Esat Rakiqi- historia e veçantë e njeriut që ka punuar 33 vjet…. zëvendëstrajner

Ka lindur në Shkodër më 29.05.1943 dhe do mbetet gjatë në kujtesën e shumë njerëzve.

Fillimisht si sportist cilësor dhe fitues i disa trofeve me Vllazninë por mbi të gjitha për karrierën e gjatë si trajner.

Një karrierë shumë domethënëse dhe kuptiplote, gati 30 vjeçare si trajner ose për të qenë më të saktë, si zëvendëstrajner duke kaluar nëpër duart e tij shumë futbollistë e trajnerë të tjerë.

Ajo që ka fituar Esat Rakiqi mbi të gjitha ishte respekti i këtyre njerëzve të sportit, i tifozëve dhe i gazetarëve.

Të gjithë ata edhe nesër e kësaj dite e thërrasin “PROFESOR”. Një titull i vënë rrugës megjithatë për nnjë njeri që meriton respekt.

Për këtë gjë, “zëvendëstrajneri i përjetshëm” i Vllaznisë ndjehet krenar. Natyrisht, duke lënë mënjanë edhe harresën që i ka bërë Shkodra, qyteti i tij i dashur i cili nuk i ka dhënë asnjë çmim.

Megjithatë Rakiqi ndjehet mirë me titullin që i kanë dhënë njerëzit e thjeshtë, titullin “profesor”.

Në një rrëfim krejt të veçantë për gazetën shkodrasport.com, ai ka thënë gjithçka.

Që nga fillimi i sportit 58 vjet më parë dhe deri para gati dy vitesh kur i dha fund aventurës së fundit me Kukësin duke hyrë sërish në histori bashkë me Cungun duke e çuar këtë skuadër deri në turin e katërt në Kupat e Europës.

-Profesor Esati, besoj se karriera juaj ka qenë e veçantë teksa keni vazhduar të punoni edhe pasi festuat 70 vjetorin e lindjes. Jeni krenar për këtë?

-Natyrisht që ndjehem mirë sepse kam dhënë shumë për sportin dhe kam ruajtur mbresa të pashlyeshme për gjithë jetën time.

-A mund të na thoni, kur nisi pasioni juaj për futbollin?

-I lindur në një lagje e cila ka nxjerrë futbollistë të mëdhenj, kuptohet që edhe unë kisha atë dëshirë të luaja futboll.

Kam filluar të spikas në moshën 14 vjeçare kur në Durrës u zhvillua Spartakiada e parë Kombëtare për fëmijët.

Trajner kishim Zyhdi Bakallin i cili madje më besoi edhe shiritin e kapitenit. Kam luajtur dy vite me këtë ekip për të kaluar më pas me të rinjtë.

-Kur ndodhi kjo?

-Në vitin 1959, isha vetëm 16 vjeç dhe trajner me këtë ekip ishte Xhelal Juka. Edhe ai duke parë aftësitë e mia, më besoi shiritin e kapitenit por vetëm deri me këtë ekip sepse pastaj gjërat ndryshuan edhe për shkak të biografisë time.

-Pse çfarë kishte ajo?

-Nuk e dini? Unë kam patur babanë në burg për 10 vite me rradhë, nga vitet 1955 deri në 1965. Ka qenë shitës dhe e dënuan për sabotim ekonomik me burgim të përjetshëm.

Për fat, në vitin 1965 kur kisha filluar të bëhesha i njohur si sportist, sapo Feçor Shehu e mori vesh se ishte babai im dhe pasi u interesua pse ishte dënuar, ndërhyri dhe e liroi. Megjithatë, unë dhe familja ime e kemi vuajtur jo pak këtë gjë.

-Kur kaluat tek ekipi i parë?

-Ndodhi në një nga vitet e errëta të Vllaznisë, në vitin 1961 kur ajo ra nga kategoria.

Ekipi drejtohej nga një grup trajnerësh ku i parë ishte Rifat Rusi e bashkë me edhe Muc Koxhja, Muhamet Dibra si dhe Latif Alibali trajner portierësh.

