Një shqiptar, i quajtur Bes Kondi, konsiderohet një ‘hero’ nga mediat kanadeze; pasi nuk nguroi për të dhënë ndihmën e tij për të plagosurit nga sulmi me furgon të hënën në Toronto.

Ai rrëfeu për ‘Toronto Star’ se ka lënë zyrën dhe ka vrapuar për të dhënë ndihmën ndaj të plagosurve të cilët ishin të shtrirë në rrugë. Shqiptari ka rrëfyer edhe fjalët e njërit prej të plagosurve, i cili rënkonte dhe thoshte “çka ndodhur, çka ndodhur”.

“Kisha parë përmes TV ngjarje të tilla në Francë apo Gjermani, por kurrë nuk e kisha menduar që një situatë të ngjashme do ta përjetoja drejtpërdrejt këtu” – është shprehur shqiptari.

Toronto u trondit dje si pasojë e një sulmi me furgon nga i cili mbetën 10 të vdekur dhe 15 të plagosur. Agresori është identifikuar si Alek Minassian 25 vjeç i cili sulmoi me furgon njerëzit duke lënë shumë prej tyre të vdekur.

Bes Kondi, i lindur në Tiranë, ka emigruar në Kanada së bashku me prindërit dhe vëllain, Gazmendin, kur ishte vetëm 14 vjeç. Prej dy vitesh ai punon si menaxher pranë Kompanisë DEL Property Management.