Për sfidën me Luftëtarin pritet që Vllaznia të paraqitet në fushë me ndryshime sa i përket formacionit.

Informacionet jo zyrtare që dalin nga skuadra shkodrane kanë krijuar idenë që lëvizja e parë e teknikut Gjoka do të nisë nga prapavija, ku rikthehet Renato

Malota në qendër të mbrojtjes, përkrah Sedat Berishës.

Lëvizje kjo që e ndihmon teknikun kuqeblu të shtyjë përpara Orelesin për të luajtur në vendin e tij si mesfushor shkatërrues, në krah të Krymit.

Një tjetër lëvizje pritet edhe në vijën e parë të sulmit, ku ndryshe nga ndeshja me durrsakët, këtë fundjavë, përballë gjirokastriteve, në vend të Ribajt pritet të aktivizohet Çinari.

Ky i fundit, në pjesën më të madhe të kampionatit ka luajtur në krahun e majtë, si mesfushor-sulmues, madje në jo pak raste ka shënuar.

Me këto lëvizje, duke shtuar edhe mobilizimin dhe shpirtin e garës që futbollistët i kanë garantuar se do të japin në fushë, tekniku Gjoka synon fitoren ndaj Luftëtarit.

Për situatën ku gjendet Vllaznia, vetëm trepikëshi i bën punë. Gjatë seancës së djeshme stërvitore nuk është dhënë të kuptohet se kush mund të jenë emrat e formacionit të parë.

Dje ka munguar minutazhi i zakonshëm i lojës në pjesën përmbyllëse të seancës, që zbardh formacionin e ndeshjes së ardhshme.

Kështu, për të mësuar konkretisht si mund të vendoset skuadra në fushë ndaj Luftëtarit, duhet pritur ndoshta seanca e sotme. /sportekspres/