Binak Ulaj, Vuthaj

Krahina e Plavës e Gucisë shtrihet në juglindje të Malit të Zi dhe ka një sipërfaqe prej 486 km2. Është vazhdimësi territoriale e krahinës së Kelmendit, që shtrihet në veri të Shqipërisë shtetërore. Lugina e lumit Luça i lidhë këto dy qyteza, tanimë komuna. Lumenjtë e rrjedhshëm, liqenet e rrethuar me një mbretëri hyjnore pyjesh të dendura industriale dhe majash të larta, mbi 2000 metra, e bëjnë këtë trevë ndër më të bukurat e atdheut tonë. Ndaj, nuk ishte e rastit që kjo krahinë ishte

treva e parë shqiptare, të cilën do ta kërkojë Mali i Zi dhe të cilën do të vendosin t’ ia japin Fuqitë e Mëdha në Kongresin e Berlinit, në vitin 1878. Pas këtij vendimi, në përpjekjet për ta pushtuar me dhunë Plavën e Gucinë, ushtria malaziase do të pësojë humbjen më të madhe nga forcat ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në luftën e Nokshiqit (dhjetor 1879, janar 1880). Falë,

jo vetëm heroizmit, por edhe organizimit me pjesëmarrjen e luftëtarëve nga vise të shumta shqiptare , ishte kjo ndër betejat më të njohura për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare. Përveç pritjes dhe vendosjes se luftëtarëve në familjet vendëse, në këtë betejë, të udhëhequr nga komandanti ushtarak i Lidhje Shqiptare të Prizrenit, Ali pashë Gucia, kanë marrë pjesë edhe shumë luftëtarë të kësaj krahine. Kur ishte dhënë kushtrimi se ushtria malaziase kishte depërtuar në Nokshiq, luftëtarët e Hotit, të udhëhequr nga Alush Smajli, të parët ia kishin mësyrë sheshit të luftës, pa pritur të bëhen bashkë me luftëtarët e Plavës e Gucisë dhe të fshatrave përreth.

Në muajin janar të vitit 1991, kur isha në Hot, mysafir te Xhemajl Sefa Sinanaj (1930) , më kishte thënë: “Në luftën e Nokshiqit kanë marrë pjesë 35 hotjanë të vllaznisë Haxhaj e Hysenaj. Janë vra: Kurt Isufi, Smajl Arifi, Sadik Mehmeti, Imer Isufi, Rrustem e Ethem Isi, Omer Elezi, Fekë Imeri, Bekë Mula, Çun Mula,

Osman Tafili. “ Luftëtarëve hotianë u ishte bashkuar edhe Bajram Musa Dedushaj, i cili ishte plagosur , por kishte shpëtuar. Pas dështimit të ushtrisë malaziase për të marrë Hotin e Grudën, me intervenimin e flotës detare të Fuqive të Mëdha, Malit të Zi do t’ i jepet Ulqini e Tivari. Me gjithë këtë,

Mali i Zi nuk do të heqë dorë nga planet për ta pushtuar Plavën e Gucinë. Në tetor të vitit 1912, forcat malazeze do të mësyjnë Plavën e Gucinë, por do të hasin në rezistencë nga forcat mbrojtës të Plavës e Gucisë , të cilat i mbronin edhe vendkalimet e ushtrisë malaziase drejt Pejës e Dukagjinit, në linjën Pllaninicë Çakorr, që përbën ujëndarësin e Lumbardhit

( Bistricës) të Pejës e Limit. Gjatë luftimeve të ashpra, sipas Ujkan Sadrisë Kukaj, në Jeçmishtë janë vra: Rexhep Selmani Gjonbalaj, Raxhep Faylia, Gal Dervishi dhe Taku nga Martinajt. Në luftën e Grebenit, sipas Isuf S. Balidemaj, është vra Sadik Rama e Zenel Mehmeti Balidemaj. Është vra edhe Mustafë Haxhia Haxhihysaj , për të cilin Rrustem Salihi thoshte : “S’ ka pas asi trimi”.

Përkundër rezistencës së forcave mbrojtëse shqiptare, të mbetura pa përkrahjen e forcave të viseve tjera, ushtria malaziase fal epërsinë numerike ushtarake dhe armatimit të shumtë do të arrijë ta pushtojë Plavën e Gucinë, në tetor të vitit 1912.

Përveç masave për zhbërjen me zjarr e hekur, mbi popullsinë vendëse, shqiptare e boshnjake, do të bie e gjithë pesha e hakmarrjes së egër, shfryrja e inatit dhe e urrejtjes, për disfatën e pësuar në luftën e Nokshiqit. Jo vetëm pjesëtarët e ushtrisë pushtuese, por edhe secili serb a malazias, i kishte duart e lira të vriste e mbyste shqiptarë e boshnjakë. Për këtë arsye, krimet dhe terrori i ushtrisë malaziase do të marrë përmasa gjenocidi. Kujtesa e popullit, krimet e tilla i ka mbajtur mend si ditët e kiametit.

Instruksionet e dhëna nga eprorët ushtarakë malazez, të cilat i përshkruan Ibrahim I. Musiqi , tregojnë se me çfarë egërsie kryheshin ato krime. “Asnjë ushtar malazias nuk konsiderohej ushtar nëse nuk e kishte përgjakur bajonetën dhe grykën e pushkës në familjet plavjane e guciane turke, siç i quanin ata, pa kursyer fëmijët, gratë shtatzëna e, për të sëmurë, apo të moshuar, as të mos flasim. Të gjithë me radhë, thereshin me bajoneta. Kur të kihet parasysh se për të pasur vend në radhët e veta, secili ushtar është dashur të kishte therur së paku një, mund të merret me mend se sa ka qenë numri i viktimave.”1*

Me arsyetimin se nuk kishin pranuar të ndërrojnë fenë dhe të kalojnë në fenë sllave ortodokse, në gjysmën e parë të vitit 1913, në Përvijë, jo larg Andrijevicës së sotme, në kujtesën e shqiptarëve të njohur me emrin Sudnicë (gjykatore, nga se, në këtë qytezë, përligjej dënimi me vdekje e burg të rëndë i shqiptarëve e boshnjakëve për çfarëdo lloj mosbindjeje), janë ekzekutuar mbi shtatëqind shqiptarë e boshnjakë. Ka studiues që pohojnë se ky numër është shumë më i madh. Dihet se ata ishin ekzekutuar, jo pse nuk kishin

pranuar ta ndërrojnë fenë, por për atë se nuk kishin pranuar të tjetërsojnë identitetin e tyre nacional . Vrasjet dhe përndjekja masive e popullsisë së kthyer në Plavë e Guci, me intervenim e faktorit ndërkombëtar, do të përsëritën edhe pas tërheqjes së ushtrisë së Austro- Hungarisë, në vitin 1918. ” Njëqind e pesëdhjetë e një shqiptarë, shumica gra fëmijë e pleq, me të ndjerin Ramë Manin në krye, u vranë pa faj e pa mëshirë prej bishave…po në atë kohë, në katundin Vuthaj të atij çereku, vriten 42 gra, fëmijë dhe pleq shqiptarë me të

ndjerin Bajram Sadikun në krye, dhe digjej krejt katundi prej ma se njëqind shtëpish, mbasi plaçkitej më parë sipas zakonit serb .”2* Përveç terrorit të përjetuar, popullsinë e përndjekur që kishte arritur të ikë në krahun tjetër të atdheut e që ishte vendosur në kampin e Barbullushit të Shkodrës , do ta godasë edhe një gjëmë tjetër- tifoja e morrit, nga i cili do të vdesin disa qindra të ikur nga Plava e Gucia. Në pronat e atyre që ishin vrarë, apo të atyre që nuk ishin kthyer, do të vendosen kolonë nga viset shkretinore të Malit të Zi. Në qoftë se ndodhte të mos ishte kthyer njëri vëlla, atëherë vëllait që ishte kthyer i merrej gjysma e tokës dhe gjysma e shtëpisë, në të cilën vendosej ardhësi. “ Sipas një dekreti të qeverisë së Malit të Zi të dt. 20.2.1914, në prill të vitit 1914, në Vuthaj ishin vendosur 54 familje kuçjane dhe bratonozhiqase” 3* Në forma dhe me intensitet të ndryshëm krimet ndaj popullsisë së pambrojtur do të vazhdojnë deri me kapitullimin e Mbretërisë Serbe Kroate e Sllovene, në prill

të vitit 1941. Ekzekutimet në masë, dhuna dhe terrori, kishin për qëllim spastrimin etnik. Lidhur me këtë, akademik Rxhep Qosja shkruan: “ Politika shtetërore serbe në Kosovë dhe në Maqedoni dhe politika shtetërore malazeze në Rrafshin e Dukagjinit, në Hot e Grudë, në Plavë e Guci, sendërtohej ashtu për mes pushtetit okupues dhe kishte një qëllim themelor : të bëjë spastrimin etnik, mundësisht sa më të plotë, të këtyre trevave prej popullsisë jo serbe dhe jo malazeze, në radhë të parë prej popullsisë shqiptare.”4*

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, ndaj popullsisë shqiptare do të vazhdojë zbatimi i politikës kundër shqiptare. Platforma e një politike të tillë bazohej, kryesisht, në projektin e vitit 1937 të hartuar nga profesori i historisë, Vasa Çubrilloviqi, i cili në referatin e tij të dt. 3 nëntor

1944, kushtuar çështjes së pakicave kombëtare në Jugosllavi, ndër të tjera shkruan dhe porositë: “Paqja dhe përparimi i Jugosllavisë Demokratike Federative mund të sigurohet vetëm me spastrimin etnik të tyre” ( të pakicave kombëtare, b.u.). Duke përfunduar, akademiku serb shton: “ Ndoshta kurrë më nuk do të kemi një rast të tillë bëjmë shtetin tonë etnikisht të pastër.”5*

