Bastet sportive dhe lojërat e fatit janë një fenomen i përhapur dukshëm në të gjithë vendin, por në qytetet e vogla dhe të varfëra ky fenomen është më shqetësues.

Në qytetin e Cërrikut pikat e basteve edhe në orët e mëngjesit i gjen të mbushura plot. Aty ku njerëzit kanë humbur shpresën, i kanë kthyer sytë nga fati.

“Shkojnë nga varfëria mos fitojnë ndonjë lek ngaqë nuk kanë. Dëmton, sherr, shamatë, rrihu dhe prihu. Lekët t’i çojnë në shtëpi, nëpër familje jo në loto. Edhe 5 lekët që u marrin prindërve shkojnë e i lënë në loto. Kjo është nga varfëria”, thonë qytetarët vendas.

Sipas psikologëve, varësia që krijohet nga lojërat e fatit dhe bastet është e njëjtë me atë që krijohet nga droga.

“Kemi të rinj që kanë mungesë idealesh dhe të rinj që bëhen viktima të këtyre aktiviteteve. Të rriturit e kanë ves. Ajo që ne si shoqëri duhet të bëjmë janë orët e këshillimit në shkolla, në gjimnaze dhe gjithashtu edhe përmes edukimit familjar”, thotë psikologia Hajdina Dyli.

Ndikimi nga lojërat e fatit dhe lotot nis që në adoleshencë, ndërsa duket sikur ndryshimet ligjore të vitit 2016, që përcaktojnë distancë 100 metra nga institucionet arsimore, janë thjesht tallje.

Distanca 100 metra e përcaktuar në ligj ka bërë që përballë, apo përbri të çdo gjimnazi të jenë 2 apo më shumë pika bastesh sportive.

Top Channel