NGAKLODIANA LALA

TIRANE- Këto pamje janë fiksuar nga kamerat e sigurisë të instaluara në xhaminë e Kombinatit.

Prokuroria e Tiranës i ka sekuestruar për llogari të çështjes penale ndaj ish-policit A.S. dhe D.D., të dyshuar si autorë të vrasjes së biznesmenit Memli Begalla në zonën e ish-Bllokut.

Gjatë dëshmisë dhënë përpara grupit hetimor, teksa mohonte lidhjen me ngjarjen,S. ka deklaruar se në kohën kur është ekzekutuar Begalla, ai ndodhej në xhaminë e Kombinatit, duke kryer ritin e faljes.

Kaq ka mjaftuar që oficerët e policisë gjyqësore, të zbarkojnë në Xhami dhe të bëjnë sekuestrimin e pamjeve, për të verifikuar dëshminë e ish-policit.

Sikurse shihet në pamjet që disponon “News 24”,S. shfaqet në objektin e kultit bashkë me një grup besimtarësh të tjerë.

Megjithatë, për t’u bindur nëse bëhet fjalë për të njëjtën datë dhe orë siç pretendon i dyshuari dhe nëse në pamje nuk ka manipulime, Prokuroria e Tiranës i ka dërguar ato për ekspertim.

Mbi bazën e këtij pretendimi, ish-polici ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë në Gjykatë, por s’ka mundur të rifitojë lirinë. Gjykata ka deklaruar se do t’i vlerësojë këto pretendime, vetëm nëse prokuroria paraqet pamjet filmike si provë.

Memli Begalla u ekzekutua në muajin shkurt në zonën e ish-Bllokut, nga dy persona të maskuar, të cilët teksa largoheshin u fiksuan nga kamerat e sigurisë.

Ndonëse në krim dyshohet se kanë marrë pjesë tre personave, deri më tani në pranga kanë përfunduar A.S. dhe D.D.

Prokuroria ka dyshime se vrasja e Begallës lidhet me një konflikt të vjetër që ai kishte me ish-policin, pasi këtij të fundit i kishte premtuar se do ta lironte nga burgu, kur u arrestua në 2014 me një ton hashash në Tepelenë.

Nga hetimet e para rezulton se biznesmeni është interesuar fillimisht për çështjen e të njohurit të tij Serezi, por më pas është tërhequr duke mos e mbajtur premtimin.

Ish-polici është dënuar me 10 vite burgim dhe menjëherë sapo ka rifituar lirinë, ai ka kërkuar të sqarohet me Begallën të cilin e ka takuar një ditë përpara vrasjes, duke i kërkuar edhe ndihmë financiare.

Ai shpjegon se tentativat për ta takuar edhe të nesërmen kanë dështuar, pasi biznesmeni kishte ndërruar numrin.

(BalkanWeb)