“Shija e bukës së mbrume”, një rrëfim midis legjendës dhe realitetit. Pikëpamjet e Koliqit për mërgatën shqiptare në Itali dhe Amerikë dhe përpjekjet e tyre në vitet e luftës së ftohtë 1945-1960. Romani u botua me pseudonim në mërgim në vitin 1960.

Ernest Koliqi e nisi rrugën letrare me skica poetike (“Pasqyra e Narcizit”), me përmbledhje tregimesh (“Tregtar Flamujsh” dhe “Hija e Maleve”), me poezi, kritika, dramë, (“Rrâjët lëvizin”), studime, përkthime dhe e përfundoi me romanin “Shija e bukës së mbrume”.

Në kopertinën e botimit të parë Romë, 1960, figuron emri Hilush Vilza, pseudonim i Ernest Koliqit, të cilin e përdorte shpesh në kryeartikujt e revistës “Shejzat”. Romani u ribotua nga Camaj-Pipa në Shkodër më 1997, çka i dha mundësi publikut shqiptar të njihej me të.

Nuk dimë që autori të ketë shkrojtur ndonjë roman tjetër, madje fakti që e botoi me pseudonim, na shtyn të besojmë se ishte i vetëdijshëm që vepra do të ngjallte diskutime e kritika për mendimet politike të avancuara për kohën, ashtu sikurse ngjau vërtet kur u botua pjesë-pjesë te revista “Shejzat”.

Rrallë herë veprat letrare shoqërohen me parathënie nga autori. Kjo ndodh vetëm në ato raste, kur ata e gjykojnë të domosdoshme t’i japin lexuesit shpjegime për t’ia qartësuar kumtin që përcjellin dhe për t’u vënë pritë vërejtjeve dhe interpretimeve pa baza.

Paraqitja (parathënia) e Ernest Koliqit e shënuar me inicialet H.V. (Hilush Vilza), shquhet për modesti, sens autokritik dhe sinqeritet. Ai e pranon se romani ka disa mangësi a të meta, prej të cilave vëren vendin e kufizuar që zë luftëtari Gjin Bardhok Frisku dhe intelektuali Foto Damushi, po ashtu dhe mosnjohjen e jetës së emigrantëve shqiptarë në Amerikë në gjerësi e thellësi.

Autori e vizitoi Amerikën disa herë, i ftuar nga dashamirët dhe miqtë e tij dhe një pjesë të atyre mbresave, sikurse përshkrimet e Nju Jorkut dhe të qytetit Charleston në Karolinën e Jugut, një oaz i rrallë i bukurisë së natyrës amerikane, i derdhi në roman.

Koliqi, mjeshtër i tregimit shqiptar, ndikoi në rrugën letrare të prozatorëve të rinj, të cilët e kundronin me respekt si mësuesin e tyre, ashtu sikurse edhe unë. I kam lexuar dhe i rilexoj me endje tregimet e tij ku pikturohet aq bukur bota shqiptare.

Romani “Shija e bukës së mbrûme” hulumton dramën shpirtërore të një të riu shqiptar, flakur jashtë atdheut nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore. E para vepër serioze letrare që pasqyron gjendjen e mërgatës politike në Amerikë dhe në Itali, shqetësimet dhe përpjekjet e tyre në vitet e luftës së ftohtë 1945-1960 për të ndihmuar atdheun të lirohej nga zgjedha komuniste.

Koliqi e shkrojti romanin në fund të viteve ’50, duke parashtruar pikëpamjet e tij, për të ardhmen e Shqipërisë, çka sot vlen të shihet si testamenti i vet politik. Ndihet pezmi për mërgatën e fragmentarizuar, të përçarë në mikroparti, që humb kohë dhe energji në diskutime të kota, pa patur synime të qarta për veprimtari konkrete, në kohën që atdheu vuan në regjimin sllavo-komunist.

Analizat e mprehta për gjendjen e Shqipërisë, shoqërohen me idetë e tij demokratike për strukturën e shoqërisë së ardhme paskomuniste, ku spikat vizioni i intelektualit evropian. Koliqi kishte besim se komunizmi, si ideologji e huaj, një ditë do të shembej në Shqipëri.

