Elvin Beqiri gjatë karrierës së tij ka luajtur për shumë vite në Shkodër. Aty lindi, aty u bë futbollist me emër dhe e mbylli po aty.

Elvin Beqiri natyrisht që nuk ndjehet aspak mirë gjatë gjithë këtyre ditëve kur sheh çfarë po ndodh me skuadrën e tij të zemrës- Vllazninë.

Në një prononcim për “Shkodra Sport”, ish- mbrojtësi i skuadrës shkodrane por edhe i kombëtares shqiptare, do të shprehej:

“Ashtu si gjithë shkodranët e tjerë, edhe unë nuk ndihem mirë kur shoh Vllazninë më të rrezikuar se kurrë për të rënë nga kategoria.

Nuk e kisha imagjinuar se do të shkonte situata deri këtu pavarësisht se paralajmërimet ishin dhënë disa herë këto vitet e fundit.

Ne si ish- pjestarë të kësaj skuadre kuptohet që e vuajmë edhe më shumë këtë gjë, por unë nuk dua të heq dorë nga shpresat deri në fund, ndonëse ka shumë pak të tilla.

Por përderisa edhe matematika na lë të shpresojmë, pse të mos besojmë deri në fund”.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me reagimin e gjithë Shkodrës për këtë situatë apo dhe për protestën e paralajmëruar ditën e premte të tifozëve, Beqiri shprehet:

“Tifozët shkodranë kanë të drejtë të jenë të irrituar dhe madje edhe të protestojnë.

Ata e konsiderojnë Vllazninë diçka të shenjtë dhe natyrisht që kur e shohin atë në një situatë të tillë, duan edhe të reagojnë.

Por për mendimin tim, ndoshta kjo protestë e tifozëve e mira është të bëhet pas të mërkurës së ardhshme, atëherë kur të ketë mbaruar kampionati dhe gjithçka të ketë marrë fund.

Përderisa ka edhe pak shpresa për të shpëtuar, një protestë e tillë ndoshta ndikon edhe për më keq tek Vllaznia.

Prandaj, më mirë që atë ta shtyjnë për javën tjetër do thoja unë”.

© shkodrasport.com