Teksa shefja e diplomacisë së BE, Federica Mogherini preferoi të bënte në këmbë rrugën nga Presidenca drejt Kryeministrisë, ajo është përballuar me disa të rinj që mbanin pankarta në duar.

Ata i bënin thirrje asaj që të ndikojë tek kryeministri Edi Rama që të lirojë 11 kuksianët e arrestuar pasi protestuan për taksën e rrugës së Kombit.

Në disa nga parullat që të rinjtë mbanin në duar shkruhej: Ju mund të fusni Shqipërinë në BE, nëse nxirrni Kukësin nga Shqipëria.

Arrestimi i kuksianëve erdhi pasi protestuan kundër taksës së rrugës së Kombit, protestë kjo që u shoqërua me dhunë dhe me prishje të kabinës ku bëhej pagesa për këtë rrugë.

Pas protestës, policia në mes të natës, vuri në pranga 23 kuksianë, ndërsa disa ditë më vonë 12 prej tyre u lanë të lirë nga Gjykata e Kukësit.

Për arrestimin e tyre ka pasur reagime të forta si nga opozita po ashtu edhe nga opinioni publik, ndërsa qeveria ka nisur negociatat për të rënë në ujdi me kuksianët për taksën që do të paguajnë ata për të kaluar në këtë rrugë.

Mogherini ndodhet në Tiranë pas dhënies së dritës jeshile për çeljen e negociatave me BE, edhe pse megjithatë fjalën e fundit do ta japin vendet anëtare.