Subjekti, shtrati i romanit endet midis legjendës dhe realitetit. Janë të njohura legjendat që qarkullonin para lufte si në atdhe, si në diasporën shqiptare në Amerikë dhe anembanë globit.

Ato vërtiteshin rreth fatit të djalit emigrant që njihet me vajzën e bosit a të pronarit të fabrikës, bie në dashuri me të, martohet dhe pastaj e vë festen mbi sy duke shijuar luksin dhe kënaqësitë e sferave të larta të shoqërisë. Në kohën tonë, për fat të mirë, këto legjenda nuk dëgjohen më, se nuk i beson askush. A ka patur martesa të tilla fatlume në të kaluarën?

Vështirë të besohet që një emigrant i panjohur, pa pasuri tjetër veç krahëve të tij, të pranohet nga familjet e sferave të mesme të shoqërisë amerikane, se te të lartat jo e jo. Familjet tradicionale amerikane kanë parime të forta puritane dhe kurrsesi nuk mund të pranonin martesa të tilla.

Ato krushqi ishin pjellë e fantazisë së emigrantëve, ëndërrimet e tyre për t’i shpëtuar lodhjes fizike, ose mahi të lavdakotëve, për të habitur bashkatdhetarët.

Madje edhe në kohën tonë hasen kundërshtime të forta nga ana e familjeve amerikane, sapo marrin vesh se fëmijët e tyre duan të martohen me emigrante shqiptare, (ose të kombësive të tjera), pavarësisht se djemtë a vajzat e tanishme janë me arsim të lartë dhe me profesione të nderuara.
Romani ngërthen dramën shpirtërore të një djaloshi shqiptar, Jorgji Koja.

Protagonisti endet nëpër vende të huaja në kërkim të një caku që të rindërtojë jetën e vet. “Jeta e sejcilit të mërguem përfshin në vetvete nji dram të veçantë”, shprehet Koliqi. Një sërë fatkeqësish bien mbi jetën e Jorgjit.

Qysh i vogël mbetet jetim dhe për ta rritur kujdeset ungji, Vasil Koja dhe hallë Vida, e cila e do me përkushtim si djalin e saj. Biografia e Vasil Kojës na kujton fatin e shumë atdhetarëve të orës së parë, të cilët shkrinë forcat dhe pasurinë e tyre për pavarësinë e Shqipërisë.

Pinjoll i një shtëpie tregtare në Durrës, Vasili “kishte veprue me dalldi të pashterrëshme për mëkambjen e nji Shqipnie së lirë”, por pasi postet, kolltuqet, gradat e nderimet u përlanë nga ata që një pikë djerse a gjaku nuk e derdhën për atdheun, u la mënjanë, u harrua.

“Ndrrimet e pamẽshme, kryengritjet zhgatrruese, intrigat e vẽndasve dhe të huejve, moskuptimi i turmave të plandosuna në terr të padijes”, kjo është analiza sintetike e Koliqit për vitet e pavarësisë. Pushtimi i atdheut nga Italia dhe qarkullimi i ideve të reja, e çoroditin Vasil Kojën.

Me vështirësi arrin t’i sigurojë nipit një bursë studimesh në Itali. Gjatë luftës komunistët duan të shfrytëzojnë emrin dhe gojtarinë e tij në shërbim të propagandës së tyre, por pasi ai refuzon dhe kalon në krahun nacionalist, ata e eliminojnë me anë të njësitit gueril. Humbjen e ungjit, e njeriut më të afërm e më të dashur, Jorgji e merr vesh në Itali dhe mbetet si “zog i truem”.

Pas pak kohe vdes në mjerim dhe hallë Vida dhe kësisoj këputen të gjitha verigat gjinore të Jorgjit që e lidhin me atdheun.

