Suad Lici, një nga emrat e njohur në futbollit shkodran, i ka qëndruar pranë Vllaznisë në këto momente të vështira që po kalon në fundin e kampionatit.

Pavarësisht se ai ka qenë mjaft kritik, sidomos me drejtimin teknik të skuadrës, por tashmë kur ka mbetur edhe

një ndeshje nga fundi i sezonit dhe shpresat për mbijetesë janë rihapur sërish, ish-futbollisti kërkon mbështetje nga të gjithë.

“Nuk është koha që të ndalemi dhe të bëjmë analizë. Ato që kam thënë pas humbjes me Partizanin i them sërish tani, por nuk është kohë për analizë.

Këta djem kërkojnë një mbështetjeje dhe për më tepër morale, por sërish mund të them se asgjë nuk është në dorën tonë.

Ne jemi sërish të varur nga ajo që do të bëjë ekipi i Partizanit. Megjithatë, ne të gjithë jemi mbledhur në këto

momente rreth Vllaznisë, në mënyrë që këta djem të mos jenë vetëm dhe nën një presion të vazhdueshëm dhe të madh, siç edhe po i shikojmë.

Fitorja që arritëm me Kukësin dhe për më tepër humbja e Kamzës ka ndezur shpresat tona sërish për të qëndruar në Superiore.

Por, më parë ne duhet që të bëjmë maksimumin në Korçë dhe pastaj të shpresojmë tek ajo që do të bëjë Partizani ndaj Kamzës”, ka thënë fillimisht Lici.

Partizani – Shpresat e Vllaznisë për mbijetesë janë të lidhura drejtpërdrejt me rezultatin që do të dalë nga ndeshja mes Partizanit dhe Kamzës.

“Unë shpresoj se Partizani do të tregojë të njëjtën lojë dhe impenjim ashtu si me ne. Ata kërkojnë që të jenë në Europë dhe do të synojnë të sigurojnë trepikëshin edhe për vete.

Këtë nuk e them se na intereson neve, por sepse kështu mendoj se do të veprojë kjo skuadër.

Ndërsa Vllaznia, nisur nga pozitat në të cilët është Skënderbeu dhe arritja e titullit kampion, e bënë këtë skuadër që të jetë më pak e impenjuar.

Por, kjo do të varet edhe nga ajo që djemtë e ekipit tonë do të dinë të japin në fushën e lojës.

Presioni është mbi ne dhe shpresoj që do të dinë që të mbyllin me sukses këtë takim dhe më pas të shpresojmë tek ajo që do të bëjë Partizani ndaj Kamzës.

Unë personalisht vlerësova shumë atë impenjim dhe lojë të pastër që bëri ekipi i Laçit. Ishte fitorja e Laçit që ndezi edhe njëherë shpresat e ekipit tonë për të qëndruar mes më të mirave të kampionatit”, ka vazhduar Lici.

Impenjimi – Ajo që vlerëson shumë ish-futbollisti i mirënjohur shkodran është impenjimi i të gjithë futbollistëve në këtë javë të fundit të kampionatit.

Ai ka qenë pranë drejtuesve më të lartë të klubit dhe, ato gjatë gjithë këtyre ditëve të vështira, janë marrë pak e për të mos thënë aspak me analizën e atyre që kanë kaluar, por janë impenjuar totalisht në mënyrë që të bëjnë të pamundur për të shpëtuar Vllazninë nga rënia.

“Natyrisht që presioni më i madh është tek ekipi dhe drejtuesit e saj. Por, unë mund të them se shikoj një impenjim total te të gjithë.

Kjo duke filluar nga kryebashkiakja Ademi dhe për të vazhduar me të gjithë të tjerët.

Për të gjithë do të ishte një katastrofë nëse Vllaznia nuk do të mbijetonte.

Shanset janë shtuar e të shpresojmë se të mërkurën do të jemi ne që do t’i gëzohemi qëndrimit në Superiore.

Atëherë duhet që të ndalen të gjithë dhe të analizojnë gjatë gjithçka”, ka mbyllur Lici.