Kryeministri Edi Rama i mëshon sërish faktit se në Shqipëri ka punë plot por shqiptarët nuk duan të punojnë, dhe shumica syresh kërkojnë vetëm punë shteti. Me rastin e 1 Majit është hapur në Sheshin Skenderbej panairi i përvitshëm i punës.

Rama vizitoi shumicën e stendave dhe pas çdo përgjigje të reklamuesve, thoshte: “Dmth keni vende pune, por këta (të papunët) kërkojnë punë shtetit”.

Në fund e mbylli vizitën duke iu drejtuar mikrofonëve të gazetarëve dhe përmes tyre qytetarëve, me këto fjalë:

“Puna nuk vjen në shtëpi, nuk është vetëm punë shteti dhe për ne është e domosdoshme të ndajmë këtë vijë, të funksionojmë si forcë lëvizëse që shtyn drejt punësimit në sektorin privat. Pagat duhet të rriten, por duhet të rritet ekonomia dhe që kjo të rritet duhet të punojmë shumë fort të gjithë.

Në këtë panair ka paga të ulëta, mesatare por edhe të larta. Punë ka, por nuk është as në kafe me lekët e mamit dhe babit ose në Facebook duke i thënë kryeministrit ‘o legen na gjej punë”.

/Opinion.al