Uji është tërhequr thuajse plotësisht prej më shumë se një jave nga fusha e Nënshkodrës e cila u përmbyt në mes të marsit. Pas, përmbytja ka lënë ndotje, tokën e ka kthyer në moccal dhe të pakultivueshme, ndërkohë që banorët vuajnë probleme me ujin e pijshëm dhe i mungon ushqimi për bagëtitë.

E ndërsa janë “mësuar” me vërshimin e ujit, banorët e Nënshkodrës i thanë BIRN se e vetmja mënyrë për të ringritur ekonomitë familjare të rrënuara për të disatën herë ishin ndihmat financiare nga qeveria.

“Pemët dekorative dhe prodhimet bujqësore janë dëmtuar të gjitha”, thotë Vaso Frani banor i Obotit. Ndërsa të tjerë fshatarë thonë se mund të humbasin bagëtinë për shkak të mungesës së ushqimit, duke kërkyar ndihmë nga shteti.

Por shpresat janë të vakëta dhe institucionet përgjegjëse nuk e dinë ende nëse do të ketë apo jo pagesa dëmesh. BIRN mësoi në prefekturën e Shkodrës se aty nuk kishte asnjë udhëzim për vlerësimin e dëmëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Shemsi Prençi gjithashtu shtoi se ishte detyrë e bashkisë për të vlerësuar dëmet dhe më pas ata do të bënin projektvendim për fondet. “Ne bëjmë vetëm projektvendimin për të nxjerrë fondet nga buxheti i shtetit”, tha Prençi.

Por pranë bashkisë nuk ka qartësi nëse vlerësimi prej tyre do merret në konsideratë dhe nëse do të ketë dëmshpërblim për banorët.

Kryebashkiakja Voltana Ademi njoftoi këtë të mërkurrë se prej të hënës kishin filluar punën grupet e verifikimit dhe se të dhënat i dërgoheshin prefekturës.

Në bashki sidoqoftë janë skeptikë nëse vlerësimet e tyre do të merren parasysh. “Ne kemi ngritur grupet në terren dhe po bëhet vlerësimi i dëmve. Të dhënat ia dërgojmë prefekturës.Të tjerat i di qeveria”, tha Ademi.

Situata është tashmë një makth i përsëritur për banorët e fshatrave të Nënshkrodrës. Pas përmbytjeve të viteve 2010-2011 në të njejtën zonë, atyre iu premtua dëmshpërblim për dëmet materiale dhe në kultura bujqësore. Atëherë Korportata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) e cila menaxhon digat mbi lumin Drin, mori përgjegjësinë për dëmet e shkaktuara dhe po ashtu edhe faturën që duhej paguar, e vlerësuar në rreth 1.1 miliard lekë.

NNjë serë e dëmtuar si pasojë e erës së fortë dhe përmbytjeve në fshatin Dajcc në Shkodër. | Foto nga : LSA/Gent Shkullaku

Por për të shlyer këtë dëm qeverisë dhe KESH-it iu deshën plot 8 vjet. Këstet e fundit të dëmshpërblimeve u ndanë sipas njoftimit të KESH vetëm në fillim të këtij viti, pak para përmbytjes së re. Ndërkohë banorët kontestuan vlerësimin dhe formulën e qeverisë për të përfshirë si dëmshpërblim faturat e papaguara të energjisë elektrike.

E ndërsa situata me dëmshpërblimet mbetet e paqartë, banorët i thanë BIRN se përshkak të dëmeve nga përmbytja, ata ende rrezikojnë të humbasin bagëtinë e mbetur pa ushqim, ndërsa pellgjet e ujit nëpër ara i pengojnë të kultivojnë. “Toka nuk mund të mbillet së paku edhe për dy muaj, pasi kullimi paraqet problem.Tani është koha të mbillet misri e jonxha, por kjo nuk mund të bëhet”, thotë Mikel Çukaj nga fshati Obot.

Banorët thonë se kullimi i tokave ka qenë i vështirë për shkak të nivelit të ulët të ujit, i cili ka vështirësuar punën e pompave.

Shërbimi Zjarrfikës Shkodër ka bërë të mundur, me anë të pompave të tij, kullimin e një numri të kosiderueshëm parcelash dhe banesash, por kjo vetëm për qytetin. Në fshtrat e përmbytur kullimi i tokës mbetet problem, për shkak të mungesë së kanaleve kulluese të dyta e të treta.

Ndërkohë një tjetër shqetësim është edhe ndotja e mjedisit, nga mbetjet e sjella prej përmbytjeve dhe ujërat e zeza.

Pashko Mazia nga Sukaj i Dajçit thotë se mbetjet kanë qenë problem dhe herët e tjera kur ka patur përmbytje dhe atyre u është dashur të paguajnë mjete private për pastrimin e tokave. “Edhe këtë herë kështu do të ndodhë. Nuk përgjigjet asnjeri dhe toka nuk mbillet kur është e mbushur me mbetjet nga uji.”

Kryeveterineri në Drejtorinë e Bujqësisë Selim Kraja tha se ndërkohë kishte filluar një proces i dezinfektimit në mjediset bujqësore të zonave të përmbytura për të mbrojtur banorët dhe bagëtinë nga sëmundjet, por banorët ankohen se kjo nuk është e mjaftueshme dhe se procesi është i ngadaltë.

“Duhet bërë spërkatje me avion pasi tokës i vjen era, gjithçka është ndotur, mikrobet nga fusha futen në stalla e banesa. Ushqimi i bagëtive dhe plehu që ka qëndruar nën ujë për një kohë të gjatë e ka shtuar ndotjen”, thotë Grigor Pema nga Oboti.

Tereza Delia, një banore që thotë se ka humbur 10 krerë bagëti të imëta për shkak të ndotjes dhe tregon se është detyruar të jetojë në kasollen e bagëtive pasi shtëpia ka dalë jashtë funksionimit.

Një fidanishte e përmbytur në fshatin Dajç në Shkodër. | Foto nga : LSA/ Gent Shkullaku

Uji i pijshëm po ashtu vazhdon të mungojë për mjaft prej fshatrave, dhe banorët janë te detyruar ta blejnë. Sipas Burim Gjylit, shef i higjenës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, uji vazhdon të jetë i ndotur dhe kërkon kohë për t’u pastruar, megjithatë ka rezultuar i pastër nga ana bakteriologjike. Zonat e përmbytura kanë vuajtur mungesën e theksuar të ujit gjatë periudhës së vërshimit.

Aktualisht, vetëm uji i ujësjellësi të Zuesit mund të konsumohet nga popullata. Përsa u përket ujësjellësve të tjerë të zonave që kanë qëndruar nën ujë për rreth 1 muaj, nuk mund t’a konsumojnë atë edhe për një kohë akoma të pacaktuar. Gjyli sugjeron rrjedhjen e vazhdueshme të çezmave, në mënyrë që pastrimi të jetë sa më i shpejtë.

 

Anila Dushi