Jorgji e humb toruan, nuk gjen prehje kurrkund dhe së fundi hyn në kampin e refugjatëve në Itali. I shqetësuar për fatet e atdheut, Koliqi shpalos mendimet e tij në dialogun midis Jorgji Kojës dhe Sadik Lumës. Koja pyet: “Si thue zoti Sadik, ky gjak e ky lot i derdhun ka me shkue kot?

S’kanë me xanë kurrgja shqiptarët tue u përshkrue në këto mjerime të papërshkrueshme?

Gjithmonë ka me u çilë goja e jonë në mallkime, shpirti ka m’u ushqye në mëni, dora ka m’u çue në kërcnim?” Dhe Sadiku përgjigjet: “Ke arsye, moj faqja e bardhë, me dyshue mbi mundësin e Shqiptarve m’u sjellun për së mbari e me u mbarështru në nji shtet me themele të shëndoshta e të patundëshme… Mbi nji themel urrejtje e dasije nuk ndërtohet kurrgja në kët botë, se ma lumnija e nji kombit jo se jo.”

Sipas Sadikut barra u takon të rinjve, të cilët duhet të lirohen nga robëria e modeleve të kaluara, duke zgjedhur palcën më të mirë për të ngjeshur brumin e Shqipërisë moderne. Këto mendime e vendosin Koliqin si flamurtar të ideve të reja, larg pasioneve politike të kohës, kur ngarkesat emocionale të palëvë ndërluftuese ishin të forta.

Ndërkohë Jorgji Kojës krejt papritur i vjen një ftesë prej kumbarës që jeton në Amerikë. Jani Berberi, (Dhjonizi), i ka siguruar bursë pasuniversitare nga një shoqëri mirëbërëse. Jorgji shkon në Nju Jork dhe me rekomandimet e mira dhe aftësitë e tij profesionale, arrin të fitojë postin e kirurgut në një spital me emër.

Kumbarë Jani rropatet ta afrojë me emigracionin shqiptar, por Jorgji i zhgënjyer nga përvoja e hidhur në kampin e refugjatëve në Itali, prapëson çdo kërkesë të mikut të tij bujar.

Edhe përpjekjet e Janit për ta njohur me një vajzë pasanike shqiptaro-amerikane, dështojnë. Jorgji ia pret shkurt të mos ngatërrohet me gjëra që i përkasin shpirtit dhe trupit të tij.
Gjithsesi doktor Jorgji njihet me atë vajzë, pavarësisht se rrethanat që sjell autori, nuk janë plotësisht bindëse.

Linja e dashurisë dhe moskuptimet midis dy të rinjve përbëjnë boshtin e romanit, të lidhura në mënyrë organike me përpjekjet e emigrantëve politikë për fatin e atdheut që vuan nën regjimin komunist dhe rrugët efektive për çlirimin e tij.
Në rrafshin politik, ai e ka elaboruar mendimin në mënyrë të thjeshtë e të qartë, pavarësisht nga vendi relativisht i kufizuar.

Si intelektual me përvojë të gjatë jetësore e politike, ai bën analiza të mprehta për gjendjen e mjeruar të atdheut. Protagonisti Jorgji Koja, bërtet me hidhërim në kampin e refugjatëve: “Ku na bijti (mbiu) ky shpirt i prapë shpartallues?

Pse na ka lëshue dore në kët mënyrë Perëndija? Jemi çue me hangër gjallë njani tjetrin… Shfrei mbi ne mënija barbare e të huejit nëpërmjet mizoris së vendasve.” Vërehet sa bukur e shpreh Koliqi vasalitetin e komunistëve shqiptarë, të kthyer në shërbëtorë të zellshëm të shteteve të huaj. Gazetari Nonda Varasi deklaron se në emër të Marksit, zbatohen planet imperialiste të Pjetrit të Madh dhe careshës Katerinë.

Ky gjykim pajtohej me mendimin e analistëve europianë të cilët pohonin se politika e Stalinit ecte mbi dy binarë: pansllavizmit dhe komunizmit botëror.
Koliqi shpreh mendimet e tij për Shqipërinë postkomuniste dhe kahun e drejtimit. Ai nuk e idealizon patriarkalizmin e trashëguar, përkundrazi e sheh si pengesë të përparimit shoqëror.

