Ai e krahason Vllazninë me një “zonjë të bukur”, e cila ka kaluar jo vetëm dorë më dorë, por edhe është keqpërdorur.

Behet fjale per Elvis Plorin i cili ne analizen e tij është disi i veçantë, pasi në këtë rast ai bën edhe “doktorin”. Por në fund, qartazi kuptohet që ai bën përgjegjës veten, kolegët e tij, legjendat dhe tifozët.

Ai evidenton që të gjithë heshtën dhe kurrë nuk ngritën zë për Shkodrën dhe futbollin.

Sipas jush, faji është vetëm i ekipit dhe klubit?

Në ndërgjegjen tonë, edhe ne vetë që ngremë këtë pyetje, duhet të ndihemi pak fajtorë për këtë rënie të ekipit nga kategoria. Duke filluar nga kolegët e mi trajnerë, legjendat e futbollit, duhet të ndihen pak në faj.

Ju personalisht pse ndiheni fajtor?

Ok, po ia nis nga vetja. Pasi iku presidenti Valter Fushaj, edhe unë ika nga ky klub për të gjetur mundësi të reja.

Pa dashur, nuk e ktheva më kokën pas për të parë se çfarë mund të ndodhë me këtë klub apo ekip. Ndihesha mirë kur të tjerët me thoshin “sa rehat je këtu, larg nga Shkodra dhe nuk përzihesh me këto pisllëqe”.

Thjesht nga këto fjalë ndihesha mirë se më dukej se nuk po përzihesha në pisllëqet që Vllaznia kishte marrë gjatë këtyre viteve.

Të them të drejtën, tani e kuptoj shumë mirë pse ndihem fajtor. Edhe pse nuk arrita që të bëj gjë gjatë këtyre viteve. Ndoshta jo për fajin tim, por gjithsesi ndihem fajtor.

Duhet që të ndihen fajtorë kolegët e mi, që ashtu si edhe unë nuk e çuan zërin dhe nuk kërkuan që të bëhen pjesë Vllaznisë së madhe.

U kënaqen me trofetë e moshave, me rezultate dhe sportistët të nxjerrë akademia “Vllaznia”, duke furnizuar të gjithë Shqipërinë, ekipet tona Kombëtare dhe disa klube në Europë.

U kënaqën me pak dhe shpresonin se do të ishin në rrugën e drejtë në karrierën e tyre. U kënaqën dhe nuk guxuan që të flasin më tepër, të kërkonin më tepër nga vetja dhe të shkonin pak më lart.

Vetëm moral ka mbetur “faji”?

Kanë një faj shumë të madh edhe tifozët e zjarrtë të Vllaznisë. Ata po nxjerrin vrer e flakë nga mërzia, po plasin nga marazi, por edhe ato janë pjesërisht fajtorë. Skuadra e tyre ra nga kategoria, që nga boshatisja e shkallëve të stadiumit.

Çfarë mund të bënin tifozët?

Ata duhet ta kishin kuptuar se nuk mund të ecte ashtu një Vllazni, pasi përtej potencialit, ekipi i vetëm nuk mund t’ia dilte.

Por e pranuan realitetin dhe heshtën që të gjithë. Jo pa faj janë edhe ikonat e Vllaznisë, legjendat e Vllaznisë. Ata nuk duhet që të ishin kënaqur me një rrahje supesh me tituj dhe duke marrë meritat që u takojnë.

Nuk duhet të mjaftoheshin me dreka apo me darka dhe të mbyllnin gojën e heshtnin gjatë gjithë kësaj kohë. Ata duhet që t’i kishin vënë shpatullat Vllaznisë.

Pra, për mua edhe këto kanë përgjegjësinë e tyre në rënien e Vllaznisë. Unë mendoj se të gjithë jemi pjesë e fajit që Vllaznia ra në Kategorinë e Parë.

Po faktorët vetë nuk kishin faj?

Mendimi im mund të duhet ironik apo edhe disi arrogant, por unë e shikoj Vllazninë një “zonjë të madhe”, e cila këto vitet e fundit ka kaluar dorë më dorë dhe është trajtuar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Në dorën e kujt konkretisht?

Në fillim e morën njerëzit që kërkonin ta kishin afër. Të dilnin me këtë “zonjë të madhe” dhe të binin në sy, se ne po rrinim me këtë “zonjë të bukur”.

Pastaj nga kjo dorë Vllaznia, kaloi në duart e njerëzve që donin të shfrytëzonin “bukurinë e saj” dhe politiken e ndritur. Më pas u shfrytëzua prapë, duke iu dhënë “të fortëve” me zinxhirë ari dhe me muskuj, që kishin dëshirë ta mbanin nga afër.

Ndoshta jo për shfrytëzime dhe ryshfete, por për ta pasur për emër. Më pas u mor nga njerëz ambiciozë dhe largpamës, që donin ta rregullonin këtë zonjë.

Pas shumë peripecish që hoqi, ata thoshin “që ka nevojë për një rikonstruktim”. Pra kishte nevojë për “silikon”, për operacione plastike e të tjera e të tjera. U munduan që t’ia bë- nin, por në fund nuk arritën që t’i paguanin as lekët.

Dhe çfarë ndodhi me “ambiciozët”?

E shfrytëzuan maksimalisht, e lanë në borxhe dhe nuk paguan as për “bukurinë e saj” dhe aq më pak për operacionet kirurgjikale që i bënë. Në fund doli më pas një doktor, i cili tha do merren unë me këtë “zonjë të madhe e të ndritshme”.

Ai shpenzon kohë e para dhe e shtoi këtë “zonjë të ndritshme”. Por Vllaznia në këtë rast nuk kishte as mushkëri të sëmura, as zemrën e sëmurë, pasi problemin e kishte nga koka.

Që nga koha kur kishte rënë në gjendje kome, u pa qartë se nuk ishte nën survejimin e doktorit të duhur. Nuk ishte ai që mund të çonte në këmbë Vllazninë.

Konkluzioni…?

Ja ku jemi tani, me Vllazninë e rënë dhe me kaq shumë fajtor që kanë heshtur për vite e vite me radhë. Të gjithë kanë parë se kjo “zonjë” keqpërdorej për ditë. Asaj i hoqën “spinën” dhe e lamë që “të vdesë”. Fajtorë jemi të gjithë së bashku dhe e lamë të gjithë bashkë Vllazninë e vdekur.

Si e shikoni, a thua bëhet më mirë?

Nuk e di nëse mund të jetë më mirë që ramë apo jo. Por ajo që duhet të them është se ndryshimet duhet që të jenë të mëdha.

Duhet që Vllaznia të bjerë në një dorë, e cila duhet që të ketë një mbështetje prej të gjithëve pa diskutim. Vetëm kështu Vllazninë mund të shikojmë shpejt aty ku e meriton./panorama-sport/