Në zbatim të kësaj politike, menjëherë pas rënies së Plavës e Gucisë nën pushtimin e jugosllavëve ( tetor 1944), do të fillojë ndjekja dhe vrasja e atyre prijësve dhe luftëtarëve, të cilët e kishin mbrojtur dhe përligjur vullnetin politik të popullsisë për të qenë pjesë e shtetit të vet shqiptar. Gjatë operacioneve për zënien e atyre që kishin luftuar dhe vazhdonin të mos pajtoheshin me ripushtimin, OZN-a përdorte metoda më çnjerëzore. Kur ndodhte të zbulonte

vendqëndrimin e tyre, njësitë ndëshkuese të OZN-s i detyronin familjarët dhe vendësit t’ u prinin përpara duke i urdhëruar :” Ose t’ i bindni të dorëzohen, ose bëhuni me ta e luftoni .” Gjatë një periudhe ishin zënë e ekzekutuar qindra luftëtarë. Një numër jo i vogël i atyre që ishin dorëzuar dhe i kishin shpëtuar ekzekutimit, ishin dënuar me shumë vjet burg nga i cili disa nuk do të dalin kurrë. Për krimet e pushtetit” popullor” profesor Hakif Bajrami shkruan :” Që nga viti 1945 deri në vitin 1947, janë likuiduar 710 banorë të Plavës e Gucisë.”6*

 

Siç më kishte thënë Xhemal Sef(1930), pas LDB-së, më së shumti janë dëmtuar hotjanët. “Në pranverën e vitit 1945, në Fierajë mbi Deçan, janë sulmue 11 hotjanë. 8 prej tyne janë vra dhe tre kanë pshtue. Mas ni kohe, kta tre vinë të shpia e Mehmet Currit, të cilën ia kanë pa lshue grues së Milan Sinanoviqit me katër thmi se e kanë pasë probatin. S’ ka pas burrë e thmitë e vogjël e i kanë marrë n’ mbrojtje. Kur i heton se kanë ardhë ata të tre, ajo e çon ni djalë dhe i lajmron ushtarët. Masi dorzohen, pa i largue shumë, i vrasin: Imer Currin, Metë

Rexheën e Zenel Mehmetiin. Kur i nie pushkët,Raza, nana e Zenelit, shkon me pa çka a ba dhe të tre i gjenë t’ vramë. Djalin, a kenë ma i riu, e gjenë me krye t’ çame e tru të derdhun . I mbledhë trutë, ia ve prapë n’ krye dhe i lidhë me rubë, pa lshue pikë loti. Ajo a kenë nipja e Mic Sokolit, vajza e motrës, e martueme n’ Selimaj t’ Valbons.”

Duke u besuar verbërisht premtimeve të sivëllezërve jugosllavë, se pas luftës së përbashkët antifashiste, do të respektohet e drejta e vetëvendosjes së popullit shqiptar të Kosovës, luftëtarët e kësaj periudhe do të jenë të përndjekur edhe nga regjimi i Tiranës. Përndjekja, vrasjet dhe dorëzimi tek OZN-a famëkeqe i atyre që ishin zënë, do të vazhdojë deri në vitin 1948, kur del në shesh tradhtia dhe planet e regjimit të Beogradit për ta përfshirë Shqipërinë në kudër të Jugosllavisë. Lidhur me këto krime dhe tradhtinë e komunistëve jugosllavë, akademik Qosja do të shkruajë: “ Nuk ishte kjo as gjakderdhja e parë, as gjakderdhja e

fundit që komunistët jugosllavë do t’ ua shkaktojnë shqiptarëve! Dhe, nuk do të jetë kjo as hera e parë, as hera e fundit që kërkesat e shqiptarëve që t’ u njihet e drejta e vetëvendosjes, komunistët jugosllavë do t’ i shuajnë me gjak! Njëkohësisht, kjo nuk do të jetë as hera e parë, as hera e fundit që komunistët jugosllavë i mashtrojnë shqiptarët! Por, ky do të jetë mashtrimi më i madh që komunistët jugosllavë ua bëjnë shqiptarëve. 7*

Dhuna dhe represioni ndaj shqiptarëve do të vazhdojë deri me rënien e klikës së Rankoviqit ( korrik, 1966), ndonëse rankoviqizmi , si ide dhe praktikë politike, do të vazhdojë të zbatohet nga struktura të

caktuara shtetërore. Më 18 korrik, në mes të fshatit Vuthaj, ekzekutohen pa gjyq, Çung Tahiri e Isuf Zymeri Dedushaj. Në vazhdën e luftës speciale ishte edhe pengimi i zhvillimit institucional të shqiptarëve. Në vitin 1956 do të mbyllen e vetmja shkollë shqipe tetëvjeçare dhe dy shkollat tjera fillore , sa kishte në krejt komunën e Plavës, për veç shkollës fillore në Vuthaj. Arsyetimi i organeve shtetërore me shkollë shqipe ku do të gjeni punë?, ishte porosi e

qartë: hiqni dorë nga të drejtat tuaja kombëtare. Bëhuni jugosllavë, ja zhdukuni. Edhe ndalimi i shfaqjes së çfarëdo forme të ndjenjave kombëtare ishte përpjekje për tjetërsimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe dobësimin e lidhjeve shpirtërore me pjesët tjera të atdheut , Shqipërisë. Në dobësimin e lidhjeve shpirtërore me Shqipërinë, do të ndikojë rëndë edhe emigrimi ilegal i shumë qytetarëve nga Shqipëria. Për nxitjen e emigrimit sa më masiv, UDB-a i shfrytëzonte edhe vendasit, sidomos ata që kishin të afërm e miq në anën tjetër të kufirit. Duke i kërcënuar se ky është urdhër i shtetit dhe kush e refuzon atë, është kundër shtetit, rrallëkush guxonte të refuzonte. Të dërguarit e UDB-së, apo terrenistët siç i quanin, kishin për detyrë të kryenin diversione, të dërgonin materiale propagandistike, të rrëmbenin

individë, të ndihmonin arratisjen e familjeve shqiptare, etj. Detyra të njëjta UDB-a do t’ u besojë, dhe do t ‘ i kryejnë, edhe disa nga të arratisur nga Shqipëria. Dhe, më kishte befasuar fakti kur, pas viteve të nëntëdhjeta, një numër i tyre do të shpërblehen nga shteti shqiptar, madje, disa edhe do të dekorohen! “për merita në luftimin e komunizmit në Shqipëri” . Në fakt, ata vinin në një shtet komunist policor, çfarë ishte Jugosllavia, tani e ndjerë, e cila e mbante të pushtuar gati gjysmën e trojeve shqiptare dhe, turpshëm, viheshin në shërbim të UDB-së famëkeqe të saj.

Për aksione të tilla kisha dëgjuar edhe vetë që kur isha fëmijë, ndonëse nuk i dija arsyet , as përse emigrantët jetonin në kamje përrallore në krahasim me ne të pagjëshmit, zbatharakët. Me arratisjen e një numri sa më të madh të qytetarëve nga Shqipëria, Jugosllavia, të cilën të burgosurit politikë kroatë e quanin KUGOSLLAVIA (MURTAJOSLLAVI), synonte të

demoralizonte shtetasit shqiptarë, e me këtë, edhe çrregullimin e shtetit të tyre, me shpresë se do të krijoheshin kushtet për të ndërhyrë “e shpëtuar” atë, duke e futur në kuadër të federatës, t’ ua humbte besimin shqiptarëve në Jugosllavi, çfarë e kishin në shtetin shqiptar dhe t’ ua shuante ëndrrën për çlirim e bashkim kombëtar ( sipas një raporti sekret të CIA-s,

të dt.23 mars 1953, të shpërndarë nga Sali Mahmeti, më dt. 13 mars 2017, numri i emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi, arrinte në 6000.)8* Përveç këtyre qëllimeve ogurzeza , duke u treguar aq “human”me emigrantët shqiptarë, krerët e Beogradit synonin edhe t’ i mashtronin ndërkombëtarët për dëbimin e 400,000 shqiptarëve të Kosovës në Turqi , sipas Marrëveshjes Tito-Kyprili të viti 1953.

Të gjitha këto veprime të organeve shtetërore jugosllave krijonin edhe ndjenjën e pasigurisë e, me këtë, edhe nxitjen e shpërnguljes së vazhdueshme . Ndaj, nuk është e rastit që shpërngulja e shqiptarëve të Plavës e Gucisë, do të arrijë përmasa eksodi. Sipas Entit të Statistikës të Malit të Zi, në Plavë e Guci jetojnë 2719 shqiptarë ( regjistrimi i vitit 2011). Sipas raportit për statistikat e popullsisë së Vilajetit të Kosovës, paraqitur nga diplomati austro- hungare, z Alfred Rappaport, më dt. 22 janar 1916, kazaja e Gucisë kishte 6500 shqiptarë myslimanë, 1000 serbë , ndër ta 500 myslimanë 8*

+ + +

 

Pas mëvetësisë së Malitt Zi, më 21 maJ 2006, është pritur se do të avancohen të drejtat kombëtare dhe politike të shqiptarëve. Kjo, aq më parë ngase shqiptarët janë deklaruar pro kësaj pavarësie dhe vazhdimisht kanë pasur rol konstruktiv. Megjithatë, një avancim i tillë

nuk ka ndodhur në masën që u takon ligjërisht . Në vend se t ‘u kthehen pronat e nacionalizuara në kohën e regjimit komunist jugosllav , ato janë nxjerrë në ankand dhe shitur sipas Ligjit për privatizim. Rast i tillë është edhe shitja e mullirit të Adem Dervishit, të nacionalizuar për shkak të veprimtarisë së tij politike në SHBA, si kryetar i Shoqatës Ali pashë Gucia. Nuk janë kthyer pronat pyjore , që janë një pasuri e paçmueshme. Sipas shënimeve,

44% e gjithë territorit të komunës së Plavës dhe asaj të Gucisë, është e mbuluar me pyje të larta ekonomike. Një pjesë e madhe e tyre janë prona të shqiptarëve. Me pasuritë pyjore qeverisë pushteti qendror. Shpallja Park Nacional e Alpeve Shqiptare ( toponimin Bjeshkët e Nemuna e përdorë historiografia serbe, ndaj është absurde që mrekullitë e tilla të quhen të

 

nemuna), përfshijnë kryesisht prona të shqiptarëve, pjesërisht edhe të boshnjakëve. Edhe me të qeverisë pushteti qendror . Pabarazia në lëmin e punësimit është dukuri e kamotshme. Me gjithë këtë, shqiptarët e Plavës e të Gucisë, i vlerësojnë raportet ndërmjet Shqipërisë e, veçmas ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, si dhe bashkëpunimin e tyre si indikatorë pozitivë dhe premtues.

