Dy persona, burrë dhe grua kanë hipur mbi një vinç te diga e liqenit duke kërcënuar se do të hidhen nëse nuk do të zgjidhet problemi i tyre.

Ata janë Ferdinand dhe Teuta Saraçi, burrë e grua, ndërsa kjo nuk është hera e parë që tentojnë vetëvrasjen.

Ata janë ish të përndjekur politik, ndërsa shprehen se kanë hipur në vinç, pasi i kërcënojnë për t’i nxjerrë nga shtëpia, pas një konflikti familjar.

Në një lidhje telefonike për Report Tv nga vinçi te diga e liqenit, Teuta Saraçi u shpreh se kunata i ka nxjerrë nga banesa, ndërsa policia sipas tyre ka qëndruar indiferente pas kërkesës së tyre.

Ferdinand Saraçi shtoi se familja e tyre, me dy fëmijët kërcënohet dhe se shteti duhet që të ndërhyjë për t’i marrë në mbrojtje.

Pas njoftimit në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, ndërsa po tentojnë që t’i bindin për të zbritur nga vinçi ku kanë hipur prej orës 20:45 minuta të mbrëmjes së sotme.