputur me 20 pikë nga ekipet kundërshtare”- është shprehur ai.

Në pamje të parë kemi të bëjmë me një entuziasëm të shfrenuar të

Gjokoviç por kur ia përsërit nëse vërtetë mendon ashtu, ai madje, ka dëshirë të “vërë një bast” me drejtuesit, prandaj shton:

“Po, po, 20 pikë përpara e mbyllim kampionatin. Unë e di kush është Shkodra dhe çfarë lojtarësh ka.

Nëse nuk arrij ta mbyll kampionatin me këtë diferencë, unë nuk dua asnjë lekë të kontratës nga klubi.

Ky është basti im që mund të vë me to. Jam kaq i bindur sepse

Vllaznia ka shumë lojtarë të rinj të talentuar me të cilët duke punuar fort në stërvitje, mund të bëjmë gjëra të mëdha.

Unë do të bazohesha kryesisht tek të rinjtë dhe atyre do t’u bashkoja edhe 3-4 lojtarë me përvojë që t’i udhëheqin dhe ia dalim.

Madje, po ju them edhe diçka tjetër: Nëse drejtuesit e klubit i besojnë projektit tim, i garantoj se sezonin tjetër pastaj Vllaznia do të ishte pretendente për titullin kampion në Superligë.

Unë mund ta bëjë këtë gjë. Ashtu siç arrita të shpallem kampion me këtë ekip në vitin 2001 si lojtar, ashtu mund t’ia dal të shpallem edhe si trajner kampion me të”.

© shkodrasport.com