+ + +

Përkundër masave të zbatuara e mjeteve të përdorura të dhunës dhe të represionit të institucionalizuar shtetëror, as qeveria e Beogradit, as ajo e Podgoricës, nuk ka arritur të zhbëjë e as të shuajë rezistencën dhe përpjekjet e popullsisë shqiptare edhe të Plavës e Gucisë për t’ i realizuar të drejtat e veta kolektive kombëtare e qytetare. Me qëndresën e vet, me vizionin e qartë për të ardhmen e,veçmas, me shkollimin e bijave dhe bijve të vet,

kjo popullsi, ndonëse me mundësi e kushte fare të kufizuara , ka arritur t’ i bëjë ballë politikës së vazhdueshme kundërshqiptare. Vetëm nga fshati Vuthaj sot janë disa qindra të diplomuar në fakultete të ndryshme, fatbardhësisht, edhe jashtë atdheut. Krahasuar me numrin e popullsisë, besohet se nuk ka fshat shqiptar me më shumë intelektualë. Shqiptarët e Plavës e Gucisë, por jo vetëm, mburrën me akademikun e palodhur në dritësimin e mendjeve tona ,

Rexhep Qosjen, me doktorët e shkencave Isuf Dedushaj, Mujë Gjonbalaj, Verë, Halili, Ibrahim e Mehmet Ahmetaj, me regjisorin e filmit Isa Qosja (që të gjithë këta nga fshati Vuthaj), prej nga është edhe shqiptari i parë i kësaj ane i doktoruar në Universitetin e Kembrixhit, Rexhë Meta Ulaj, me akademikun nga Nokshiqi , Esad Mekuli dhe me profesorin Hasan Mekuli, me piktoren e dalluar, Zake Prelvukaj nga Martinaj e të tjerë.

Për krijimin e një armate të tërë shkollarësh, meritë të veçantë kanë shkollat shqipe, të mesmet dhe të lartat, të Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës, Frizajit, Gjilanit. Në këto shkolla, të rejat dhe të rinjtë shqiptarë nga Mali i Zi do të gjejnë , jo vetëm vatrën e diturisë, por edhe të edukimit atdhetar. Në edukimin atdhetar të të rinjve rol të veçantë do të

ketë literatura ilegale e legale nga Tirana, profesorët, por edhe emisionet e radios e, më vonë, edhe të televizionit të Tiranës. Tani, kjo armatë e tërë e jep kontributin e vet anekënd Kosovës dhe në viset tjera shqiptare.

Populli shqiptar i kësaj treve asnjëherë s‘ e ka parë fatin e vet të ndarë nga fati i popullit që i përket e, assesi nga fati i pjesës tjetër të popullsisë shqiptare nën Jugosllavi , që jeton në një kompaktësi territoriale etnike e historike, të ndarë nga regjimi i Beogradit, me qëllim të dobësimit të faktorit shqiptar. Përcaktimin e vet për çështjen kombëtare, ashtu siç e kishte dëshmuar në periudha vendimtare historike, do ta dëshmojë edhe në vitet e nëntëdhjeta të shekullit që lamë pas. Pa shpërthimit të luftës çlirimtare në Kosovë, shumë të rinj shqiptarë

nga Mali i Zi do t’ u bashkohen radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçmas nga SHBA-të, por edhe nga vendi. Imer Kukaj, Sadri Hoti, Ismet Dedushaj, Haxhë Balidemaj, Hysen Bruçaj… do t’ i bashkohen batalionit Atlantiku. Eshtrat e dëshmorit nga Vuthajt, Jeton Dedushaj, prej nga janë edhe luftëtarët Lirak Çelaj e Qamil Ulaj, prehen në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan të Deçanit. Driton Gjonbalaj dhe Skënder Hasangjekaj i kanë ende

në trup plagët nga beteja e Kosharës, të cilën e ka drejtuar edhe Rrstemm Berisha, tani ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, me prejardhje nga Zhanica e Plavës. Përveç kësaj, fondit Vendlindja thërret- Atdheu në rrezik, do t’ i përgjigjen në mënyrë masive. Me këtë rast vlen të veçohet kontributi i Bruno Selimajt, i cili e ka shkrirë gati gjithë pasurinë e tij të fituar me vite në SHBA dhe, pas luftës, ia nisur biznesit nga e para.

Dikur na i mbyllnin shkollat e sot po i mbyllim vetë

Ditë vjeshte e diellzuar. Zhurma gazmore e vogëlushëve e vogëlusheve të shkollës fillore në Vuthaj më kishte bërë kureshtar. Isha ndalur për pak t’ i shihja ashtu të lumtur e të hareshëm. Gëzoheshin se për herë të parë do të luanin me top në fushën e re të sportit, të sapondërtuar enkas për ta. Gëzimi i tyre aq i natyrshëm, më gëzonte edhe mua. Zërat e tyre

të ëmbël, që shpërthenin herë pas here duke luajtur,e bënin të gjallë atë pjesë të fshatit, rrugëve të të cilit rrallë shihje njeri. Të rinjtë dhe të rejat, por edhe turistët e huaj, që e kishin gjallëruar gjatë verës, tanimë kishin ikur. Por, përjetimin e ëndshëm të atyre çasteve do të

ma ndërpresë mësuesi Avdyl Qosja dhe mësuesja Emine Ulaj. “ Këta jenë gjithë nxënësit e shkollës. Gjithsej, dhjetë. Punojmë me klasë të kombinuara . E para me ë tretën dhe e dyta me të katërtën…” Përveç për kushtet e punës, nuk kishte si të mos bisedonim për kohën kur kjo shkollë i kishte rreth njëqind nxënës, ndonjë vit edhe më shumë. Mbi njëqind nxënës i ka pasur edhe kur kam qenë nxënës i kësaj shkolle, në vitet e pesëdhjeta të shekullit që lamë pas, por në një godinë tjetër. Godina ekzistuese është ndërtuar para sa dekadash me mjetet e siguruara nga Qeveria e SHBA-ve.

Ndërtimin e fushës së sportit e kanë financuar bashkatdhetarët tanë në SHBA, djemtë e Sali R. Gjonbalajt , vëllait të Ajshe Gjonbalajt( 1948), anëtares së lëvizjes klandestine për çlirimin e bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Fakti, se prej gjithë atyre veprimtareve të kësaj lëvizjeje , kjo bijë vuthjane ishte dënuar me më së shumti vjet burg, gjithsej 13, dëshmon për aktivitetin dhe përkushtimin e saj atdhetar. “ Ndërtimin e kësaj fushe e kem bërë, jo vetëm të krijojmë kushte sa më të mira për nxënësit e kësaj shkolle, por edhe për t’ u dhënë

kurajë banorëve, veçmas të rinjve, të mos e braktisin aq lehtë vendlindjen, siç po e braktisin”, më kishte thënë Salihi me një rast. Me mjetet e bashkatdhetarëve tanë në SHBA, është rinovuar edhe shtëpia e kulturës përballë shkollës. Kjo, me një shumë jo të vogël, 120.000 dollarë. Që nga përurimi i saj, nuk është zhvilluar ndonjë aktivitet. Ka pak të rinj, e… Nismëtar dhe organizator për rindërtimin e këtij objekti ka qenë Esad Gjonbalaj.

Njësoj, dhe për të njëjtin qëllim, kanë vepruar bashkatdhetarët tanë edhe për rinovimin dhe pajisjen e tërësishme me inventarë të ri të kishës katolike dhe ndërtimin e shtëpisë së priftit në Doli, për çka i kanë dhënë mbi 400.000 dollarë. Siç do të më tregojë Gjergj Dushi , gati s’ ka kush të shkojë në kishë. “ Me i thirrë n’ drekë a darkë të gjithë katolikët e Gucisë, s’ do të bajshin kurrfarë shpenzimi. Prifti na vjen ka i herë për prej Ulqini”, pohon ai.

Numër të vogël të nxënësve kanë edhe shkollat tjera shqipe. Shkolla fillore në Guci, I-V , 24, Martinaj, I-IV, 22, në Plavë,I-V, 58 nxënës. Në shkollën fillore në Vishnjëvë shkojnë nxënësit e tri fshatrave : Vishnjevë, Hakaj dhe Kukaj, I-IV, 11. Klasat e larta të fillores : Guci, VI-IX, 75

dh në Plavë, V-IX, 32. Shkolla fillore në Hot, e hapur në vitin 1963, është mbyllur që nga viti 1989. Gjimnazi në Plavë, mësimi në gjuhën shqipe, i ka 67 nxënës. Maturantët : Elida, Melvina,Puhiza, Jehona, Freskimi, Eriku, Endi , Sindoni, shprehen se duan të vazhdojnë shkollën, studimet. Gjatë vizitës së këtij gjimnazi, pamë se është shembull se si duhet zbukuruar e pasuruar mjedisin e shkollës. Përveç muzeut etnografik, bibliotekës të pasur, të gjitha muret e korridoret janë të mbushura me punime të nxënësve, poezi të autorëve malazez, serbë, shqiptarë, të huaj, me herbariume me bimë mjekues të këtij rajoni, më llojet e balsamuara të peshqve të liqenit të Plavës…

