Sot në emisionin “Stop” u trajtua një temë mjaft delikate, largimi i fëmijës nga nëna e tij në mënyrë të padrejtë. Lisiana Hoxha përpos faktit që kaloi një martesë të dështuar, endet prej vitesh për të fituar kujdestarinë e të bijës, Theodhorës.

“Unë kam pasur vajzën të martuar me Renato Xhogun. Nga martesa e tyre lindën një fëmijë, Theodhora Xhogun.

Gjatë martesës së tyre patën shumë kontradikta me njëri – tjetrin, ishin shumë të dhunshëm si vetë personi, edhe prindërit e tij, sidomos e ëma dhe e motra. Vajza nuk i duroi dot dhe një ditë mori fëmijën dhe erdhi në Shqipëri. Vjen i ati dhe e merr vajzën me dhunë.

Nuk kishte orë që të mos merrnim kërcënime dhe vajzës i thoshte që do ta fuste në qese të zezë dhe do ma sillte në Shqipëri. Për këtë ka tabulate telefonike, janë të gjitha të vendosura dhe të shkruara. Ia la kujdestarinë e tij.

Martesa e tyre zgjati deri në vitin 2008”, u shpreh i ati i Lisianës, Naim Hoxha.

Më datë 8 Maj të vitit 2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë pranoi kërkesë-padinë e Lisiana Xhogut dhe zgjidhi martesën me të paditurin Renato Xhogu, duke ia lënë kujdestarinë e vajzës këtij të fundit dhe duke i lënë të drejtën paditëses ta takojë dy herë në muaj.

Por ky vendim nuk e respektua, pasi Lisiana Xhogu nuk e ka parë më vajzën e saj, Theodhorën. Naim Hoxha tregoi se më 13 Prill 2017, ish-bashkëshorti i të bijës ndërroi jetë në Greqi, si pasojë e një aksidenti. Familja e tij u rikthye në Shqipëri dhe fillimisht i premtoi familjes Hoxha se do të mund ta takonin vajzën e vogël, por rezultoi krejt e kundërta.

Ndaj dhe Lisiana iu drejtua sërish Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me një kërkesë-padi për ndryshimin e përgjegjësisë prindërore të Theodhora Xhogut, por gjyqtarja Mirela Mishgjoni e rrëzoi kërkesën e saj, duke ia lënë kujdestarinë gjyshërve nga ana e të atit.

Motra e Lisianës, Eriselda Hoxha tregoi se mbesa e saj ka kaluar kufirin e Shqipërisë me vendim të prokurorit Aurel Zarka, pa qenë në dijeni e ëma. Gjatë një takimi me këtë prokuror, Lisiana ka mundur ta regjistrojë duke i thënë se është ai që vendos se çfarë ndodh me denoncimin e saj.