E gjendur vetëm katër kilometra larg qytetit të Shkodrës, në bregun e Liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit të lartë të Taraboshit, pika turistike e Shirokës është padyshim një nga joshjet më të veçanta që të ofron një fundjavë për të qenë pranë saj.

Dikur, që para çlirimit ajo ishte pika turistike dhe plazhi më i populluar për shkodranët. Pas viteve ’90 ajo pothuajse u braktis, por ka dy vjet që po merr përsëri gjallërinë dikurshme. Shumë shkodranë nostalgjik shkojnë vazhdimisht atje. Një fundjavë në Shirokë kalohet shumë këndshëm, se, përveç klimës dhe ajrit të pastër që filtrohet nga freskia e liqenit dhe pishat e Taraboshit, ka brenda saj edhe kënaqësinë e të shijuarit të një dreke në lokalet e shumta që janë ndërtuar vitet e fundit në hapësirën turistike të kësaj zone.

E këto lokale, që të shoqërojnë që prej momentit që ke lënë pas Urën e Bunës dhe deri në qendrën e zonës së Zogajve, atje ku mbaron hapësira turistike e bregut të liqenit të Shkodrës, këtë vit kanë qenë të mbipopulluara.

Sot Banorët e Shirokës të thonë që pjesa më e madhe e frekuentuesve të këtij plazhi përdorin biçikletat për të mbërritur deri aty, mundësi që e krijon afiniteti i plazhit me qytetin.

Ndërkohë, krahas pushuesve që mbërrijnë me automjete private, në dispozicion të plazhistëve janë edhe autobusët urbanë që qarkullojnë nga qendra e qytetit të Shkodrës drejt Shirokës.

Të kënaqur për rikthimin e plazhit të Shirokës, janë edhe vetë qytetarët shkodranë. Sipas tyre, me këtë ritëm pozitiv që po merr përmirësimi i infrastrukturës, Shiroka shumë shpejt do të jetë një plazh i mirëfilltë, duke i plotësuar kërkesat e shumta që një kategori qytetarësh shkodranë dhe më gjerë ka për këtë pikë turistike.

Përveç vlerave të padiskutueshme që të servir, Shiroka ka shansin që është gjeografikisht shumë pranë qytetit, çka i jep mundësi komunitetit ta frekuentojë më lehtësisht dhe pa shpenzime ekonomike, siç mund të ndodhë me plazhet e tjera larg qytetit, si Velipoja dhe të tjera të kësaj natyre. I gjithë ky fluks vizitorësh që ka filluar të frekuentojë Shirokën, pa tjetër që ka dhënë ndikimin në fushën e biznesit, investimet e të cilit vitet e fundit në këtë zonë kanë ardhur në rritje.

Kjo është Shiroka e vërtetë, asaj po i rikthehen miqtë e saj të vjetër. “Shiroka po kthehet në identitet dhe shpresojmë të ecë me këto ritme”, shprehën administratorët e  lokaleve, duke theksuar se janë shumë të kënaqur nga frekuentimi i madh që po i bëjnë vizitorët, vendas dhe të huaj.

E bukur, por…edhe grep peshku

Shiroka nuk është e bukur në verë, ajo është e bukur në çdo stinë. Është kjo arsyeja që aty disa herë janë hedhur fonde për investime, por që, çuditërisht, s’është bërë asgjë. Është një projekt për një pedonale, dmth, rrugë për automjete, me trotuare anash dhe ndriçim, por asgjë s’po bëhet. Fondet, çuditërisht zhduken pa u bërë puna.

Pra, si në anë të liqenit, Shiroka shërben si karem për peshkuar dhe për të kamur më tej peshqit e mëdhenj. Për liqenin e Shkodrës vetëm të deklaruara si “derdhje” fondesh dhe donacionesh janë mbi 20 milionë euro. Por harxhimet më të mëdha janë drekat e darkat e shoqatave ambientaliste.

Normalisht duhet të kishte lidhje liqenore me tranzit varkash të sigurta transporti udhëtarësh si me molon e Shkodrës dhe Shirokë, Zogaj dhe Vir Pazar, por edhe Han të Hotit. Duhej të kishte edhe lidhje me “Bregun e Ranës” në anën tjetër të liqenit që dikur kishte kamp për fëmijët, por ato…janë vetëm në letra!