Sipas banorëve të përhershëm, vitin tjetër shkollor, në Vuthaj nuk do të ketë nxënës në klasën e parë. Shumica e atyre pak të rinjve nuk duan të martohen. As vajzat nuk

parapëlqejnë të martohen e të jetojnë në fshat. Madje, edhe disa prej atyre, që prej vitesh jetojnë në fshat, kryesisht gra, shpesh thonë:” Asht dashtë ta thejmë edhe na qafen diku. S’ jetohet ktu…” Dhe, njeriu e ka vështirë ta arsyetojë gjithë atë preokupim për të emigruar e, veçmas, pakënaqësinë ekstreme të ndonjërit. Në kohën kur mbretëronte thatësi e madhe verore dh një zjarr kishte përfshirë një pjesë të bjeshkës dhe malit, më kishte rënë të dëgjoj

edhe diç që s’ kisha mundur ta merrja me mend :” I hiftë flaka qosh e m qosh edhe katunit!!!” Kur dëgjon diç të tillë, s’ ka si të mos i vete mendja njeriut se e gjithë kjo pakënaqësi është edhe pasoj e propagandës së vazhdueshme, e cila s’ ka të ndalur. Kjo tregon se disa ende s’ e kanë kuptuar se koha ka ndryshuar për të mirë, se është koha e veprimtarisë private ekonomike, se duhet liruar nga mentaliteti se vetëm shteti duhet të

investojë. Aq më pak duhet pritur nga një shtet që s’ ka investuar as në të kaluarën. Përkundrazi, ka penguar vazhdimisht. Ç’ është e vërteta, sot ai nuk investon as në vendbanimet me malazez të komunës së Plavës. Gjatë vizitës së këtyre vendbanimeve , më shumë kisha parë të moshuar , pleq e plaka , se sa të rinj. Por, për dallim nga të rinjtë shqiptarë, shumica e të cilëve kanë emigruar në SHBA dhe në shtet perëndimore, të rinjtë malazez , jo pak sish, kanë migruar në kryeqendrën dhe bregdetin e Malit të Zi dhe në Serbi.

Lidhur me vazhdimin e emigrimeve dhe arsyet, biseduam me kryetaren e komunës së Gucisë , zsh. Anella Çekiq, e cila theksoi : “ Është e vërtetë se në Guci, që gjashtëdhjetë vjet nuk janë bërë investime kapitale. Deri para pak vitesh Gucia s’ ka qenë komunë, ndaj tjerët kanë

vendosur për ne. Tani, ne si komunë, jemi të përkushtuar në ngritjen e mëtejme të një administrate funksionale, në të mirë të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Toka e pëlleshme, livadhet, kullosat e, mbi të gjitha, resurset turistike, janë resurse që mundësojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Pasuritë ujore, lumenjtë, liqenet, pyjet, bjeshkët me bukuri përrallore dhe të pasura me bimë mjekësore, janë potencial ekonomik i

pazëvendësueshëm. Ndaj, të rinjtë, por jo vetëm ata, kanë perspektivë këtu, vetëm duhet angazhim dhe dije. E jona si komunë është të marrim veprime përkatëse për qeverisjen e mirë dhe shfrytëzimin racional të potencialeve ekonomike që i kemi. Është e vërtetë se planet strategjike zhvillimore të komunave miratohen nga pushteti qendror,që qeverisë edhe

me pasuritë pyjore e parqet nacionale, ku bënë pjesë edhe Parku Nacional i Alpeve Shqiptare, por ne do të jemi këmbëngulës në realizimin e planeve tona zhvillimore, ashtu siç na e garantojnë ligjet në fuqi, që janë në përputhje me legjislacionin e BE-së”, thotë ajo.

Veç guri i mullinit s’ na ka blue se kemë durue gjithçka

Se në trevat e Plavës e Gucisë veprimtaria ekonomike private është duke e marrë të mbarën dëshmojnë disa raste. Getoar Gjonbalaj, ekonomist, drejtues i firmës tregtare hoteliere” Rosi”, thotë se biznesi i tij është biznes familjar. Punojnë tetë anëtarë të familjes, kurse verës i punësojnë edhe tetë punëtorë. “ Vitin që shkoi dhe këtë vit kemi pasur një numër të konsiderueshëm të turistëve, shqiptarë dhe të huaj. Në Vuthaj, në shtëpinë e rinovuar dhe në

shtëpiza druri, i kemi 65 shtretër dhe 52 shtretër në “ Hotel Rosi” në Guci. Restoranti i hotelit i ka 100 karrige. Ushqimin e kemi nga prodhues vendës. Kemi kontrata bashkëpunimi me agjenci të ndryshme turistike, madje edhe me një agjenci turistike nga Ukraina. Duke parë interesimin gjithnjë e më të madh të turistëve, mendojmë edhe për turizmin dimëror. Për fat

të keq, shton Getoari, rruga Guci Vuthaj, është shkatërruar e tëra”. Me atë rast më kishte vajtur mendja të shakaja e mërgimtarit tonë nga SHBA-të, Ramiz Gjonbaljn, të cilën s’ e kisha kuptuar menjëherë:” Dje i kem shpërthyer dhjetë makina”, duke aluduar në gjendjen e kësaj rruge.

Vitin e fundit, në qendër të Gucisë , janë ndërtuar edhe dy hotele, njëri i Sadri Mehjtt-Hotit dhe tjetri i vëllezërve Nezir, Imer dhe Arif Qosja. Genc Gjonbalaj, po ashtu ka një vetëshërbim në këtë qendër. Adem Isa Gjonbalaj, veprimtarinë e suksesshme në Plavë e ka zgjeruar edhe në Tivar (mjerisht, shumë shqiptarë, madje edhe të shkolluar, e quajnë me

emrin sllav Bar, e patjetër do të duhej ta dinin për dy arsye që s’ bën të harrohen kurrë : është emër vendi i rajonit që lidhet me botimin e “Mesharit” të Buzukut(1555) dhe me tragjedinë e vrasjes nga partizanët” aleatë “jugosllavë, të disa mijëra djemve shqiptarë të rekrutuar me dhunë në Kosovë, në mars të vitit 1945. Edhe një të dhënë: Nëse Tivari, apo

rrethina, në vitin 1555, ka pasur shtypshkronjë për botimin e librave, përkatësisht të Mesharit për besimtarët shqiptarë, mund të paramendohet sa ka qenë numri i shqiptarëve atëherë në Tivar, e sot janë vetëm 121 ose 0,89 %)9*. Jo pak shqiptarë kanë dyqane të vogla. Jo vetëm në qendra, restorante të bukura ka dhe po ndërtohen edhe në fshatra. Hanë Gjonbalaj, me paratë e fituara me punë në Gjermani, ka hapur një restorant të bukur mu të Krojet e Ali pashë Gucisë, burimi i të cilave nuk shteron kurrë, as dimër, as verë, dhe kanë një kapacitet prej 6-7 m3/sec. Edhe Kelmend Ahmetaj- Keli është i kënaqur me punën hoteliere

që bën. Restorant i tij është krejt afër ujëvarës në Vuthaj, andaj verës ka mysafirë të shumtë. Se me veprimtari turistike mund të merren edhe ata që s’ mund të investojnë shumë, dëshmon edhe rasti i Rrustem Dedushajt. Ngjashëm me banorët e Valbonës, Thethit, Vërmoshit…, ai e ka rregulluar një pjesë të shtëpisë për turistë, të cilëve u ofron ushqim shtëpie. Përveç kësaj, turistëve u ofron shërbime edhe me kuaj. Gëzon fakti se edhe një numër i banorëve kanë ngritur dhe po ngrenë objekte turistike shumë të përshtatshme, të cilat nuk kërkojnë investime të

mëdha. Luan Gjonbalaj ka zgjedhur një veprimtari tjetër. Përveç lëndëve drusore për shtëpia, ai e ka edhe një fabrikë për prodhimin e peletit nga drurët e thatë, por edhe nga byku i sharës i terur me kujdes. Sadri Balidemaj, përveç me shitjen e materialit ndërtimor, merret edhe me ndërtimin e objekteve të banimit.

Se edhe blegtoria është veprimtari fitimprurëse tregon rasti i vëllezërve Deli, Zog dhe Metë Gjonbalaj. Që të tre, së bashku me bashkëshortet e tyre, i mbajnë më shumë se 500 dele. Verës, numri i tyre i dyfishuar , jo vetëm e zbukuron bjeshkën, por e përmirëson edhe cilësinë e barit. Bulmetin që e përgatitin nuk e shesin në treg. Të tërin ua blejnë në shtëpi , ndonëse çmimi nuk është edhe aq i lirë. Një kilogram mazë e shesin 15 €. Të ardhura të mira siguron edhe Skënder Dedushaj me rritjen e gjedheve. Tanimë, ai është bërë specialist i tharjes së

mishit. Edhe Shpend Goçaj dhe Gëzim Vuçtaj i kanë në përfundim objektet hoteliere.

Vlen të ceket se të gjithë këta ndërmarrës , ankohen se nuk kanë punëtorë të mjaftueshëm. Të rinjtë nuk donë të punojnë për 300 €. Edhe arat janë shndërruar në djerrina. Vetëm ndonjë kopsht, se rrallë të sheh syri arë të mbjellë. Mjeshtri i rrallë i punës me gurë, tani në moshën 87 vjeçare, Ibrahim A. Ahmetaj, ende punon. Kur e kisha përgëzuar për mbëltimin e 250 bredhave, me çka e kishte zbukuruar mjedisin ku jeton, më ishte ankuar se shpesh nuk kishte gjetur punëtorë. “Kur të ritë s’po donë me punue, po ia nisi vetë .”

Përkitazi me investimet e qeverisë lokale, Ramë Sinanaj, ekonomist, këshilltar për financa në komunën e Plavës, thotë se kjo komunë nuk ka mjete për investime në zhvillim.