Një nga personazhet e tij shprehet se Shqipëria e idealizuar nga poetët ka hyrë në zemrat tona, por jo akoma në mendjet tona, me kuptimin se akoma nuk kemi ide të qartë për strukturën e saj.

Duke diskutuar për problemin e dy rrymave Lindje a Perëndim, Koliqi shprehet me gojën e Emin Dashit se të dy palët e kanë gabim. “Jeta shqiptare duhet të jetë nji synthezë e të gjitha rrymbave, (rrymave) nji harmonizim i të gjithë aspiratave, por duhet rrajët t’i ket të nguluna në mytin e gjuhës e të gjakut të përbashkët.”

Shkrimtari pohon: “Për zgjidhjen e problemit shqiptar lipsen penda, pushka e paraja.” Rolin parësor ia jep platformës së qartë politike dhe jo mbledhjes së fondeve. Pas rrëzimit të komunizmit ai nuk do rivendosjen e regjimit të vjetër, nuk do hakmarrje, por harmonizim të interesave duke pajtuar idealin që i ka rrënjët në të kaluarën, me realitetin, si bazament për bashkëjetesë.

Koliqi e ka njohur nga afër mërgatën shqiptare dhe e vizaton me besnikëri. Ai vë re përçarjet brenda saj si dhe prirjet feudale duke krijuar grupe e grupime në armiqësi të përhershme midis tyre.

Ai ka respekt për intelektualët me vizion si Foto Danushi, Malush Lalo, Emin Dashi, Nonda Varasi, për pronarët e zanatçinjtë e ndershëm si Sadik Sopoti, Theodor Stasa, Jani Berberi, për luftëtarë të paepur si Gjin Bardhok Frisku, ndërsa stigmatizon shtirakë si Bilo Shtërpari.

Autori e neverit Bilon si hipokrit, mburravec, që nuk e çan aspak kokën për ngadhënjimin e çështjes kombëtare, por valavitet në mes partive të ndryshme, gati të kapet atje ku mund të plotësojë më mirë interesat personale.

Biloja synon të dalë në krye dhe nëse nuk arrin, atëherë e minon shoqatën me të gjitha mjetet. Tipa të tillë qarkullojnë edhe sot mes të emigruarve.
Koliqi me të drejtë vëren se mërgatës i mungon platforma politike, ajo ecën kuturu, nuk ka program të qartë drejt synimeve që mëton të arrijë.

E dyta nga radha, por jo nga pesha, Koliqin e shqetëson ruajtja e identitetit, kryesisht e gjuhës dhe e traditave, te pinjollët e brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë.

Megjithëse Koliqi, si shkrimtar realist, e zbut legjendën e njohur, duke sjellë rrethana të besueshme, gjithsesi ato mbeten romantike. Ja si e përshkruan Djana, takimin e parë të mamasë së saj me avokatin shqiptar Erakli Dada.

Zojusha Gladys Jakobson, shkon për vizitë turistike në Egjipt tok me të atin, për të teratisur hidhërimin pas vdekjes së nënës. “Nji mbramje, në lulishtë të Hotelit “Mena-Haus” rrazë Piramidës së Madhe”, amerikania e re 19-vjeçare, bie në dashuri me një të parë me djaloshin e panjohur shqiptar. “Em-at, si e din, ka qénë trim i hijeshëm saqi rrallë me ia pá syni shoqin.

Shtoji pashís nji të prum sqimatar, do mënyrna të nji njerzije së stërhollë, jo të studjueme por krejt të natyrëshme, edhe do të kuptojsh shkasin qi e shtyni mamën m’u njoftë aty për aty me at djalë zeshkan, flok-zi e sŷzi.” Sikurse thotë e bija, “xunë marak në shoqishojnë” dhe “në krye të mojit ishin të martuem.”

