Gjuetia e ish-nazistëve me identitet të ndryshuar ishte një punë e vështirë për prokurorët e Gjermanisë së pasluftës. Në të dyja anët e bllokut të ndarë ideologjikisht midis Perëndimit dhe Lindjes,

gjermanët ishin përfshirë në një kërkim të ethshëm të provave për ish-nazistët e fshehur tashmë në radhët e një shoqërie që nuk mund të gjente paqe pa kryer procesin e vetëpastrimit.

Në këtë frymë, shkrimtari gjerman Siegfried Lenz publikoi në vitin 1968 librin që në variantin e shqipëruar njihet si “Dosja e Kaltër”. Në të rrëfehet se si një ish-oficer SS nazist, nën petkun e një zyrtari publik, pranoi akuzat për krime lufte

ndaj civilëve në Rusi, pasi pa mbi tavolinën e prokurorit të çështjes një dosje të kaltër me shkronja cirilike mbi të. Dosja ishte bosh, por mendimi i oficerit SS se në të mund të ishin prova të dërguara nga autoritetet ruse mjaftoi për të pranuar fajësinë.

E pra, një dosje të tillë të kaltër bosh duket se po i servirin edhe Saimir Tahirit, që së fundmi u rishfaq në publik pas 6

muajsh heshtje, me një artikulim emocionalisht të ngarkuar. Ai zgjodhi jo rastësisht një moment të tillë, kaq delikat, për të folur. Shqipëria ka marrë një rekomandim pozitiv nga

KE-ja dhe pret në qershor vendimin e shteteve anëtare të Unionit për të kuptuar nëse negociatat do të çelen përfundimisht me të.

Pikërisht takimet lobuese të kryeministrit me liderët e vendeve anëtare të cilët duhen bindur që të mos

pengojnë ecurinë e vendit drejt BE-së, duket se shtuan edhe më shumë presionin ndaj ish-ministrit të brendshëm. I shfaqur fillimisht në seancën parlamentare të 19 prillit pas më se 6 muajsh dhe në prag të djegies së afatit për mandatin, lëvizja e

Tahirit u interpretua nga të gjithë si vullnet për të ruajtur mandatin, por dorëheqja e tij dy ditë më parë tregon për një ndryshim skenari…

Tahiri duhet të gjykohet si qytetar i thjeshtë. Kjo është ajo që i kanë kërkuar me gjasë diplomatët e huaj

dhe liderët evropianë kryeministrit, sa kohë që pas lajmit të largimit të Tahirit nga parlamenti ambasadori amerikan Donald Lu reagoi duke e përgëzuar vendimin e tij. Tahiri bëri një tjetër

lëvizje në favor të kryeministrit, por nuk e la pa e shfrytëzuar edhe në dobi të tij.

Zgjedhja e tij për të folur jashtë foltores së kuvendit, në një kohë kur seanca kishte filluar, ishte ajo çka parathoshte mesazhin që Saimir Tahiri kishte

përgatitur për të dhënë. Fjalimi i tij i përgatitur në letër dhe i lexuar me sy të përlotur dëshmonte për një strategji komunikimi të mirëmenduar, e cila kishte për synim të dilte mbi palët, si shenjë e epërsisë morale.

“Të dëgjoj që ma bën gjyqin kjo racë, që me politikë ka vjedhur e prej politikës nuk është ndëshkuar….

Nuk e pranoj për askënd e asgjë, kurrë.” Kjo lloj kritike e fortë e ish-ministrit të brendshëm në adresë të gjithë klasës politike ishte dhe pika e forcës së Saimir Tahirit, i cili tërheqjen nga parlamenti, me gjasë të kërkuar, synoi ta shndërronte

në instrument për të fituar edhe më shumë mbështetjen në opinionin publik.

Megjithëse nuk kurseu as socialistët e tij kur tha se “tani janë bërë bashkë të gjithë kundra meje…” sërish Tahiri dukshëm i mëshoi më shumë akuzave në ngarkim të

kundërshtarëve të tij politikë. Një zgjedhje kjo që nuk përjashton një rikthim të tij triumfalist në radhët e dikurshme. Por nëse kjo taktikë shërbeu për të marrë lavdërimin e kryeministrit, i cili e konsideroi gjestin e Tahirit si “një akt dinjitoz të paprecedentë në këto 25 vite”, opozita e kundërshtoi në mënyrë të vakët.

Reagimi i Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit nuk ishte i të njëjtit tonalitet force me akuzat e lëshuara nga ish-ministri i Brendshëm. Prej tyre ra në sy nënvlerësimi i aktit të dorëheqjes, duke marrë shkas për të sulmuar sërish kryeministrin Rama. Më shumë se çështje hierarkie, kjo zbehtësi e reagimit të opozitës ndaj Tahirit mund të përkthehet si një sinjal jo i mirë për karrierën e ish-ministrit të brendshëm, që e di i pari se kur bie

interesi në politikë. Por kjo zbehtësi mund të jetë edhe shenjë e frikës së opozitës, duke e ditur mirë se pas Tahirit loja hapet edhe për zyrtarë të tjerë nga radhët e PD-së dhe LSI-së. Sa e vërtetë është se karriera e ministrit më jetëgjatë të punëve të Brendshme është drejt fundit?

“Dosja e kaltër” me shkronja latine e çelur në Itali duket se nuk ka asgjë brenda vërtet për Saimir Tahirin, të paktën referuar asaj çka është bërë publike. Shitja e makinës vëllezërve Habilaj,

përgjimet pa referime nominale, apo dhe akuzat në arrati të një ish-oficeri policie si Dritan Zagani nuk kanë prodhuar asnjë lidhje të drejtpërdrejtë kompromentuese të Tahirit me trafikun e drogës.

Aq më tepër kur dëshmia e financiarit të Habilajve, Nazer Seitit, e cila pritet t’i vihet në dispozicion drejtësisë shqiptare rezulton, sipas raportimeve të mediave italiane, se nuk ka përmendur asgjë konkrete për Saimir Tahirin.

Vetë Tahiri shfaqet me një koeficient të lartë sigurie, edhe për shkak se figura e tij ka reflektuar besim tek italianët. Futja në rrugë gjysmë-ligjore e pajisjes së përgjimit të shërbimeve sekrete

italiane me qëllim hetimin e grupeve kriminale si dhe bërja publike e hetimeve për vëllezërit Habilaj pas zgjedhjeve janë sinjale mes rreshtash për një raport konfidencial mes tij dhe homologëve italianë. Vërtetimi ose jo i secilës prej këtyre

deduksioneve është peng i kohës, që do të tregojë nëse vërtet Tahiri do e hedhë këtë lumë, apo nëse lumi do të bëhet det me tallaze të vështira për t’u kapëcyer.