” Administrata është e ngarkuar me të punësuar në baza partiake, e jo profesionale. Pushteti qendror , jo vetëm që nuk investon, por nuk na i paguan as mjetet që na takojnë. Nuk na i paguan 70 për qind të koncesioneve për shfrytëzimin e pyjeve, të cilat na takojnë me ligj . Dihet se Plava ka sipërfaqe të mëdha pyjesh ekonomike, por me to qeverisë pushteti qendror. Pronarëve të dikurshëm nuk u janë kthyer pasuritë e paluajtshme, pyjet e kullosat e

 

nacionalizuara nga sistemi i kaluar”. Për emigrimin e të rinjve shprehet se cilësia e standardit të jetesës, ka ndryshuar. “ Të rinjtë e kësaj ane s’ duan të punojnë për pak para, s’ duan të kryejnë zanate. Këtë vit kanë ardhur nga Kosova dhe Shqipëria 300 deri 400 punëtorë. Kryesisht mjeshtër ndërtimi dhe ndihmës. Tanët ëndërrojnë të dalin jashtë e të pasurohen shpejt. Nuk e dinë se edhe jashtë, edhe në SHBA kushtet kanë ndryshuar dhe nuk fitohet

lehtë. Atje s’ ka ditë pune, por orë pune. Duke punuar edhe nga 16 orë, s’ u vete mendja të shëndeti. Jetojnë për të punuar, jo për të jetuar. Kështu, fitimi, një ditë paguhet shtrenjtë. Ka edhe të tillë që kanë emigruar nga se i kanë ftuar të afërmit që kanë biznese jashtë. U duhen për punë . Xhevat Lecaj, ndonëse ka punuar inxhinier i mirëmbajtjes në Postën e Plavës, dhe

ka punuar edhe privatisht si elektricist, ka emigruar me gjithë familje. Kështu ka vepruar edhe Ismet Sinanaj, i cili ka punuar në mirëmbajtjen e rrjetit në të njëjtën postë.” Për arsye të tillë të emigrimit isha bindur edhe vetë para ca ditësh, derisa isha në Jasenicë te familja e Rrustem Salhit. Kujtimi, nipi i tij, do t’ i merrte në Gjermani edhe dy vëllezërit , nuset dhe fëmijët e tyre, Gëzimin, me pesë fëmijë , Afrimin, me katër fëmijë . U ka rregulluar dokumentet, veç prisnin të niseshin . Kur e pyes, pse nuk investon këtu, përgjigjet : “ Hala s’ 10 janë krijue kushtet ligjore e s’ ka siguri për investime. Edhe shteti na pengon.” Duke e dëgjuar tek

arsyetonte ikjen, më ishin kujtuar fjalët e gjyshit të tij : “ Veç guri i mullinit, s ‘na ka blue, se kem durue çka s’ duron njeri.” Me atë rast, axha Jakup Rugova, do të më thotë, duke treguar me dorë :” Shpia jonë i ka pas 30 mashkuj, e sot kemi metë vetëm tre të lodhun… Këtu i kemi pasë 100 hektarë, tokë, livadhe, male e kullosa . Shteti s’ po do me na i kthye. Kemë ba kërkesë me të tjerët e me avokat, por kot.”

Kullat përsëri qesin tym

Nga biseda për dukurinë e dhembshme dhe me pasoja jo të vogla të mërgimit, Rama do të më njoftojë edh për diç shpresëtare. “ Popullsia shqiptare në komunën e Plavës është në rritje. Ka edhe që janë kthyer. Nga SHBA-të është kthyer djali i Ali Hamzës , Sherifi, e ka ndërtuar kullën në Hot dhe jeton në të më familje, është kthyer edhe djali i Sali Sharit Haxhaj

, nga Sllovenia është kthyer edhe jeton në Zabel, Riz Vuçetaj, në rrënojat e kullës së prijësit të hotjanëve në Luftë të Nokshiqit, Alush Smajlit, e ka ngritur kullën e re Ibër Hoti, asamblist i komunës. Numri i shtëpive të pushimit sa vjen e shtohet. Përveç kësaj Rama tregon se hotjanët , me vetëfinancim, e kanë ndërtuar rrugën Plavë – Hot, në gjatësi prej 10 km. Në Jasenicë janë afro 30-40 shtëpi të reja…Rruga e asfaltuar, që lidhë Plavën e Gucinë me Shkodër, në gjatësi prej 108 km., ua ka shtuar vendasve besimin për përparimin e kësaj ane.

Në pikëkalimin kufitar në Vermosh, kalohet edhe me letërnjoftim. Sikur të ndërtohej edhe rruga e filluar Deçan- Plavë, turizmi do të zhvillohej hovshëm. Pjesa nga Plava deri në kufi me Kosovën, në gjatësi prej 26 km., është e kalueshme, por jo me automjete të vogla ndaj, s’ duhen shumë para për ta asfaltuar. Për këtë rrugë, qeveria e Malit të Zi sivjet i ka ndarë 7 ml. € , kurse për vitin e ardhshëm, pritet t’ i ndajë edhe 25 ml. Dy ministrat nga Plava, që janë në Qeverinë e Malit të Zi, janë zotuar se do angazhohen për këtë. Pritet që edhe Qeveria e

Republikës së Kosovës ta ketë prioritet këtë rrugë që nuk është shumë e gjatë. Nga qendra e Deçanit deri në qendër të Plavës, gjithsej janë 52 km. Në vitin 2012, qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Malitt ë Zi kanë arritur marrëveshje për hapjen e vendkalimit sezonal kufitar ndërmjet Plavës e Valbonës. Rruga ekzistuese, deri në pikën kufitare në Qafë të Vranicës, është e gjatë 17 km. dhe është e kalueshme me automjete të larta. Edhe ndërtimi i kësaj rruge që lidhë dy ndër rajonet më të bukura turistike të atdheut tonë, do t’ i kontribuonte rritjes së shpejtë të turizmit,”pohon Rama.

Përveç begative turistike, edhe hapja e kufijve dhe ndërtimi i infrastrukturës, veçmas asaj rrugore, që pritet të bëhet, e kanë ngjallur besimin e banorëve për zhvillimin e përparimin e

Plavës e Gucisë. Këtë besim e dëshmojnë edhe dhjetëra e dhjetëra shtëpi të reja, por edhe kulla, në fshatrat : Martinaj, Hakaj, Kukaj, Vuthaj. Disa prej këtyre shtëpive, nuk janë vetëm godina banimi, por janë monumente banesore. Shumicën e këtyre shtëpive i kanë ndërtuar bashkatdhetarët nga mërgimi, por disa sosh i kanë ndërtuar pasardhësit e të përndjekurve të hershëm me dhunë në Shqipëri e gjetiu.

Në disa raste, të kthyerit i kanë blerë trojet e të parëve nga të afërmit e vet, të cilët i kishin blerë ato para sa dekadash, nga kolonët. I tillë është rasti i Sadik I. Balidemajt , Ragip Martinit e ndonjë tjetri. Ndërtimi i këtyre shtëpive, është dëshmi se mërgimtarët tanë nuk ia kanë kthyer përgjithmonë shpinën vendlindjes dhe se atë e duan me gjithë zemër, por sikur t’ i bashkonin mjetet e të bënin ndonjë investim kapital të përbashkët, do të dëshmonin se, përveç në zemër, në mendje e kanë edhe zhvillimin e vendlindjes, e

me këtë edhe të atdheut. Tani , edhe ligjet në fuqi, edhe kushtet e komunikimit dhe të qarkullimit, e mundësojnë një veprim të tillë me peshë të shumëfishtë.

Malazezimi i fshatrave shqiptare

Derisa nga Plava e tutje luginës së Luçës e deri në Zarunicë kudo të sheh syri ndërtime dhe shtëpi të bukura, në komunën e Plavës ka edhe fshatra shqiptare ku, jo vetëm se nuk ndërtohet shtëpi e re shqiptare, por as që frymon më shqiptar aty. Në Nokshiqin historik, tani

me emrin e sllavizuar Novshiqe, që prej dekadash, s ‘ jeton më asnjë shqiptar. Aty jetojnë vetëm malazeztë. Fshati Pepaj, së shpejti do të ketë të njëjtin fat. Zhanica, është rast ca më i veçantë. Meqë ishim në prag të 105-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ishte rast i mirë që t’ i vizitoja përsëri këto fshatra të qëndresës mbinjerëzore për mbijetesë. Së pari isha nisur drejt Nokshiqit .

+ + +

Dita e parë e nëntorit, e diellzuar dhe e ngrohtë si ditë vere, krijonte një kontrast të thellë me ndjenjat që kisha gjatë rrugëtimit këmbas. Kureshtja dhe ndjenja të pashpjegueshme më bënin të mos ndieja fare lodhje. Do të shkoja aty ku vetëm varret flasin shqip. Por, do të çmeritesha shpejt. Në qendër të Nokshiqit, s’ ka më as varre, as rrënoja të xhamisë së dikurshme, të cilat i kisha parë para ca vitesh. Edhe atëherë kishin qenë të braktisura e të

parrethuara. Atë kohë, thitë, lopët dhe delet , ecnin dhe kullotnin nëpër to, por gurët e varreve nuk i rrëzonin. E tani, filistinët i kishin shkulur e, marrë. Çfarë sakrilegji. Çfarë bisharësh kishin bërë diç të tillë? Sipërfaqja e dikurshme e varrezave dhe e truallit të xhamisë ishte zvogëluar fare. Kishte mbetur vetëm një si rrip i ngushtë, në krye të të cilit ishin vetëm pak gurë varrezash , ca si të gjatë. Vetëm ai që e di se aty kanë qenë varrezat, mund ta

dallojë vendin e tyre. Për mjedis varrezave ishte ndërtuar edhe rruga për automjete, e paasfaltuar. Gjithë ata meritës, burra e burrëresha, të rinj e të reja, pleq e fëmijë- varrhumbur ! Sikur ta kisha parandier se çdo të ndodhte , ca vite më parë kisha biseduar për këtë me një nokshiqas të njohur, por kot.