Një vit më vonë, u rikthyem sërish në kategorinë e parë pasi dolëm kampionë në të dytën.

Ishin dy vite që më ndihmuan që konfirmohesha si lojtar. Në vitin 1965 fituam Kupën e Republikës dhe kjo na dhuroi kënaqësi të madhe para se unë të largohesha nga Vllaznia sepse do të mobilizohesha ushtar.

-Ku e bëtë ushtrinë?

-Gjashtë muajt e parë qëndrova në Shkodër ndërsa më pas më mori Partizani. Me të kam qëndruar një vit por kam luajtur në formacion vetëm në 3 ndeshje sepse kishte shumë konkurrencë dhe formacioni ishte i stabilizuar.

Gjashtë muajt e fundit pastaj kalova tek Lokomotiva e Durrësit ku gjeta një grup lojtarësh shumë të mirë dhe sëbashku e renditëm skuadrën në vend të katërt në fund të kampionatit.

Mbaj mend se kam zhvilluar një fazë të dytë shumë të mirë  dhe mund të kem qenë një ndër shënuesit më të mirë të skuadrës.

-Më pas u rikthyet tek Vllaznia?

-Po, u riktheva për të mos u larguar më. Kam luajtur me të në vitet 1968- 1973 duke qenë gjithnjë titullar në formacion dhe duke kontribuar në arritjen e shumë rezultateve pozitive. Në këto vite s’mbaj mend të jem ndërruar ndonjëherë.

-Keni luajtur si gjysmësulmues. Sa gola keni shënuar?

-Në çdo kampionat besoj se kam shënuar nga 6-7 gola ndërsa në sezonin 1971-72 kam kaluar një moment shumë të mirë.

Vetëm në fazën e parë shënova 8 gola ndërsa më pas pata një dëmtim dhe në fazën e dytë megjithatë mbeta shënuesi më i mirë i skuadrës atë kampionat.

Vitet 1968-73 kanë qenë vite shumë të bukura. Kemi patur një skuadër shumë kompakte me lojtarë të mirë dhe formacioni thuajse ishte stabël.

Duke filluar me Paulin Ndojën në portë, për të vazhduar me Frederik Çapalikun, Suad Durrajn, Ramazan Rragamin, Hajrullah Lekën, Menduh Dedjen, Rauf Çangën, Sabah Bizin, Çesk Ndojën, Lekë Koçobashin, unë, Medin Zhegën, Selami Danin por edhe me Halil Pukën, Viktor Plumbinin e ndonjë tjetër.

-Këtu e mbyllet karrierën si futbollist?

-Në fakt ajo zgjati edhe pak. Kam zhvilluar fazën përgatitore me ekipin edhe në prag të sezonit 1973-74 dhe madje, kam luajtur edhe në 3-4 ndeshjet e para por më pas drejtuesit e klubit më detyruan të lë futbollin.

-Cila ishte arsyeja?

-Kisha mbushur 30 vjeç dhe në atë periudhë sportistët në këtë moshë i quanin të vjetër dhe prandaj duhej t’i lironin vendin më të rinjve.

Njëkohësisht më urdhëruan për të nisur në Tiranë kursin njëvjeçar për trajner. Fillimisht nuk e kisha me qejf.

U rregjistrova por nuk shkoja rregullisht megjithatë ngulën këmbë për ta mbaruar dhe kështu ndodhi, madje e mbaroi me notat më të larta duke u liçensuar si trajner i kategorisë së parë dhe në fakt në ato vite, trajnerët e shkolluar ishin të pakët.

-Kështu nisi karriera juaj e trajnerit?

-Me të mbaruar kursin njëvjeçar, më dhanë ekipin e të rinjve të Vllaznisë të cilin e drejtova nga viti 1974 deri më 1980 dhe nga duart e mia kanë dalë disa futbollistë të cilët do të bënin emër më pas në futbollin shqiptar si Hysen Zmijani i cili solli ndryshimin e madh në futbollin shqiptar me lojën dhe daljet e tij karakteristike në krahun e djathtë.

