Pak kohë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e 94-vjeçares Hasime Veizi, të cilës si të mos i mjaftonin problemet e moshës dhe vetmia, i kishin hequr prej 2 muajsh energjinë elektrike.

“Nuk kam dëgjuar e nuk kam parë që të lesh një plakë 3-4 muaj pa drita që të bjerë nga krevati. Nuk më mori Zoti, më la për të vuajtur!”, u shpreh asokohe me lot në sy e moshuara.

Djali i saj, Bilbil Veizi tregoi se pas vdekjes së të vëllait që jetonte me të, i ka paguar ai faturat e energjisë elektrike, por kontrata me OSHEE-në ishte në emër të një tjetër vëllai, që jeton jashtë Shqipërisë.

“Ku është e drejta e njeriut? Që të jetojë dhe kjo plakë si gjithë të tjerët! Unë i bëj thirrje qeveritarëve që ta shohin

këtë gjendje dhe jo të më sorrollasin mua për të ardhur e për t’i lidhur një dritë kësaj plake këtu”, tha i shqetësuar Bilbili.

Gazetarja e emisionit “Stop” u interesua për këtë shqetësim të nënë Hasimes pranë degës së OSHEE-së në Kinostudio.

Drejtori i Divizionit Tregtar OSHEE, Elton Sevrani u shpreh se ky është një rast i veçantë për rregulloren e këtij institucioni, pasi detyrimi duhet të shlyhet nga vetë mbajtësi i kontratës, pra djali i Hasimes që ndodhet në SHBA.

“Por duke qenë se kemi të bëjmë me një situatë specifike, kur mamaja e të dy zotërinjve ndodhet në

kushtet që duhet të ketë furnizim me energji elektrike, ne kemi pranuar këtë kërkesë të zotërisë për të qenë ai likujduesi i këtij detyrimi“, tha drejtori Sevrani.

Ditën tjetër, punonjësit e OSHEE-së i rilidhën energjinë elektrike 94-vjeçares. “Shyqyr që më hapët sytë se më ishin zënë.

Rrofshi e qofshi, Zoti ju dhëntë shëndet e u bëfshi 200 vjeç!”, u shpreh e entuziazmuar e moshuara.

Por emisioni “Stop” nuk u ndal me kaq për rastin e të moshuarës që jeton në kushte të vështira. Gazetarja u rikthye

te nënë Hasimeja së bashku me “Fundjavë Ndryshe” për t’i çuar ndihma dhe për t’i premtuar që emisioni “Stop” do ta ndihmojë sa herë të ketë nevojë./tvklan.al