I irur sa s’ bëhet, kisha bredhur të takoja ndokënd , ngase rrallë shihja njeri . Dhe, pas pak, e kisha takuar një mesoburrë. Quhet Gojkoviq Ratko, i lindur në vitin 1956. Më thotë se ka edhe raki të mirë, por unë nuk e kisha dertin e rakisë. “ Kjo ka qenë shtëpia e Imer Maliqit, ajo e Çelë Manit, e Dan Zeqit, e Smajl Asllanit, e…,” më tregon. Pasi e pyes për rrallësinë e banorëve që më ra në sy, më thotë se ka më shumë pleq e plaka se të rinj e fëmijë. “

Shkolla është mbyllur. Dy djemtë e mi kanë qenë ndër nxënësit e fundit në këtë shkollë, në vitin shkollor 1988/89. Tani, i gjithë fshati, i ka vetëm tre nxënës filloristë. Dy shkojnë në shkollë në Velikë, e një në Murinë ”. Derisa fliste ashtu, si pa dashje, isha lutur vetë me vete Dashtë Zoti e fëmijët e kujtdo qofshin, mos i pagofshin gjynahet e të parëve!

“ Varrezat janë varreza, pavarësisht se të kujt janë”, shton Ratkoja. “ Është e vërtetë se aty ka qenë xhamia dhe varrezat. Në shtëpinë ku ka jetuar hoxha, e që është pranë varrezave, janë Knezheviqët. Tash, aty është vetëm plaku, se të dy bijtë i ka në Serbi. Ata i kanë zënë

varrezat dhe e kanë zgjeruar kopshtin. Ja, aty ku po kullosin delet.” Kur e pyes, nëse do të pranonte t’ i rrethojë varrezat, kuptohet me pagesë, përgjigjet :” Jo! Atë punë s’ do e bëja. Së pari nuk mund ta zë më rrugën e hapur nëpër to, s’ jam ai që mund ta kthejë pjesën e uzurpuar të tyre. Vetëm gjyqi me shërbimin kadastral mund ta kthejë…Nëse dikush prej jush, shqiptarëve, do ta zgjidhte problemin e tokës së uzurpuar të varrezave dhe të rrugës, do t ‘ u ndihmoja.

“ Ngjashëm më kishte folur edhe Milka Knezheviq( 1912 ), tani ndjerë, që jetonte në shtëpinë e Imer Maliqit, kur isha në Nokshiq, bashkë me Ramë Sinanajn, në vitin 1992. Nga biseda me atë shpirtare , që ende mbahej, kisha shënuar :” I kam thënë djalit tim, Markut, që jeton në Prishtinë, t’ i rrethojmë këto varreza. Shumë njerëz të mirë janë varrosur aty… Me

Shkurten kemi qenë si dy motra.” Atë kohë, edhe Millan Simonoviqi (1924 ) më kishte thënë :” Varrezat e vjetra të ilirëve janë të shitorja, por s’ duken në sipërfaqe…Ujkan Colin Mekuli, i cili s ka pasur fëmijë dhe ka jetuar i vetmuar, viteve të fundit të jetës së tij, unë ia kam siguruar ushqimin. Në duart e mia ka vdekur në vitin 1986. Serbët ua kanë kallur shtëpitë shqiptarëve e jo ne, malazeztë.”

Duke e fotografuar vendin e varrezave dhe murin e kopshtit të Knezheviqve të rrethuar me gurë varresh!, mendja më kishte shkuar të varrezat e Zhanicës. Mjerisht, edhe ato janë të lëna shkret dhe janë shumë të vjetra. Këtë e dëshmon edhe ndonjë gur varri me kryq të katolikëve , që e kanë mbuluar barojat e çufrat. Siç më kanë treguar , familja Popadiq, me

gurët e këtyre varrezave kishte ndërtuar shtëpi, por vetëm një natë kanë fjetur në të. Më gjatë, s’ kanë mundur. Me atë rast më ishte kujtuar libri me poezi “ Ardhësit- Këngët e Ali Binakut”, i poetit humanist malazias, dhe vargjet e tij: “ Be bëj -Në varre rritet patatja” … dhe” …Erdhen tokëngrënësit.” Duke përdorur një paralelizëm me këto vargje, ata që i përdhosin gurtë e varrezave , do i quaja varrezangrënës.

Mjerisht, zhdukja e gjurmëve të varrezave nuk është vetëm akt i shëmtuar i individëve, por edhe i vetë shtetit. Kështu ka ndodhur me varrezat në Racin, në qendër të Plavës, ku janë varrosur të ekzekutuarit në grupe, në vitin 1913, mbi të cilat është ndërtuar fusha e futbollit dhe çerdhja e fëmijëve. Po ashtu , edhe mbi varreza në qendër të Gucisë, ka qenë i ndërtuar tregu i bulmetit…

Nuk mund të largohesha nga Nokshiqi, pa e vizituar edhe varrin e heroinës së Nokshiqit, Kajë Maliqes, bijë e familje së trimit rugovas , Zhuj Selmanit. Kur isha ngjitur në kodër mbi fshat, i kisha dalluar lehtë varrin e Elez Buçajt( 1908-1944) dhe të Ujakn Colit(1911-1986), banorit

të fundit shqiptar në Nokshiq. Këto dy varre ishin të rregulluar, por mezi e kisha dalluar varrin e trimes Kajë. Ndonëse i punuar së voni dhe me material të qëndrueshëm e me pllaka me mbishkrim, mezi e kisha dalluar. Të tërin e kishin mbuluar shkurret dhe ferrat. E denjë të nderohet, asaj do të duhej ngritur një përmendore. Jo nga pasardhësit apo fisanakët, por nga institucionet.

Gjatë bisedës për këtë trimëreshë, që kisha bërë më Isa Z. Maliqin Buçaj( 1916) shumë vite më parë, më kishte treguar: “ Kur ka hi ushtria e Malit të ZI në Nokshiq( 1879) dhe burrat kishin dalë të luftojnë, Kaja ish kenë ngujue n’ kullë me Sadri Groshin Buçaj, që ishte qorr në t’ dy sytë. Kaja ia ka mbushë pushkën e s’ i lejshin malazeztë të afrohen. Pas, do kohe, kur

malazeztë iu kishin afrue kullës dhe kishin provue me hi mrena, Kaja i pritke mas dere me sakicë. Ai që e shtike kryet, ajo i mshonte dhe e mbyllte derën, Kur provoje tjetri, njisoj i mshojke. Kulla a kenë pak si n’ shpat dhe sllubat i ka pasë mrena, n’ izmë . Dera a mshelë me drang dhe prezoret janë kanë në katin e sirm, të vogla. Njeri s’ ka mujt me hi për to. Aty a varrue Kaja , n’ krye…” Trimëresa e saj është përjetësuar në këngëmure

Edhe rruga jetësore e pesë djemve të Maliq Hakës është rrugë e luftëtarëve që s’ dorëzohen për së gjalli. Aliu, Syla dhe Deliu do të bien për të mos e lejuar futjen e malazezve në Nokshiq, në vitët e dhjeta të shekullit njëzet, ndërsa djali i katërt, Zymeri, do të vritet rreth vitit 1920. “ Masi a vra Zymeri, kur e ka pa se i ka metë veç edhe ni vlla, edhe ai krejt i ri,

motra Begia, i ka veshë tirqit dhe a ba Vizneshë . I bahet krah vllaut dhe del kaçak me ta. Me 1947, dora e OZN-ës e vret edhe Imerin.” “ Deri vonë mas Luftës së Dytë Botnore, s’ na ka dekë kush n’ shtrat, po tanë kanë dekë prej pushke”, më kishte thënë djali i Imer Maliqit, Syla.

Edhe rasti i motrës së Imer Maliqit është tragjik. Duke mos mundur t ‘ i durojë më torturuat e llojllojshme të OZN-ës dhe duke mos pranuar me asnjë çmim t’ i zbulonte dy djemtë e saj, Bekë e Budak Sefaj, ajo do të shkojë të lumi Luça, do të kridhet në ujë duke u kapur fort për një degë nënujore shelqeje , derisa mbytet. Më pas, gjithë familjen Sefaj do e shkatërrojnë organet e UDB-ës. Tan ka mbetur vetëm Bajrami, i cili s’ është martuar kurrë.

Duke u larguar nga Nokshiqi kisha menduar për një zgjidhje të rastit të varrezave, ndoshta të pranueshme. Në pjesën e mbetur të varrezave, në qendër të Nokshiqit, do të duhej ngritur

një lapidar me mbishkrimin, ta zëmë, Nokës ( të parit të Nokshiqit) dhe pasardhësve që qëndruan këtu! Aty, një herë në vit, në datë të caktuar, do të mblidheshin nokshiqasit, por edhe të tjerët, për nderim. Ndryshe, ahti i gjithë atyre burrëreshave dhe burrave meritës, do të na mallkojë!

S’ ka pas shqiptar që ka ba lum

Me të arritur në fshatin Pepaj, nuk e di ç’ më kishte nxitur, por më së pari kisha shkuar te rrënojat e secilës kullë. Dy sosh ende qëndronin të pa rrënuara . Derisa e përpiqesha ta parafytyroja jetën e njerëzve në to, por edhe djegien e tyre nga bisharë, më ishte kujtuar

thënia e Beqir Sejdisë(1918) : “ N’ Pepaj s’ ka pas shqiptar që ka ba lum!”. Është kjo një thënie proverbiale, sintetizuese, për kushtet e jetesës në fshatin Pepaj, të cilën ma kishte thënë vite më parë ky mendar pepjanë. Rrëfimet e tij për vrasjet, përndjekjet dhe uzurpimet gjatë Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene, por edhe pas LDB-së, janë rrëfime të një jete të zhbërë, dhunshëm.

