Barazimi i Vllaznisë me Kamzën nuk është përjetuar mirë në Shkodër.

Dje tribuna ballore ishte e mbushur dhe tifozët i mbështetën fort kuqeblutë, por në fund u larguan të zhgënjyer.

Në stadium ishte edhe deputeti Tom Doshi, që e shprehu hapur pas takimit se ishte i pakënaqur.

Gjithsesi ai shpreson se deri në fund Vllaznia do të arrijë ta sigurojë qëndrimin në Superiore, por në fakt duhet thënë se nuk do të jetë aspak e lehtë,

pasi Teuta dhe Kamza momentalisht kanë dy pikë më shumë se shkodranët.

“Jam shumë i pakënaqur me ekipin, mendoja se do të fitonin. Është një premtim që e kam bërë, që do e mbështes Vllazninë.

Jam i pakënaqur. Mbështetja ekipit nuk i ka munguar në asnjë aspekt,

edhe stadiumi ishte i mbushur, njerëzit e mbështetën Vllazninë.

Mbijetesa? Shpresojmë, asnjëherë nuk duhet t’i humbim shpresat”, ka thënë Doshi për të përditshmen sportive “Sport Ekspres”.

Vllaznia renditet në vendin e parafundit me 38 pikë, ndërkohë që ndeshjen e radhës e ka në kryeqytet kundër

Partizanit, për të vijuar më pas me përballjen me Kukësin në shtëpi dhe ndaj Skënderbeut në Korçë.

PRIVATIZIMI – Është një nga çështjet jetike të klubit të Vllaznisë, pasi me këtë mënyrë menaxhimi edhe

rezultatet e ekipit nuk kanë qenë të mira, çka ka bërë që vjet mbijetesa të zgjidhet në ndeshjen e fundit, gjë që duket se do të ndodhë edhe këtë sezon.

Afrimi i një biznesmeni në krye të klubit është me shumë rëndësi dhe i vetmi që hapur e ka shprehur se është gati të blejë aksione është ish-presidenti Valter Fushaj.

Deputeti Doshi, një biznesmen i suksesshëm, që në fushatë e pat shprehur se do ta ndihmojë Vllazninë,

por kur pyetet në lidhje me privatizimin, ai thekson se nuk ka asnjë pretendim në lidhje me këtë.

Gjithsesi premton që do të jetë pranë klubit duke kontribuar, pa u përfshirë më shumë.

“Privatizimi? Jo, nuk kam ndonjë pretendim për privatizimin.

Unë do ta mbështes Vllazninë edhe në të ardhmen, kushdo që ta marrë ekipin”,

ka thënë Doshi pas ndeshjes Vllaznia-Kamza, e luajtur një ditë më parë në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. /EDS/