Historia ime nis që në vitin 2007. Jam martuar me Sejat Olldashin. Gjatë martesës kanë lindur dy fëmijët, Eno dhe Ersi Olldashi. Kemi patur mosmarrëveshje me ish – bashkëshortin dhe kemi vendosur që të ndahemi. U largova dhe kam marrë vetëm djalin e vogël se djali i madh ishte në shkollë”, rrëfeu denoncuesja.

Më datë 15 Shtator 2017, pasi përmbarimi ekzekutoi vendimin për kthimin e djalit tek e ëma, Sejat Olldashi iu drejtua shtëpisë së saj dhe e tërhoqi zvarrë të birin, duke e marrë sërish me vete në fshatin Grazhdan, ku ai jeton.

“Më mungon shumë. Unë kërkoj të bashkohem me vëllain tim…”, tha djali i tyre 4 – vjeçar, Ersi.

Gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi me avokaten e denoncueses, Margarita Kolën, e cila tregoi se pavarësisht vendimit të gjykatave dhe ndërhyrjes së policisë dhe Përmbarimit, Eno Olldashi vazhdon të qëndrojë me të atin.

Jemi në një proces penal paralelisht, ku personi Sejat Olldashi akuzohet për veprën penale “pengim të veprimeve përmbarimore”, u shpreh avokatja.

Këtë e aprovoi edhe kryetarja e Zyrës Përmbarimore Shtetërore Elbasan, Merita Tirana, e cila tha se ish – bashkëshorti i Behije Feimit i janë lënë disa takime, por nuk është paraqitur asnjëherë me fëmijën.

“Pra ky titull ekzekutiv nuk është ekzekutuar pasi bëhet pengesë babai i fëmijës”, shtoi kryetarja Tirana.