Nga duart e mia kanë dalë futbollistë si Ferid Rragami i cili kujt ekipi nuk i ka ba gol, ka dalë Ferid Borshi i talentuar që Partia nuk e lejoi me ba emër. Kanë dalë Roland Luçi, Fatbardh Jera, Hysen Dedja etj. Dhe natyrisht që unë ndjehesha krenar me to.

-Po tek ekipi i parë kur ju kanë emëruar?

-Ka qenë viti 1980. Trajner i parë ishte Kolec Kraja dhe prej nga ky moment unë kam vijuar të jem pjesë e ekipit deri në vitin 2010, natyrisht me disa shkëputje të vogla teksa kam punuar si trajner me Edi Martinin tek Laçi si dhe katër muaj si trajner i parë tek Ada.

Karriera ime si trajner do mbyllej në sezonin e mrekullueshëm dhe të paharrueshëm 2012-13 me Kukësin kur me trajnerin Armando Cungu, futbollistët dhe drejtuesit e Kukësit bëmë historinë e futbollit shqiptar duke mbërritur deri në turin e katërt të Kupave të Europës.

-Këtu mbyllet cikli 56 vjeçar i juaji pranë futbollit. Jeni i kënaqur me atë çfarë keni arritur?

-Sigurisht që jam i kënaqur sepse besoj se aq sa kam fituar unë, nuk i ka fituar askush tjetër, të paktën në Shkodër.

Kam fituar 5 tituj kampionë si futbollist dhe si trajner pikërisht në sezonet 1971-72 dhe 1973-74 (si futbollist), 1982-83, 1991-92 dhe 2000-01 (si trajner).

Po ashtu kam fituar 4 Kupa të Republikës si futbollist dhe si trajner në vitet: 1965, 1971-72 (si futbollist), 1980-81, 1986-87 (si trajner). Kam fituar një Superkupë si trajner në vitin 2001 kur mundëm Tiranën dhe jam shpallur dy herë kampionë në kategorinë e dytë, në vitin 1962 me Vllazninë si futbollist dhe në vitin 2008 me Laçin si trajner.

Besoj se kaq mjaftojnë për të them se ndjehem i kompletuar në të gjitha drejtimet.

-Kaq shumë trofe, besoj se keni marrë edhe nderimet e duhura nga institucionet përkatëse apo jo?

-Kam vetëm dy nderime dhe të dyja nga Federata Shqiptare e Futbollit të dhëna vite më parë. Një “Pllakatë” dhe një “Mirënjohje”. Harrova se kam edhe një Urdhër “Naim Frashëri” klasi III dhënë para viteve ’90.

-Po ndonjë nderim nga Shkodra, qyteti juaj i dashur?

-Asnjë nderim, askush nuk është kujtuar për mua megjithatë nuk ka problem. A ka nderim më të madh se të gjithë shkodranët të më thërrasin “PROFESOR”, ndonëse unë nuk e kam këtë titull.

A ka nderim më të madh të të respektojnë të gjithë tifozët dhe po ashtu edhe ju gazetarët të cilët më keni mbështetur dhe përkrahur vazhdimisht.

-Si zëvendëstrajner keni punuar me shumë trajnerë të tjerë. Si ka mundësi që keni qëndruar kaq besnik ndaj tyre?

-Kam punuar me shumë trajnerë në këto vite, duke filluar siç thashë nga Kolec Kraja, e për të vazhduar me Medin Zhegën, Ramazan Rragamin, Astrit Hafizin, Sabah Bizin, Ferid Rragamin, Hysen Dedjen, Dervish Haxhiosmanoviç, Ramadan Shehun, Edi Martinin dhe me të fundit dhe më të suksesshmin, Armando Cungun.

