Një investigim i Qendrës për Gazetari Cilësore identifikon të paktën 80 shoqëri të palicencuara brokerimi që drejtojnë operacionet nga Shqipëria, të cilat zhvatin qytetarë të huaj, zhvillojnë evazion fiskal dhe vendosin mijëra të rinj përpara përgjegjësisë ligjore.

Blerta*, 23 vjeç, prej janarit të këtij viti ka çelur një biznes si person fizik me aktivitet “përpunimin e të dhënave kompjuterike”, ndonëse kjo nuk kishte qenë kurrë më parë në planet e saj.

Pas tre vitesh pune si operatore telefonike në një call center në Tiranë – ku reklamonte produkte ushqimore për konsumatorët italianë – ajo iu dorëzua joshjes të ndryshonte profil për fitime më të larta.

Ajo përpiqet të bindë përsëri italianët, por kësaj radhe për të investuar në aksione kompanish, valutë, monedha digjitale, lëndë të para, ar, argjend dhe çdo gjë tjetër të tregtueshme. Shkëmbimet kryen në platforma elektronike, të cilat funksionojnë si bursa online.

Hapja e një biznesi personal dhe atashimi de jure si konsulente e jashtme e kompanisë që i ofroi punësim, platformën dhe infrastrukturën, ku qytetarët që ajo kontakton, kryejnë shkëmbime, ishte një kusht që iu vendos paraprakisht.

Ajo pranoi pa hezitim. Në lojë ishin fitime tepër të larta mujore për tregun e punës në Shqipëri.

“Përfaqësuesit e kompanisë më thanë se çdo muaj do të fitoja rreth 1000 euro.

Isha dyshuese, por që tani kam arritur të fitoj 700 euro në muaj dhe mendoj që shumë shpejt do t`i rris në 1000, madje do i tejkaloj”, – theksoi ajo.

Një investigim i Qendrës për Gazetari Cilësore tregon se Blerta është vetëm një nga mijëra të rinj që sot po jetojnë në Shqipëri ëndrrën e fitimeve të mëdha, në një punë ku kërkohet vetëm një gjuhë e huaj dhe aftësia për të qenë bindës.

Qendra ka identifikuar 80 kompani, të cilat aktualisht operojnë në vend si shoqëri brokerimi (shitje dhe blerje e aksioneve të kompanive në emër të klientëve) dhe ofrojnë vazhdimisht vende të lira pune në faqen e internetit njoftime.com.

Por ëndrra merr formën e një makthi, në një kohë kur investigimi provon se të gjitha kompanitë e mësipërme zhvillojnë një aktivitet të palicencuar, evazion fiskal dhe shpesh janë pjesë e skemave të mashtrimit që zhvatin kursimet e qytetarëve anembanë botës.

Dëshmitë e mbledhura nga Qendra tregojnë gjithashtu se këto kompani i ekspozojnë drejtpërdrejt punonjësit e tyre – të regjistruar si biznese – ndaj veprave kriminale të mashtrimit financiar.

Institucionet rregullatore si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë i tregojnë Qendrës se janë në dijeni të fenomenit, ndonëse deri tani nuk rezulton të jenë marrë masa për goditjen e tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Policia e Shtetit si institucione të inspektimit u pyetën nga Qendra për fenomenin por nuk u përgjigjen deri në kohën kur ky artikull u publikua.

Një skemë mashtrimi

Gjatë muajve të fundit krijimi i kompanive, të cilat ushtrojnë tregti asetesh në platforma elektronike përmes Shqipërisë, po kthehet në një epidemi. Nëpër rrugët e kryeqytetit vajza dhe djem të rinj bëjnë fushatë të drejtpërdrejtë, agresive rekrutimi.

Faqet e punësimit online kanë krijuar një kategori të veçantë për ata që janë të interesuar të përfshihen në brokerim apo Forex (blerje-shitje e valutës në emër të klientëve).

Në rrjetet sociale fotografi të shkëputura nga pamjet e filmit “The Wolf of Wall Street” përdoren për ilustruar punën.

Premtimet janë të njëjta: Pagë minimale 450 deri në 500 euro, mesatarja 700 deri në 1000 euro dhe, nëse ka dedikim dhe talent, atëherë përfitimet financiare nuk kanë kufij.

Dëshmitë e pesë punonjësve apo ish-punonjësve të këtyre kompanive, të marra nga Qendra për Gazetari Cilësore, tregojnë se premtimet për sa i përket pagesës mbahen.

Por, ajo që nuk thuhet me zë të lartë, është fakti se këto shoqëri e ushtrojnë aktivitetin në mënyrë të paligjshme.

Bazuar në legjislacionin shqiptar për veprimtaritë financiare, shoqëritë, të cilat zhvillojnë Forex, licencohen nga Banka e Shqipërisë, ndërsa ato që ofrojnë shërbime brokerimi, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF.

Kompanitë e identifikuara nga Qendra i zhvillojnë të dyja aktivitetet në platforma elektronike dhe për pasojë kërkojnë licencimin nga të dyja institucionet.

Në rast se një kompani shqiptare kryen rolin e agjentit të një brokeri të licencuar nga një autoritet rregullator jashtë vendit, atëherë kjo kompani është e detyruar të marrë aprovim në AMF dhe të raportojë periodikisht në këtë institucion.

AMF i tha Qendrës se institucioni ka të licencuara vetëm tri kompani brokerimi që mund të zhvillojnë aktivitet në Shqipëri apo të veprojnë si “agjent” i një brokeri të licencuar jashtë vendit.

Eurotrade Securities, Smartcom dhe Prodata Securities janë të vetmet kompani që kanë të drejtën të zhvillojnë aktivitet brokerimi në Shqipëri apo përmes kësaj të fundit në vendet e huaja.