Djaloshi përmetar Erakli Dada, e pëlqen zonjushën Gladys, pa e ditur se gruaja e tij ishte trashëgimtare e një pasurie të çmeritun. Sado naiv të jetë lexuesi, e ka vështirë ta pranojë si të vërtetë këtë ngjarje. Më tej autori pohon se çifti pati vetëm një fëmijë dhe Erakli, si shqiptar, u dëshpërua që u lindi vajzë. Ia ndërron emrin e pagëzimit nga Djana në Dan, që t’i tingëllojë si djalë.

Gjatë një udhëtimi turistik më 1938, Erakli e shpie vajzën e vogël në Përmet, të njihet me gjyshen dhe me botën shqiptare. Një ditë prej ditësh, e fut Djanën në kishë dhe atje kërkon prej saj të betohet para ikonave se do ta dojë Shqipërinë dhe do të bëjë për të çka s’mundi të bënte ai. Erakli vdes papritur më 1945.

Bashkëshortja e tij, pa e ditur amanetin, i kërkon vajzës të martohet me një shqiptar, që t’u afrohet cilësive të të atit dhe të ishte “veprimtar në fushë të atdhetaris”. Pas disa kandidaturave jo fort të pëlqyeshme, del në skenë mjeku i ri Jorgji (George) Koja, i cili rastësisht njihet me Djana Dada-Jakobson.

Djana e pëlqen mjekun e ri, mbasi është i pashëm, i zgjuar dhe me horizont, por ai qëndron larg aktiviteteve shoqërore e patriotike të mërgatës shqiptare dhe kjo rrethanë e pezmaton vajzën e re.

Pas disa peripecive e keqkuptimeve, Djana e fton Georgen te vila e saj në qytetin Charleston të Karolinës së Jugut dhe atje mes një peizazhi romantik, Djana i dorëzohet ndjenjës së dashurisë dhe pranon të martohet me të edhe pse ai nuk është aktiv në shoqatat shqiptare. Me këtë stratagjemë Koliqi e çliron dashurinë nga prangat e kushtet duke e kundruar si ndjenjën më fisnike njerëzore.

Po ndërkohë Dr. Koja ka pranuar të hyjë në komisionin për hartimin e programit, që do t’u shërbejë si busull patriotëve për çlirimin e atdheut nga zgjedha komuniste.

Kësisoj emigranti i ri, intelektuali Koja, hyn në sferat e larta të shoqërisë amerikane në sajë të një martese fatlume, e cila vlen të konsiderohet vazhdim i legjendës së mirënjohur.

Duhet vullnet i fortë dhe mirëkuptim për t’i besuar të gjitha hallkat e kësaj historie romantike, martesën e prindërve të Djanës, besnikërinë e një vajze amerikane ndaj amanetit të atit të saj, përkushtimin ndaj çështjes shqiptare, madje edhe ruajtjen e traditave. Zojusha Djana ka mësuar prej gjyshes të gatuajë bukë të mbrume me duart e saj, çka habit mysafirët dhe të ftuarit.

Disa pasazhe të romanit për rolin e pushtetit dhe pushtetarët, janë aq aktuale për gjendjen politike në Shqipëri, sa duken sikur janë shkrojtur sot. “Po nuk u pastrua shkena (skena) politike nga ata qi çështjen kombëtare e njehin burim fitimesh e përfitimesh, nga kapulajt (krerët) qi për me fitue popularitet gënjejnë bashkatdhetarët tue i yshqye me shpresa të cilat kapërcejnë fuqit e mundësit kombtare, puna s’do të ketë kurrë grat (dobi).”

Romani “Shija e bukës së mbrume” i shkrojtur gjysme shekulli më parë, ka vlera artistike dhe njëkohësisht shpreh kredon e autorit për të ardhmen e atdheut.

 

Foto koment: Një fotografi e profesor Gjergji Cancos, “Mësues i Popullit”, që mban datën 21 shkurt 1938, kuadraton në të njëjtën hapësirë emra të tillë si Ernest Koliqi, Asdreni, L. Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Gjoka, Mikel Koliqi apo Koço Tashko. (village-bey)

peshkupauje.com