Me disa prej tyre kam punuar madje nga 2-3 herë në periudha të ndryshme si me Zanin (Rragamin) 3 herë, po aq edhe me Dinin (Zhegën) e Astritin (Hafizin).

Madje, për kuriozitet, me këtë të fundit kam punuar 11 vjet me rradhë. Si ia kam arritur?

Kam bërë gjithmonë punën time, kam respektuar kolegët e mi, futbollistët dhe jo më kot në gjithë këto vite si trajner, nuk kam marrë asnjëherë asnjë ofendim nga askush, nuk kam patur incidentin më të vogël dhe as shqetësimin më të vogël.

Për mua ka qenë disi e lehtë të punoja si zëvendëstrajner edhe sepse shumë prej atyre që u bënë trajnera, kishin qenë nxënësit e mij më parë dhe kur ato më thërrisnin “profesor”, ndjehesha keq sepse në fakt ata ishin drejtuesit e parë.

-Cila ka qenë periudha të cilën ti e konsideron më të suksesshmen duke punuar si trajner?

-Do të vlerësoja vitin 1987 kur me Astrit Hafizin ndërtuam një skuadër model por që e shkatërroi Partia.

Dënoi shumë lojtarë e trajnerë për incidentin e ndodhur në Finlandë vetëm e vetëm që ta shkatërronte atë ekip. Absurditeti më i madh ishte se më dënuan edhe mua ndonëse unë për arsye biografie nuk kisha qenë në Finlandë.

Më dërguan të punoja në Shllak 6 muaj mësues dhe dënimi kishte ardhur se gjoja nuk kisha bërë punën e duhur edukative me futbollistët në stërvitje!!!

Edhe në vitin 1992 po me Hafizin krijuam një ekip të shkëlqyer por edhe atë vit ekipi u prish ngaqë shumë lojtarë mbetën në Francë.

Po ashtu, do të mbetet gjatë në mendjen time puna që kemi bërë me Armando Cungu (në veçanti ai) me Kukësin dy sezone më parë.

Një punë fantastike ku pas dy muaj seleksionimesh, arritëm të ndërtojmë një skuadër ashtu si duhet dhe shkuam deri në turin e katërt të Kupave të Europës, gjë që se kishte bërë më parë asnjë skuadër tjetër shqiptare.

-Në Shkodër por edhe më gjerë, ju kanë etiketuar si “zëvendëstrajneri i përjetshëm” i Vllaznisë. A keni tentuar ndonjëherë të bëheni trajner i parë?

-Po e them sot për herë të parë. Kam tentuar vetëm një herë, në vitin 1992. Pasi shumica e skuadrës mbeti në Francë dhe bashkë me të edhe trajneri Astrit Hafizi, u binda se kishte ardhur koha ime të drejtoja si i parë.

Më thirrën madje edhe në Komitetin Ekzekutiv dhe më thanë se do ma besonin ekipin ndërsa ndihmës do të kisha Ferid Rragami.

Gjatë gjithë javës para ndeshjes së rradhës, punova shumë. Mora nga ekipi i të rinjve lojtarë si Çoçja, Miloti, Kotrri, Lici, Cungu e Hoxha ndërkohë që në ekip ishin edhe Martini, Bizi, Gjuzi, Mjeda e ndonjë tjetër dhe krijuam një ekip simpatik.

Ndeshja luhej kundër Tomorit dhe kisha shumë ankth për ta fituar këtë ndeshje të parë.

Një ditë para ndeshjes, na thirrin sërish në Komitetin Ekzekutiv duke na dhënë porositë për ndeshjen sepse ishte përgjegjësi e madhe të drejtoje skuadrën në atë periudhë pasi ishin larguar 12 lojtarë shumë të mirë prej saj.

Çuditërisht po atë natë duke qëndruar në shtëpi, ndez radion për të dëgjuar lajmet dhe në fund, tek lajmet e sportit, më kap vesh lajmin se Ferid Rragami emërohej trajner i parë ndërsa unë do isha ndihmësi i tij!!!