Për të mos pasur ku të ktheheshin të përndjekurit, edhe në Pepaj ua kishin vënë zjarrin të gjitha shtëpive. “ Ma t’ parën shpi – tregonte xha Sejdiu-, e kanë djegë shpinë e Sejdi Zukës, mandej t “ Prelë Ademit, Bardh Qerimit…” Pasi ishin kthyer shumica e të përndjekurve, i kishin mbuluar disi ato, dhe kishin filluar t’ i lidhin fijet e shkëputura të asaj jete . Përsëri, më 1919,

do të jenë të detyruar të ikin. Pasi kishte kaluar furtuna e përndjekjeve ishin kthyer, por jo të gjithë. Jo vetëm ushtarët e xhandarët, por edhe kolonët e vendosur në pronat e tyre dhe në shtëpitë e atyre që s’ ishin kthyer, do t’ ua nxijnë jetën.” Na bajshin dam, na i shtishin dhetë, loptë , thitë, në ara, kopshte …Në vitin 1920 shteti i ka formue do si kshilla me malazez venali. Ata mujshin me ba çka dojshin: me vra e rrahë ka t’ dojshin. Po, më e keqja ish se

edhe kojshitë i shtike shteti me na vra. E mbaj men kur i kanë vra Hasan Salihin, 27 vjeç, Niman Ducin, 25 vjeç dhe Gjon Prelën, 20 vjeç. I kanë vra kur kanë dalë në mal për dru. Ma vonë, para derës së shpisë së vet, e kanë vra Brahim Delinë, 30 vjeç, Gal Gimën e ka vra shumari para nan’s së vet, më 1937 e vrasin edhe Vesel Gimën, tue ardhë prej Murine.

Ai a kenë i pari prej ktij katuni që e ka pa krye shkollën n’ Pejë. E, nuk kish gja ma fshtirë për ne që e dishim kush na vrajke , e bash qata vishin n ’ krye shnosh . Duhej edhe me i pritë e qitë kafe. Ç’ ka me ba ? E kishim shtetin në shpinë. Edhe kur a hi partia, 44-tën , kemi ikë dhe prapë na i kanë djegë shpiat. Dy plaka që s’ kanë mujtë me ikë, Bejazja, bijë Nokshiqi, 85 vjeçe, dhe nana e Tomë Bacnit, 95 vjeçe, i kanë mytë me çekiq , i kanë qitë në zjarm në shpinë e Tomë Bacanit, masi i kishin vu flakën. Mas dy muejsh, kur jemi kthye, s’ kemi mujtë me i dallue, cilt eshtna janë të njanës, e cilët të tjetrës. Ma vonë jemi shpërngulë mos me hupë gjuhën, mos me hupë krejt. Sot, çuditem kur m’ thotë dikush, ktu, n ’ Pejë, Prishtinë… :

“ Është dashtë të rrini në venin tuaj! Po veni ku kemë le e rritë, veç i yni tek a ? Edhe ai a ven i shqiptarëve a. S’ e dinë se na, shqiptart e Plavës e Gucisë e, sidomos Nokshiqi, Pepajt e Zhanica , jemi kenë prita e parë kundër pushtuesve, prandaj na kanë dëmtue aq shumë dhe aq gjatë”, do ta përfundojë rrëfimin Xha Sejdiu.

“ Këtu, masi ka hi partia, s’ na i kanë kthye as tokat që na i kanë zapue, s’ kem pas as shkollë në gjuhë shqipe, as përkrahje e, sa për njerz tanë n’ punë t’ shtetit,mos dvet hiç.. Ktu jem kenë popull, anmik i shtetit. Edhe për martesa e kemi pas fshtirë. S’ dojshin varzat t’

martohen këtu, midis malazezve”, më kishte thënë Hysen Dreaj (1912), shumë vite më parë. Kur e kisha pyetura se a kanë kërkuar t’ u kthehen pronat, shkollë… ishte përgjigjur: “ Këtu e kem pasë emnin HESHT”! Me pak fjalë, edhe plaku Zymer Istrfi Bacaj(1911), i kishte përshkruar disa dekada: “ Në kohë të fshtira kam le e në kohë të fshtira po des. Kurrë dritë s’ kemë pa.”

Ata pak banorë që kishin mbetur në Pepaj në vitet e nëntëdhjeta, nuk e kishin pasur lehtë. “ Që sa ka fillue lufta në Bosne, as sytë s’ donë me na i pa . Tash edhe toka ka nrrue e jo ma njerëzit . Për ne s’ është ven me jetue këtu. Vajza e kunatës, e ka marrë malazezin…. As tokën s’ po donë të na e blejnë edhe pse e kemë lanë lirë. Donë me hangër falë”, më kishte thënë Fatime Bruçaj, e reja e hoxhë Pepës.

+ ++

Pasi e kisha dëgjuar gjëmën e rrënojave të kullave dhe u kisha lënë lamtumirën, kisha shkuar te shtëpitë e Dreajve, por i kisha gjetur të mbyllura. Më pas do e takoj të riun , Alen Dreajn(1995 ). Pasi i them se isha në shtëpi të tij, por ishte e mbyllur, më përgjigjet : “Kam mbetur vetëm në shtëpi. Dikush ka vdekur, të tjerët janë në Amerikë…” Kur e pyes pse s’ martohet e të krijojë familje, pasi ka tokë, shtëpi, përgjigjet i hidhëruar , thuajse e kisha

pyetur ku ta dish se çka.” A të tregova se kam mbetur vetëm. Çka të bëjë këtu pa askënd timin? Sa t’ m’ i dërgojnë letrat edhe unë ika”, përgjigjet në gjuhën malazeze, sepse shqipen gati e ka harruar krejt. Edhe shkollën e mesme e ka krye në këtë gjuhë. S’ ka as me kë të flasë shqip.” Vetëm katër shqiptarë jetojmë këtu, në tri shtëpia. Unë, Ramë Novaj me grue dhe Omer Bacaj “ shton Aleni, si të donte të arsyetohej pse e di aq pak shqipen.

Derisa bisedoja me Alenin, do të na afrohet fqinji i tij, Millosh Popadiq( 1951) Pasi i tregoj për atë që bisedonim me Alenin, ndërhyn :” Edhe të rinjtë tanë kanë ikur. Punë s’ ka e tokën s’ po do ta punojë kush. As vajzat s’ po duan të martohen në fshat. Po duan t’ u kërcasin takët në asfalt, shton duke qeshur. Përpara kam punuar në KNI” Bor “të Plavës, por tash s’ ka as fabrika, as reparte fabrikash në këtë anë. Na ka harruar që moti shteti.”

Më 13 nëntor isha në Zhanicë , fshatin e fundit shqiptar të komunës së Plavës, që shtrihet në të dy anët e rrugës Murinë –Çakorr. Aty kanë mbetur dhe gjallojnë, tri familjet e vëllezërve Ujkaj. Familja e Ramës( 1975), e Skënderit(1981 ) dhe e Zuferit(1983). Vëllai i tyre i tretë, Omeri(1978 ), jeton me familje në Podgoricë. Punon në shërbime komunale. Që të katër janë djemtë e vëllezërve, Bajram dhe Elez Ujkaj, të cilët jo moti e kanë paguar me jetë

vendosmërinë e tyre për të mos i lëshuar trojet e veta stërgjyshore. Të gjithë banorët tjerë në Zhanicë, janë malazez, apo serbë. Serbë, për arsye se në komunën e Plavës dhe të Gucisë, numri i serbëve është afro tri herë e gjysmë më i lartë se ai i malazezve. Sipas regjistrimit të vitit 2003, serbë kanë qenë 2731, kurse malazez 790 banorë.

Pas pezullimit të asaj gjysmë autonomie që kishte Kosova deri në vitin 1989 dhe protestave masive kundër atij pezullimi, fqinjëria e tyre me malazez do të ndryshojë. Në vitin 1991, Elezin(1931)e kishte plagosur fqinji i tij, Gollubi. Një plumb ia kishte dëmtuar kurrizin dhe më s’ kishte mundur të çohej në këmbë pa e ndihmuar. Siç me kishte treguar vetë Elezi kur e kisha vizituar për rastin e rëndë që i kishte ndodhur, në vitin 1992, ai e kishte blerë një livadh

prej fqinjit, meqë kishin pak tokë e shumë anëtarë Një vit më përpara ngjarjes tragjike, kjo familje i kishte tetëmbëdhjetë anëtarë. Familje tipike e organizuar shqiptare, më shumë anëtarë që jetonin së bashku).

Me një rast fqinji e kishte akuzuar Elezin se ia ka shtyrë mezhdën. Pas fjalosje, kur Elezi e ka parë se fqinji e ka me qëllim të keq, i kishte thënë ta vendoste mezhdën ku thoshte , por ai i ishte i kërcënuar se më s’ është punë mezhde, por duhej të qëroheshin nga aty . Përndryshe… Elezi i ishte përgjigjur se ishte në tokë të vet, se atë ia kanë lënë gjysh e

stërgjysh, se prej tokës së vetë s’ ka kush e largon të gjallë . Një ditë gushti, derisa ishte duke mbledhur sanë bashkë me gruan dhe fëmijët, kishte kërcitur pushka. Pa i vajtur mendja se ç’ po ndodhte, kishte thënë :” Ç’ është ky hajvan që qet kështu e gati na vrau ?” Kur kishte parë se plumbat i binin kah këmbët, e kishte shtyrë djalin në një si gropë . Në atë moment , një plumb e kishte plagosur rëndë, mu në kurriz. Prej atij momenti kishte mbetur i paralizuar. I gozhduar ashtu për shtrat, pas pesë vitesh, Elezi kishte ndërruar jetë, në vitin 1996, duke lënë pas, tre djem e dy vajza.

Pas rastit tragjik të Elezit, vajza e vëllait të tij, Afërdita( 1981) në vitin 2000, më kishte treguar , në gjuhën boshnjake, gjuhën e nënës. “ I mbetur vetëm babai robtohej për të na siguruar jetesën ne dhe familjes së axhës. Atëherë jetonim në një shtëpi dhe fëmijët i kishin mbetur të vegjël dhe pa krah. Pak me tokë e pak me bagëti , disi ia dilnim. Kështu kishim

gjalluar deri në vitin 1999. Në dimër të atij viti, fqinjët malazez na kishin thënë se dikush na i kishte djegur stanet në bjeshkën e quajtur Kërshi i Rushës, jo larg Çakorrit. Më 26 korrik të atij viti, babai, Bajrami ( 1930) e merr vëllanë tim, të voglin, Xhemën, katërmbëdhjetë vjeç, marrin bukë dhe me kalë nisen për në bjeshkë, por nuk kthehen më. Atë ditë e sot s’ dimë

çka i ka gjetur. Të nesërmen kanë dalë fqinjët malazez dhe djali i axhës, Skënderi, t’ i kërkojnë, por e kanë gjetur vetëm kalin, pa litar dhe pa kapistër. Atë kohë, në Çakorr kanë qenë të stacionuar ushtarë dhe paramilitarë vendës…Dhe, askush prej shqiptarëve s’ ka ardhur t’ na shohë , madje as fisanakët, as të afërmit tjerë që i kemi, as ndonjë përfaqësues i subjekteve politike shqiptare. Policia ka ardhur një herë dhe vetëm na kanë pyetur se a ka diç të re. Asgjë tjetër.

