Fatmira NIKOLLI
Në një shtëpi përdhese pas Kishës së Madhe, dëgjoheshin çdo mbrëmje tingujt e një pianoje bojëkafe. Heshtnin pas mesnate dhe rinisnin me agun e ditës së re, prej orës 4 të mëngjesit.
Fqinjët, si Ana Shkreli e kujtojnë ende shpërndarjen harmonike të kompozimeve më në zë. “Mrikën” e dinin përmendësh, para se të vihej në skenë. Edhe “Skënderbeun” e kishin dëgjuar

 

të parët. Nata ish e pentagramit, dita po ashtu. Prenkë Jakova punonte për orë të tëra, kërrusur mbi partitura, mbi piano, mbi letra. Harronte edhe kafenë që nana Rozë ia linte mbi tryezë. Herë-herë, kur lodhja e mundte, dilte para shtëpisë dhe bëhej kopshtar.
Kompozonte edhe kur ecte, shpesh nuk i vinte re kalimtarët dhe mbasi kalonte disa metra, kthehej dhe përshëndeste me dorë nga larg. Ai burrë i gjatë, me shpatulla të gjera, me ballë të lartë, e shtrëngonte baketin me gishtat e pianistit, kompozonte “Margjelën”, dhe vuante,

 

për vendin ku jetonte, për të vëllanë që ia pushkatuan komunistët, për nanën Rozë që dikur mbeti mbyllur në shtëpi, për kritikat që e rrezikonin, për gojët që e përflisnin, për ato që nuk kish mundur t’i kishte, për pengjet që gërryenin. Gjeniu i trishtë, kompozitori i madh, megjithëse mundohej të luftonte me artin që la, me natyrën e hokatarit shkodran, dikur, u dorëzua.

Kalonte përditë rrugës së Gjuhadolit për të shkuar te Shtëpia e Kulturës. Një ditë, nuk u kthye më asaj rruge, as nuk përshëndeti, tingujt atë mbrëmje heshtën, edhe mëngjesin e ditës tjetër. Pianoja mbeti pa zot. Baketi po ashtu. Një orë me akrepa ndalur dhe një paketë

 

cigaresh, u kthyen në shtëpinë përdhese, që mbeti e heshtur. Prenkë Jakova, u lodh, iku. La pas shumë vepra të arta, shumë dyshime e errëta dhe shumë pikëpyetje. Vasil Tole, muzikolog e sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave kujton se “askush si ai nuk u largua nga kjo botë i përcjellë nga tingujt e bandës muzikore që e kishte krijuar vetë, pa pasur mundësinë që dikush nga ne t’i thoshte lamtumirë e faleminderit, t’i thoshte se sa shumë ne të gjithë, e jo vetëm shkodranët e duam atë dhe muzikën e tij, se sa shumë i jemi mirënjohës për gjithçka bëri në mënyrën e vet, për muzikën tonë kombëtare!”

100 VJET ME TË (48 PA TË)
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes(1917-1969), dje në Akademinë e Shkencave u mbajt një konferencë shkencore, u çel një ekspozitë dhe u luajtën pjesë nga krijimtaria e tij muzikore.
Mes sendeve personale që u shfaqën për publikun, dallohej shkopi me të cilin dirigjoi opera e parë shqiptare, “Mrikën”, orën e dorës, çantën e partiturave, medalje e certifikata nderimi dhe paketën e cigareve që iu gjet ditën e vetëvrasjes në xhepin e xhaketës. Paketa “Partizani”,

 

me një yll të kuq, ka peshën e 48 viteve, sa ç’është pesha e viteve pa të. Po aty, i zbehtë dhe i shkruar me laps, është kompozimi i fundit, Hymni i Republikës Popullore të Shqipërisë- i padëgjuar asnjëherë, i strukur mes sendeve që la e që familja i ruajti.

 

Fotografitë, e shfaqin me fizarmonikë në rrugët e Shkodrës, mësues në Bërdicë, mbi partiturat e “Mrikës”, me Llazar Siliqin, madje me familjen- të atin Kolën, nënën Rozë dhe vëllezërit Dedën, Ndocin e Çeskun. Një në anë është shtëpia ku jetoi e bëri muzikë, ajo nuk ekziston më, veçse në kujtimet e të afërmeve, si vetë Prenka.
“Askush si ai nuk e filloi dhe nuk e mbylli

krijimtarinë mes dy himneve: himnit fetar të shkollës françeskane dhe himnit shtetëror të Republikës; askush si ai nuk u burgos prej kompozitorëve shqiptarë dhe nuk u përball me kalvarin e vuajtjeve familjare dhe askush si ai nuk e preku diktaturën si dhembje, por edhe si joshje prej saj”, tha muzikologu Vaso Tole.

