Mali i Zi po konsideron mundësinë e ndërtimit të një gardhi me tela në kufirin me Shqipërinë për të parandaluar kalimin e emigrantëve ilegalë.

Kështu ka deklaruar këtë të dielë një zyrtar i qeverisë malazeze. Për shkak të fluksit të emigrantëve ilegalë, kryesisht sirianë, që kalojnë nga Shqipëria drejt Malit të Zi, shteti fqinj po mendon të marrë masa për të frenuar këtë fenomen.

“Nëse do të ketë një fluks të madh të emigrantëve, do të ngremë gardh me tela në kufirin me Shqipërinë”, tha për televizionin shtetëror Vojislad Dragovic, kreu i Departamentit për Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror të Malit të Zi.

Ai shtoi gjithashtu se autoritetet shqiptare në shumë raste kishin refuzuar të pranonin klandestinët që kthente Mali i Zi, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të ripranimit të emigrantëve.

Mijëra emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme po synojnë të shkojnë drejt Evropës Perëndimore. Kontrabandistët e refugjatëve kanë gjetur një korridor të ri në Ballkan, duke kaluar nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjes për të arritur në Kroaci, që është vend anëtar i BE.

Shumë shtete evropiane kanë ngritur gardhe me tela në kufijtë e tyre për të frenuar fluksin e refugjatëve. Hungaria ka vendosur gardh në kufijtë me Serbinë dhe Kroacinë gjatë krizës që shpërtheu në vitin 2015, kur më shumë se 1 milion emigrantë hynë në Evropë.