Vetë ai konsiderohet një nga më të mëdhenjtë e futbollit shkodran dhe atij shqiptar.

Sabah Bizi, ndonëse në një gjendje jo të mirë shëndetësore, vazhdon ta ndjekë Vllazninë.

Kuptohet që tashmë edhe po vuan rënien e saj nga Superliga. Në një prononcim ekskluziv për gazetën “Shkodra Sport”, ish- mesfushori i ekipit shkodran dhe atij kombëtar, shprehet:

“Të mërkurën në darkë pas ndeshjes në Korçë kur mësova se Vllaznia ra nga kategoria, po ju them se nuk kam mbyllur sy për asnjë minutë gjatë gjithë natës.

Bashkëshortja më pyeste herëpashere se çfarë kisha por unë kisha si t’ia shpjegoja atë keqardhje dhe mërzi që kisha brenda vetes.

Skuadra ime e zemrës, skuadra e gjithë Shkodrës kishte rënë nga Superliga dhe këtë gjë nuk mund ta përjetoja dot.

Mendoni vetëm diçka: Hera e fundit që Vllaznia kishte rënë nga kategoria ka qenë viti i largët 1961.

Edhe unë vetë në atë vit kam qenë i vogël. Mendoni vetëm kaq. Sa njerëz janë sot 70 vjeçarë gjallë që e mbajnë mend atë rënie të skudrës shkodrane nga kategoria?

Sigurisht që një përqindje e vogël njerëzish. Pjesa tjetër janë në moshë më të re dhe ata e përjetuan për herë të parë këtë ngjarje të rëndë për futbollin shkodran.

Nuk di ç’të them por po e përjetoj shumë keq këtë gjë”. Po si e mendon mjeshtri Bizi të ardhmen e Vllaznisë.

Përgjigja e tij nuk është shumë e qartë sepse nuk di planet që kanë drejtuesit. “Çfarë mund të them unë për të ardhmen?

Asgjë. Janë drejtuesit ata që përcaktojnë buxhetin dhe planet që kanë për të ardhmen.

E rëndësishme është që skuadra në fundin e sezonit të ardhshëm, të kthehet medoemos në mes skuadrave të Superligës shqiptare”.

Gjergj KOLA