Një 50 vjeçar humbi jetën aksidentalishtë në Itali. Ai kishte dalë në pyll për të prerë pemë dhe trungu e ka zënë poshtë. Viktima është 50-vjeçari Nikolin Gjeka, ndërsa ngjarja ka ndodhur dje në Pistoia të Italisë.

Sipas mediave italiane, shqiptari nuk llogariti vendin ku do të binte një pemë, të cilën sapo e kishte prerë dhe gjeti vdekjen pasi trungu i madh e zuri poshtë. Viktima u gjet sot në mëngjes rreth orës 06:00 në një pyll mes Campiglio dhe Celo, në rrugën Veçhia di Campiglio.

Mediat fqinje shkruajnë se Gjeka kishte dalë pasditen e djeshme për të marrë dru në pyll, sëbashku me veglat e punës. Duke qenë se nuk ishte kthyer në shtëpi në mbrëmje, bashkëshortja e tij ishte alarmuar kishte njoftuar karabinierët.

Këta të fundit kërkuan gjatë natës në zonën ku kishte shkuar. Ata gjetën fillimisht makinën e 50-vjeçarit dhe për shkak të errësirës i ndërprenë kërkimet për të rifilluar në mëngjes.

Dhe ishte pikërisht në orët e para të mëngjesit kur 50-vjeçari u gjet nën një pemë që kishte prerë me motosharrë.

Gjeka la pas bashkëshorten dhe dy fëmijë. Ai mësohet se merrej pikërisht me prerjen e druve dhe punonte edhe si kopshtar.