Ai është, jo vetëm udhëheqësi më i madh i besimtarëve katolikë në tokat e Amerikës, por njëkohësisht një nga personalitetet më të ndritura të shqiptarizmit.

Ai përktheu dhe botoi në shqip “Shkrimin e Shenjtë” (“Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve”), ku botimi i kësaj vepre bëri që shqiptarët ta marrin fjalën e zotit në shqip edhe në tokën Amerikane.

Në kushtet e rimëkëmbjes së Kishës Katolike Shqiptare edhe këtu në Shqipëri, kjo vepër e Mons. Zef Oroshit pati një rëndësi mjaft të madhe duke e bërë kështu këtë prelat të ndritur, një “Buzuk të kohëve moderne”.

Vetë Kisha Katolike Shqiptare në Amerikë është së pari vepër e Zef Oroshit. “Me rastin e botimit të librit, Papa Pali VI, e priti Mons. Oroshin me respekt në audiencën e

Tij në Vatikan duke e uruar me gjithë zemër dhe duke e bekuar për një punë aq të madhe në fushën e kulturës fetare dhe e shuguroi me titullin e lartë Monsinjor”, –

kështu e pasqyron publicisti patriot T.Mrijaj takimin në një libër monografik kushtuar Zef Oroshit.

 

Mons. Zef Oroshi, Kap. Ndue Gjomarkaj

 

 

 

Mons. Zefi lindi më 23 nëntor 1912 në familjen Çoku në Orosh. Familja e tij do ta vuante persekutimin komunist për shkak të tij. Mësimet fillore i mbaroi në vendlindje, në “Konviktin” e Oroshit, ndërsa shkollën e mesme në vitin 1927 në Seminarin e njohur të Jezuitëve në Shkodër. Në Romë do të mbaronte shkëlqyeshëm studimet e larta për Teologji e Filozofi në vitet 1936-1940.

Ai zotëronte disa gjuhë të huaja si: latinisht, italisht, greqishten e vjetër dhe të re, gjermanisht dhe anglishten e folur dhe të shkruar.

Në vitin 1951 kur Forcat e Ndjekjes së Sigurimit Komunist nën komandën e Toger Babës, rrethojnë kishën ku meshtari po thonte meshën e së dielës me qëllim që ta ekzekutonte sapo populli të dilte nga kisha.

Por një besimtar e kishte lajmëruar meshtarin që më parë për veprimet e Sigurimit ndaj dhe Zef Oroshi e mbaroi meshën 10 minuta më përpara dhe me një zgjuarsi e shpejtësi rrufe çau rrethimin, duke lënë me dhimbje veladonin e priftit në famulli.

Tri ditët e Pashkëve të atij viti do t’i kalonte në pyllin e Mirditës, që për të ishte bërë një mburojë e Zotit dhe një kishë e mrekullueshme ku meshën e thoshte në gjirin e natyrës. Ai kalon me mundime rrugën nga Mirdita në Mitrovicën e Kosovës, duke u plagosur në gushë nga komunistët.

Pas garancive që i dërgojnë shtëpia e Derës së Kapedanëve si niset në Itali dhe udhëton në disa vende për të përfunduar në Amerikë.

Disa vjet jetoi në Boston ku takohej vazhdimisht me imzot Fan Stilian Nolin. Shpesh bisedonin me orë të tëra dhe Monsinjor Zef Oroshi pohonte me mburrje se Imzot Fan Noli ishte një patriot i vërtetë shqiptar.

Po ashtu një ndër mësuesit që e deshi dhe e mbajti afër ishte edhe Dom Ndre Mjeda, një poet e atdhetar i flakët sipas Oroshit që e ndihmoi në rininë e tij për tu bërë një bari i ardhshëm, i dashur e i përvuajtur.

Zef Oroshi ishte një njeri i urtë e me karakter të fortë dhe i respektonte të gjithë shqiptarët pa dallim feje a krahine. Merrte pjesë në të gjitha mbledhjet me karakter fetar e kombëtar dhe mirëpritej nga qendrat fetare islame duke bashkëpunuar ngushtë me krerët Islamë shqiptarë në Amerikë.

Bënte pjesë në Këshillin Drejtues të Organizatës Panshqiptare “VATRA” të Amerikës, do të ftonte në Kishën Zojës së Këshillit të Mirë, e ndërtuar nga vetë ai të madhen Nënë Terezën në vitin 1973.

Ai do të ndërronte jetë më 15 mars 1989 në New York dhe një ditë pas vdekjes, gazeta “The New York Times” do të botonte një shkrim për vdekjen e tij duke vënë në dukje veprimtarinë e e tij fetare e kombëtare.