Vllaznia vazhdon të jetë çështja kryesore në qytetin e Shkodrës. Do të shpëtojë apo jo nga rënia në Kategorinë e Parë?

Kjo është pyetja që dëgjon gjatë këtyre ditëve, madje jo vetëm në Shkodër, por edhe më gjerë, sepse tradita e futbollit shkodran i kalon kufijtë e qytetit verior.

Situata dukej e pashpresë, por dhurata që laçianët i bënë Vllaznisë, teksa mundën Kamzën në transfertë, ka rizgjuar shpresat dhe besimin se mrekullia mund të ndodhë.

Edhe tri ditë tension dhe emocion deri sa pasditja e mërkurës të japë verdiktet e saj zyrtare për çështjen

më të diskutuar të ditëve të fundit, shpëton apo jo Vllaznia.

Besimi në radhët e kuqebluve është i madh se gjërat do të shkojnë mirë në javën e fundit.

Besimin e shpreh qartë edhe njëri prej titullarëve të skuadrës kuqeblu, Xhevahir Sukaj, madje në intervistën për Sport Ekspres ai shprehet i bindur se Vllaznia shpëton.

Sukaj beson shumë te profesionalizmi i Partizanit dhe ndihma e Zotit.

Sukaj, një rreze shprese për mbijetesë në javën e fundit, kjo falë Laçit që fitoi me Kamzën në transferte. E prisnit këtë dhuratë?

– Më kuptoni drejt. A e dini pse më bëhet qejfi? Më bëhet qejfi se po luhet një futboll i pastër dhe kjo u pa qartë në sfidën e luajtur në Kamzë, ku lufta sportive ishte shumë e fortë dhe pa kompromis.

Një futboll, që i jep edhe bukurinë e duhur kampionatit shqiptar. Ai rezultat na jep shpresë për qëndrimin në kategori.

Shpresojmë që edhe me ndihmën e Zotit tia dalim dhe java e fundit të flasë pozitivisht për ne.

– Për të shpëtuar duhet patjetër fitore në Korçë, por më kryesorja është që Partizani të mundë Kamzën…

– Janë të gjitha mundësitë që një gjë e tillë të ndodhë. Nëse flasim për ndeshjen tonë, ky 90-minutësh vendos fatet e sezonit, ndaj në kuptimin sportiv e kemi jetë a vdekje.

Duke pasur parasysh situatën aktuale te korçarët, që kanë arritur gjithçka dhe presin vetëm festën e titullit, mendoj se jemi më afër fitores dhe atë do ta marrim patjetër.

Nga ana tjetër, besoj shumë te forca dhe karakteri i Partizanit se do të fitojë ndaj Kamzës.

– Në një farë mënyre, Partizanit i duhet të luftojë edhe për vete, pasi i duhen pikët për Europën. A është plus ky për Vllazninë?

– Partizani është ekip i madh dhe profesionist. I duhen apo nuk i duhen pikët, Partizani bën punën e vet.

Ai e ka treguar edhe herë të tjera që është një ekip super profesionist dhe nuk ia kam merakun fare asaj pjese.

Kam bindje të plotë se Partizani do të futet në fushë vetëm për fitore dhe do ta bëjë patjetër një gjë të tillë.

– Të kthehemi te skuadra juaj. Keni qenë nën presion shumë të madh psikologjik për ndeshjen ndaj Kukësit, apo jo?

– Duhet falënderuar Zoti, sepse realisht kemi qenë vërtet nën një presion shumë të madh psikologjik.

Dhe presioni i madh na bën që edhe të gabojmë. Pavarësisht se gabimet te një profesionist nuk lejohen, presioni, siç e thashë, bën të veten dhe realisht po gabojmë shumë të gjithë si skuadër.

Shpresojmë që Zoti të jetë me ne dhe Vllaznia ta kalojë me sukses këtë beteje të vështirë të mbijetesës.

– Me Kukësin humbët penallti, kur në këtë pikë jeni ekspert. Ishte meritë e Koliçit, apo përsëri gjendja psikologjike?

– Të them të drejtën, tani që po ma kujtoni ju, po më vjen ndërmend që kam humbur penallti gjatë lojës, sepse tensioni për ndeshjen tonë dhe atë që po luhej në Kamzë, ishte shumë i madh tek e gjithë skuadra.

Gjithsesi, Koliçi e nuhati. Mendova se nuk do të hidhej fare në krah. Gjithsesi, shokët nuk na lënë në baltë, fituan dhe gjithçka shkoi mirë.

E rëndësishme është që ne e fituam ndeshjen, pak rëndësi ka humbja e penalltisë nga ana e ime.

– Si e shikon Sukaj mundësinë e shpëtimit të Vllaznisë nga rënia prej kategorisë?

– Për hir të së vërtetës, vështirësia në këtë mes është jo e vogël. Janë dy ndeshje, e jona me Skënderbeun dhe Kamza me Partizanin, ku do të vendoset gjithçka.

Shpresojmë të bëjmë detyrën tonë dhe presin që të njëjtën gjë ta bëjë edhe Partizani. Sinqerisht, besimin e kam shumë të madh se do të mbijetojmë./sport-ekspres/