Një ngjarje e rëndë ndodhi dy netë më parë në Shkodër, në një nga lagjet e këtij qyteti ku burri i moshuar vrau me çekiç në kokë gruan e tij.

69-vjeçari Bashkim Teli ka vrarë gruan e tij Suzana Shemuni, me të cilën kishte tre vite që bashkëjetonte dhe së fundmi kishin bërë edhe celebrimin.

Viktima 58 vjeçe kishte gjashtë fëmijë, ndërsa autori dy vajza, të dy nga martesat e mëparshme.

69-vjeçari ka thënë se e ka vrarë të shoqen pasi ajo i kërkonte lekët e pensionit dhe pas sherrit ai e ka goditur në kokë dhe e ka rrëzuar në tokë.

Pas kësaj autori ka treguar se e ka goditur në pjesën më të madhe të kokës deri sa u mbulua me gjak.

Pavarësisht britmave që kishin dëgjuar fqinjët ata nuk e lajmëruan policinë dhe as nuk ndërhynë deri sa Bashkim Teli doli në rrugë dhe i kërkoi kalimtarit të parë që pa të njoftonte policinë.

69-vjeçari punonte edhe si tregtar ambulant në një kioskë.

Fqinjët kanë treguar për Panorama se kishin dëgjuar që kishte konflikte midis tyre. Megjithatë ata flasin gjëra të kundërta me njëri-tjetrin.

Drande Shishkja, një komshi prej shumë vitesh, thotë se kishte dëgjuar për konflikte mes tyre.

Ajo ka treguar:

Çifti është celebruar sepse Suzana ka dashur që t’i marrë shtëpinë Bashkimit. Ne i njohim shumë mirë. Më vjen keq për çfarë ka ndodhur.

Ajo donte shtëpinë me doemos, bënin debat çdo natë për atë punë, sepse kam njerëz aty afër që më tregonin dhe Suzana ia arriti që të celebronte. Pas kësaj, ajo i thoshte se shtëpia është edhe e imja. Bashkimi nuk është njohur për njeri negativ, gruan e tij, që ka vdekur para disa vitesh, e kam pasur shoqe.

Dy vajzat e Bashkimit nuk kanë ardhur asnjëherë sepse kanë pasur turp për martesën e babait.”
Ndërkohë, fqinja tjetër, Zenepe Dibra, një intelektuale e njohur në qytetin e Shkodrës, e cila është drejtuese e një shoqate për gratë, u shpreh e tronditur.

Ajo ka thënë:

Unë i kam njohur si një çift i lumtur. Dilnin e shëtisnin së bashku. Madje, unë vetë i kam cilësuar si çifti i lumtur.

Nuk kam vënë re asgjë. Suzana më ka treguar sesi ajo kujdesej kur Bashkimi ka qenë i shtruar në spital për një sëmundje që ka pasur. Ne jemi tronditur kur kemi marrë vesh se çfarë ka ndodhur.

Si drejtuese e shoqatës “Gratë intelektuale shkodrane”, e dënoj fort atë që ka ndodhur.”