Më pas Afërdita më kishte treguar se vetëm vëllai i saj, Rama( 1975) e kishte kryer klasën e tetë, se ajo e kishte lënë shkollën pasi e kishte kryer klasën e gjashtë, ngase e kishte humbur vullnetin, jo vetëm për mësim, por edhe për jetë. Merreni më mend , më kishte thënë: “ Djali i axhës dhe vëllai im kanë qenë në një klasë me djalin e vrasësit të axhës, kuptohet në shkollë në gjuhën malazeze, se s’ kishin shkollë shqipe. Përveç kësaj, edhe nxënësit tjerë serbë e malazez i ofendonin duke i quajtur turq… Edhe fqinjët na thoshin : Siç e kanë lypur e kanë gjetur, ikni në Kosovë!…” Më tej ajo tregonte se si nuk kishte pasur rast të shoqërohej me shqiptarë a shqiptare , se s’ dinte si do ta pranonin dhe si do ta përjetonte një gjë të tillë” Të gjithë janë shpërngulur, vetëm ne kemi mbetur. Më saktë, babai e axha na kanë lënë këtu, porse s’ mund t’ i fajësoj. Aq më parë kur s’ janë më të gjallë”.

Vrasja e Elezit dhe e Bajramit, dy kryefamiljarëve të vetëm me banim të përhershëm në Zhanicë, do të thoshte rrezikim i shkatërrimit të dy familjeve të fundit shqiptare në këtë fshat. Fatmirësisht një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Familja ishte shtuar dhe vazhdon të shtohet.

Tani, kur i vizitoj sërish, pas sa vitesh, në atë rrëzomë, vërej se gjendja nuk ka ndryshuar shumë. Së pari, sipas rendit, shkoj të Rama. Jo vetëm pse është më i madhi ndër vëllazëri, por se ka mbetur edhe pa babë, edhe pa vëllanë e vetëm. I kanë vra e zhdukur. Si para ca dekadash, as tani familja e Ramës prej pesë anëtarësh, nuk ka ujë brenda, banjë, orendi…Vazhdojnë të jetojnë zgriptas, si para gati tridhjetë vjetësh, kur isha për herë të parë. I vetmi

ndryshim ishte se nuk jetonte në të njëjtën shtëpi si dikur me djemtë e axhës, Elezit. Ata e kanë ndërtuar një shtëpi të re, ndonëse e papërfunduar krejt.

“ S’ kem gjë toke, më qanë hallin Rama, por edhe sikur të kishim, s’ ka kush e punon, shprehet në gjuhën boshnjake. Unë jam i paaftë për punë, jetoj me një ndihmë prej 75 eurosh, fëmijët janë të vegjël. Vajza, Elzana , është në klasën e parë gjimnaz, kurse djali, Eldini, në klasën e gjashtë”. “Një lopë e mbajmë brenda, në kasolle”, tregon e shoqja . “ Nuk e lëshojmë jashtë oborrit. Duhet ta ruajmë mos të hyjë në livadhe të fqinjëve se …Kur ka hyrë një ditë në livadhin e fqinjit, Rastoderit, na është kërcënuar: “ Çka po mendoi ju? S’ është Kosova këtu, he n…” Ç’ të bëja, isha ngutur të largohesha …”

Kështu e ka jeta e ndrydhur e tyre. Jo një muaj, vit, por me dekada . Jo vetëm për t’ i ngushëlluar , Ramës dhe të shoqes, u them se nëse do të duan ta vazhdojnë shkollimin Elzana dhe Eldini, institucionet tona arsimore do t’ ua mundësojnë të studiojnë në Tiranë, apo në Prishtinë. Përveç kësaj, duke pasur parasysh veprimtarinë e deritashme të Fondacionit për Plavë e Guci, me seli në Nju Jork, i cili vetëm këtë vit e ka financuar ndërtimin e dy shtëpive të reja, njërën për Zef Vukajn e tjetrën për Haxhi Goçajn, Ramës do t’i premtoj se do ta njoftoj këtë fondacion për aksionin e ndërmarrë nga miqtë e kësaj familjeje, Smajo dhe Zuvdo Srdanoviq, nga Plava, për grumbullimin e mjeteve për ndërtimin e një shtëpie të re modeste dhe se aksionin do e përkrahim edhe ne këtu. Më pas, së bashku me Ramën dhe nënën e tij, do të shkojmë të Skëndri (1981). Na mirëpret bashkë me vëllanë, Zuferin(1983), nuset e tyre dhe nënën.

Shtëpia e tyre është në të njëjtin oborr me atë të Ramës. “ E kemi ndërtuar deri këtu, por ka ende shumë punë, do t’ më tregojë Skënderi. Unë dhe vëllai kemi punuar së ndihmës mjeshtër e tani, jemi aftësuar edhe vetë dhe i kryejmë të gjitha punët e mjeshtrit. Kemi marrë edhe tokë të punojmë, se kemi pak tokë, por s’ ia kemi parë hairin. Përkundrazi. Vjet

na e kanë helmuar një e sivjet dy lopë në livadhin që e kemi marrë ta punojmë e që është pak larg shtëpisë sonë. Dëmi, mbi tremijë e pesë-gjashtëqind euro. Fqinjët malazez nuk duan të na shohin se forcohemi ekonomikisht, por duan të na shohin të robtohemi . Ka vite që s’ na ka ardhur shqiptar të dera, prandaj e kam harruar gati shqipen. Për subjektet politike shqiptare, as të mos flasim. E ne, gjatë luftës në Kosovë, kemi pritur e ndihmuar dhjetëra

familje, veçmas rugovase, ku është e martuar tezja. Zuferin, pasi i ka dhënë 15. 000 dollarë,

 

e kanë qitur në Amerikë, por e kanë zënë dhe burgosur . Pas shtatë muajsh e kanë kthyer. S’ ka pasur kush t’ i ndihmojë. Kur i pyes për festën e Vitit të Ri e ndonjë tjetër , thonë se i festojnë , por pa bujë. Prej se na kanë vra babën, axhën e djalin e axhës, as urrejtjen dhe as gëzimin , nuk i manifestojmë zhurmshëm. E dimë se fqinjët i kënaq të dukemi çfarë s’ jemi dhe të bëhemi çfarë s’ mund të bëhemi.” Me atë rast nëna e Skënderit ndërhyn. E kuptoj ç’ dëshiron të thotë – ne jetojmë këtu, e ti…

Ngritja e nga një gote me raki vendi dhe dreka e mrekullueshme që kishte përgatitur nusja e Skënderit, e ndihmuar pak edhe nga motra, që të dyja janë edhe kunata,e kishte bërë të vetën- pa e hetuar, biseda për hallet e vazhdueshme, ishte shndërruar në një bisedë të lirë familjare. Mahitë për raportin vjehërr- re, për shëndoshjen ca si shumë të Zuferit, “ falë kujdesit të nuses se tij”, kishin bërë që koha e drekës të kalonte në një atmosferë vërtet të

këndshme. Por, ajo që e bënte edhe më të këndshme ndejën dhe i jepte kuptim edhe shkuarjes time aty, ishin fytyrat e bukura gazmore të fëmijëve të Skënderit : Selmës( 11), Alennit(10),Anelës(7) dhe të Zufrit: Elezit(10), Melindës(9) dhe Enesit(8). Mungonin tre fëmijët e vëllait, Omerit, e dy të Ramës, Elzana ( 15) dhe Eldini (12). Dhurata modest që ua kisha dhënë, jo vetëm që i kishte lumturuar, por i kishte bërë aq të afërm me mua mu sikur të më kishin njohur e ta kishin përjetuar dashurinë time që moti.

Duke pasur parasysh mjedisin ku jetojnë, kisha menduar : Sa do të gëzohej ajo tufë fëmijësh nëse ndonjë individ, shoqatë bamirëse, apo shoqatë e nxënësve, t’ i vizitonte dhe t’ u jepte dhurata për Vitin e Ri, sikur t’ i vizitonin, me ndonjë rast tjetër , nxënësit e ndonjë shkolle shqipe, të ndonjë shkolle ku mësojnë shqiptarë, boshnjakë e malazez, e të tilla ka edhe në Plavë, Guci, Tuz , Ulqin, Rozhajë, apo edhe nga vise tjera. Sa do të gëzoheshin ato vogëlushe e vogëlush sikur të ftoheshin për pushime verore të organizuara për nxënësit e shkollave, në Durrës, Vlorë, Sarandë, Prizren, Strugë, Ulqin…

Gjenet trashëgohen e fatit të njeriut nuk i dihet. Një rast i vetëm e ndërron rrjedhën e jetës.

Ibrahim Ibro Musiq, Plvën e Guinë i ngriu pikëllimi, Plavë.2006, f.40,
Hakif Bajami, Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës ( 1884-1995),f. 77,
Hamdija Sharkinoviq, Boshnjakët prej Naçertanies deri te Memorandumi, Podgoricë, 1997,

f.85
Rexhep Qosja, Çështja shqiptare, historia dhe politika-programt serbe për shpërnguljen e shqiptarëve, Prishtinë, 2010, f.136
Revista “ Mladina”, nr. 48, Lubjanë, 1988
Hakif Bajrami, vep. cit.
Rexhep Qosja, Çështja shqiptare, historia dhe politika , Prishtinë, 2010, f.191
Fitim Raifi, Koha ditore, 16.12.2017
Enti i Statistikave i Malit të Zi, regjistrimi 2011