Mua askush nuk më kishte thënë gjë për këtë ndryshim. Për këtë, ditën e nesërme shkova në stadium për të zhvilluar ndeshjen me Tomorin, mblodha ekipin, bëra analizën, ndërtova formacionin dhe u futëm në ndeshje.

Fituam dhe pas saj, atëherë takova përgjegjësin e klubit dhe i kërkova llogari pse ishte vepruar në atë mënyrë.

Nuk mora kurrë përgjigjen e duhur dhe prandaj u pajtova me atë vendim. Ndoshta s’kam pasë egon e duhur për t’u bërë trajner i parë.

-Gjithë këto vite si zëvendëstrajner, cilat kanë qenë raportet tuaja me futbollistët?

-Të shkëlqyera. E thashë edhe më lart, asnjëherë nuk kam patur debatin më të vogël me askënd. Kaq qenë trajner i Hysen Zmijanit që me plot gojën mund të them se ka sjellë evolimin e futbollit shqiptar me ato daljet e mrekullueshme në krah.

Kam qenë trajner i Ferid Rragamit që kujt s’i ka ba gol, i Borshit të talentuar por që Partia nuk e ba hajër, i Bardh Jerës, Roland Luçi, Viktor Brizës, Hysen Dedjes, e shumë e shumë të tjerëve të talentuar.

Për të vazhduar me brezin më të ri ku do të veçoja Sinanin i cili arriti në një sezon të vetëm të shënonte 36 gola dhe pa një skuadër pretendente, duke shënuar po aq gola sa Besa që ra prej kategorisë.

Respekt për Edi Martinin, lojtarin e talentuar që në vitin 1992 para se të shkonim në Francë, nuk e futëm me dashje në një ndeshje që luajtëm në Shkodër sepse mendonim se do shënonte gol medoemos dhe do kishim presionin e publikut për ta marrë me vete në Francë ndërkohë që ne nuk e donim këtë gjë për vetë moshën e tij.

Respekt për Cungun si lojtar por edhe si trajner, për më tepër që më mori ndihmës tek Kukësi në moshën 69 vjeçare, respekt për Armir Grimën, Luan Zmijanin, Safet Osjen, Suad Licin, Ilir Dibrën etj.

Ajo që kam tentuar unë si zëvendëstrajner ka qenë mbajtja e raporteve të afërta me kapitenin e skuadrës dhe si amortizator të fortë, të dy kemi rregulluar çdo marëdhënie në ekip.

Trajneri i dytë duhet me pasë diçka të veçantë: duhet të jetë pedagog, prind, edukator dhe njëkohësisht edhe kërkuar. Unë mendoj se i kam patur të gjitha këto dhe prandaj kam patur sukses.

-Së fundi, profesor, gjithë kjo karrierë, gjithë këto vite, çfarë ka përfituar nga ana financiare Esat Rakiqi?

-Përmes sportit, në rradhë të parë kam fituar këtë emër të mirë që kam. Por kuptohet që ka patur edhe përfitime të tjera financiare apo materiale.

Kështu, në vitin 1982-83 ishim shumë pranë titullit kampion dhe drejtuesit e Rrethit për të na motivuar na premtuan të gjithëve nga një shtëpi dhe kështu ndodhi.

Dolëm kampion dhe unë mora shtëpinë ashtu si shumica e ekipit, shtëpi që e kam edhe sot.

Në vitet e tjera kuptohet që kam përfituar nga ana finaniare dhe kam mbajtur familjen me to megjithatë e rëndësishme është që ka fituar respektin e njerëzve.

Duke punuar si zëvendëstrajner, më janë ofruar edhe shpërblime të ndryshme për të favorizuar një futbollist apo një tjetër por tek unë e kanë gjetur derën e mbyllur.

E kisha të qartë se mund të mbushja xhepin për momentin por do humbisja profesionin, punën dhe besueshmërinë e njerëzve. Jo më kot, kam qëndruar 33 vjet në pankinë e për këtë ndjehem krenar.
Gjergj KOLA

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...