Kjo dhomë me një sipërfaqe prej vetëm 10 m2 është ajo çka quajnë “shtëpi” Besniku dhe Everesti. Ata jetojnë vetëm me të ëmën Majlinda Kërtalli në Durrës. Babai i dy djemve dhe njëkohësisht bashkëshorti i Majlindës, ka ndërruar jetë disa vite më parë. Humbja e kryefamiljarit ia ka bërë jetën akoma më të vështirë kësaj familje.

Besniku dhe Everesti janë rritur pothuaj të gjithë jetën e tyre pa baba. Me vështirësi të mëdha, e herë në pamundësi, Majlinda është munduar me mish e me shpirt t’i plotësojë të paktën nevojat bazike, që ata të mos e ndjejnë shumë mungesën e të atit. Megjithatë jo rrallë herë nuk ja ka dalë, sepse të ardhurat e tyre janë minimale, gati qesharake.

Jeta u tregua mizore me këtë familje, duke i marrë shpresën dhe mbështetjen e vetme, babain e dy djemve, dhe duke i lënë në mëshirë të fatit dhe me sy nga qielli, në një moment tepër të vështirë dhe të rënduar ekonomikisht.

Everesti dhe Besniku janë thjeshtë fëmijë. Ata janë vetëm 12 dhe 9 vjeç, dhe kërkojnë ta jetojnë jetën e tyre me lojëra dhe pa shqetësime. Dy djemtë ende nuk janë në gjendje ta kuptojnë situatën e tyre ekonomike, e cila e bën nënën e tyre të derdhë lot sa herë që ata shprehin dëshira.

Shtëpia e tyre është e mbushur me sende të falura. Por familjes Kërtalli ende i mungon një banjo, ata shtrihen për të fjetur në tokë, dhe jo rrallë herë nata i zë të pangrënë.

E vetmja fije shprese që kanë Majlinda dhe dy djemtë e saj, është ideja që thirrjet dhe lutjet e tyre për ndihmë do të bien në veshin e njerëzve me zemra të mira do t’i ndihmojnë./Opinion.al- Përgatiti: Elena Lika