Ky aks ka paralizuar edhe jetën e mijëra banorëve që jetojnë në këtë zonë, pasi prej vitesh është lënë në harresë.

Një udhëtim i lodhshëm rezulton edhe për të huajt. 63-vjeçari zviceran Giani Pietro, një pelegrin i nisur për në Jerusalem, që shmangu autostradën Lezhë-Shkodër për t’i rënë më shkurt në udhëtimin e tij me biçikletë, tregon se rruga përmes Torovicës i mori më shumë kohë.

”Unë quhem Giani Pietro, vij nga Zvicra, po kryej një pelegrinazh për në Jerusalem. Sot unë mora një rrugë që mendoja se do ishte pa trafik, por doli që ishte e tmerrshme, shumë e tmerrshme. Mua personalisht nuk më bën asgjë, pasi kam bërë deri më tani 1800 km nga Zvicra deri këtu dhe më mbesin akoma edhe 1800 km për të mbërritur deri në Jerusalem , dhe kur mendoja se po avancoja e kuptova se sot nuk mund të avancoj me këtë rrugë.

Kur të mbërrij, një lutje do jetë edhe për këtë rrugë. Shpresoj që Shqipëria të bëhet më mirë financiarisht dhe t’u mundësojë qytetarëve të vet ndërtimin e rrugëve që të mos u prishen gjithë makinat”.

Të gjendur të braktisur si nga pushteti vendor dhe ai qendror, banorët kanë nisur shesin shtëpitë dhe të braktisin fshatin që dikur furnizonte të gjithë Shqipërinë me shalqi. Të rinjtë duket se vuajnë më shumë këtë izolim të fshatit. Ata tregojnë se kanë firmosur disa herë peticione, por kërkesat e tyre duket se janë braktisur në ndonjë sirtar.

Banorët që kanë marrë premtime nga të gjitha partitë për këtë rrugë shprehin zhgënjim, ndërsa tregojnë se edhe protestat që kanë bërë, janë shoqëruar me kërcënime. Ndërkohë, Bashkia Lezhë bëri me dije se, projektin e rrugës së Torovicës, e ka prioritet të parë për financim, një financim të cilin qeveria shqiptare nuk e ka konfirmuar ende.

Rruga rreth 20 km e gjatë është bërë shpesh herë edhe burim aksidentesh. Vitin që shkoi një gur i shkëputur nga mali i mori jetën dy vëllezërve dhe nuses shtatzënë të njërit prej tyre.

Torovica me rreth 5 mijë banorë është fshati që kufizohet me rrugë të asfaltuara si në kahun e Lezhës ashtu edhe me të Shkodrës.