NË KUJTIMET E FAMILJES DHE FQINJËS
Fqinja Ana Shkreli, ka më shumë ndjesi se sa kujtime. Atëherë, kur ai u vetëvra, ishte në të njëzetat. “Ka qenë humbje e madhe jo vetëm për ne që e kemi njoh e jemi rritur me të. Kur u dha shfaqja e operës ne e dinim përmendësh. E dëgjonim çdo natë edhe në 4 të mëngjesit. Për ne ishte kënaqësi”, kujton ajo. Flet për probleme të Prenkës, di se kishte dhe intriga, por

 

jo për të gjitha flitej hapur në atë kohë. Dyshon, se vetëvrasja nuk qe e tillë, se u shty nga dikush. Prenka nuk mund ta bënte. “Kam dyshimet e mia për aktin ekstrem. Ne me familjen e tij kemi pasur miqësi qindravjeçare. Ai, as për besimin e krishterë, as për kulturën e as për edukatën që kishte, nuk do vriste veten. Nuk ia pranojmë si gjest. Ka qenë në gjendje të rëndë psikologjike, por e kanë shtyrë. A e bëri vetë, apo e hodhën? Nuk dihet. Ai iku atë ditë

 

te Shtëpia e Kulturës dhe nuk erdhi më në shtëpi i gjallë”. Në Shkodër, është folur shumë për vdekjen e tij, e tani, Ana Shkreli thotë se ka ardhur koha të dalë e vërteta. “Ajo nuk doli kurrë”.

Nipi i tij fotograf, Nikolin Jakova kujton se “axha ishte ndonjëherë aq i ngarkuar sa kaloja në rrugë e nuk me shihte. Punonte më orë të tëra dhe harronte kafen që i çonte gjyshja”. Ende përlotet nga kujtimet e tij. mban mend mirazhin e tij në shtëpinë njëkatëshe, e mandej dhomën që e la mbyllur përgjithnjë. “Kur donte të pushonte, dilte në kopsht e merrej me domatet e specat”, thotë nipi.

Dhimbja e pushton kur e pyet për vetëvrasjen. “Ka pasur gjithnjë dyshime”. E pyes nëse ndonjëherë janë bërë hetime dhe rrudh buzët. “Ishte kohë e vështirë. Nuk na u tha gjë edhe, nëse u bë hetim”. E mbajtën zinë në shtëpinë e 1800-ës, ku kish lindur patrioti Kolë Jakova dhe katër djemtë e tij. Nipi, përmend kujtimet e Eno Koços i cili tha se e kritikuan për Operën

 

“Skënderbeu”. I thanë që ka dalë e gjatë. Jo pa ironi, kritikuesit patën marrë përgjigje se kompozitorët e mëdhenj kanë shkruar opera 4 orë për “femrat e përgjithshme” e si të mos shkruhej një e gjatë për heroin kombëtar, por Prenka qe ndjerë i fyer. E mpakën, e trembën, e lodhën derisa gjeniu i muzikës, që kish jetuar si njeri i madh, zgjodhi të vdiste si i tillë. Pulla postare e emetuar për nder të Prenkës, e shfaq të hequr, riosh si shpirti që banoi në ëndrrat e tij.
Djali i një argjendari, imori mësimet e para në mzuikë nga At Martin Gjoka, mandje mori mësime në violin e kitarë. Në kohën e luftës dha mësim në Bërdicë e mandej në Orosh të Mirditës e po gjatë luftës u shkollua për pak muaj në Romë. Erdhi për të drejtuar orkestrën e Shkodrës, për të vënë në skenë melodramën “Juda Makabe”, për të kompozuar “Kangën e

bariut”, për muzikë për kishën e muzikë instrumentale, për muzikë për drama, filma, melodrama, e opera, për harmonizime këngësh popullore për kor e orkestër, për këngë, romanca e pjesë korale- nxitoi, vrapo, krijoi dhe aq shpejt sa jetoi e punoi, po aq, si të kish ditur se koha po i mbaronte, vdiq. “O kob, o kob i zi”, si vargjet e “Mrikës”, për të cilën miqtë e përqeshën “opera pa mëndafsh e kadife” a “opera me veshje mirditore”, “opera me brigadë e me vegla minatorësh”.